SANKSIONET DHE GJOBAT NË RASTET E SHKELJEVE TË TË DHËNAVE PERSONALE

28 Gusht, 2025
Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk është çështje zgjedhjeje apo etike, por një obligim i detyrueshëm ligjor që imponon përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe sanksione serioze ndaj çdo shkelësi.
Ligji i ka dhënë Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) kompetenca të plota për të hetuar, urdhëruar masa korrigjuese dhe vendosur gjoba administrative kundër kontrolluesve dhe përpunuesve që nuk i zbatojnë detyrimet ligjore.
Shkeljet mund të sjellin pasoja financiare të konsiderueshme, dëmtim të reputacionit dhe humbje besimi nga klientët. Njohja e këtyre masave nuk ka të bëjë vetëm me shmangien e ndëshkimeve, por edhe me ndërtimin e një praktike të qëndrueshme dhe të besueshme të përpunimit të të dhënave.
Kompetencat e AIP
Agjencia, sipas detyrës zyrtare apo në bazë të ankesës, mund të kryejë inspektime dhe kontrolle, për të mbikëqyrur pajtueshmërinë me rregullat e mbrojtjes së të dhënave. Duke vepruar kështu, Agjencia:
- Mbikëqyrë ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale;
- Mbikëqyrë përshtatshmërinë e procedurave dhe masave që janë ndërmarrë për sigurinë e të dhënave personale në pajtim me ligjin;
- Mbikëqyrë dhe vepron në lidhje me: regjistrat e aktiviteteve të përpunimit; njoftimin e shkeljeve të të dhënave; vlerësimin e ndikimit të mbrojtjes së të dhënave; zyrtarin për mbrojtjen e të dhënave; kodet e sjelljeve; mekanizmat e certifikimit; dhe regjistrimet e zbulimit të të dhënave të marrësve.
Duhet pasur të qartë se gjatë kontrollit, Agjencia (zyrtarët e inspektimit) kanë të drejtë që të kontrollojnë dhe konfiskojë çdo dokumentacion që ka të bëj me përpunimin e të dhënave, që të kontrollojnë përmbajtjen e sistemeve të dosjeve, kontrollojnë e konfiskojnë dokumentacionin që rregullon sigurinë e të dhënave, kontrollojnë ndërtesat, verifikojnë masat dhe procedurat që kanë për qëllim të sigurojnë të dhënat personale etj.
Duke vlerësuar rezultatet e kontrolleve, Agjencia ka të tagër që të:
- Urdhërojë eliminimin e parregullësve dhe mangësive të cilat janë vënë re gjatë kontrollit (kjo mund të përfshijë asgjësimin, bllokimin, shkatërrimin, fshirjen ose anonimizimin e të dhënave personale);
- Të ndalojë përkohësisht dhe në një mënyrë të caktuar përpunimin e të dhënave personale nga kontrolluesit dhe përpunuesit;
- Të ndalojë përkohësisht dhe në një mënyrë të caktuar përpunimin, anonimizimin, klasifikimin dhe bllokimin e të dhënave personale;
- Shembull: Agjencia me anë të Vendimit me Nr. 148/2025 të datës 30.06.2025, e ka ndaluar përkohësisht përpunimin e të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë dhe e ka urdhëruar kontrolluesin që të bëj shkatërrimin e të dhënave të mbledhura përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë.
- Të ndalojë përkohësisht dhe në një mënyrë të caktuar përpunimin e të dhënave personale në vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, ose zbulimin e tyre dhe marrësve të tyre, nëse janë transferuar ose zbuluar kundërligjshëm apo në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare;
- Të urdhërojë përmbushjen e kërkesave të subjektit të të dhënave,
- Shembull: Agjencia me anë të Vendimit me Nr. 58/2025 të datës 22.04.2025, e ka aprovuar ankesën e subjektit të të dhënave dhe e ka detyruar kontrolluesin që të ndalojë shpërndarjen e të dhënave personale pa bazë ligjore.
- Të shqiptojë gjoba;
- Shembull: Agjencia me anë të Vendimit me Nr. 45/2025 të datës 21.03.2025, i ka shqiptuar gjobë kontrolluesit në lartësi prej 25,000.00 Eurove për shkak të shkeljes së dispozitave për sigurinë e të dhënave personale dhe e ka urdhëruar që t’i ndërmarrë masat e nevojshme për sigurinë e të dhënave personale.
- Të paralajmërojë ose këshillojë me shkrim përpunuesin ose kontrolluesit në rastet e shkeljeve të vogla.
- Shembull: Agjencia me anë të Vendimit me Nr. 253/2024 të datës 04.11.2024, e ka këshilluar kontrolluesin që përpunimin e të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë ta bëjë në harmoni me dispozitat e LMDHP-së.
Gjobat administrative
Ndonëse, nuk janë masat e vetme që Agjencia mund të shqiptojë ndaj shkelësve të dispozitave të LMDHP-së, gjobat janë masa më e rëndësishme në kuptim të implikimeve që ka ndaj përpunuesve dhe kontrolluesve, pra atyre financiare.
Ligji, për të siguruar që gjobat do të arrijnë efektin e tyre mirëpo edhe për tu siguruar që përpunuesve dhe kontrolluesve do tu vihen përsipër gjoba të përballueshme, ka përcaktuar kritere të qarta që Agjencia duhet t’i respektojë në momentet e përcaktimit të gjobave. Pra, Agjencia, për kontrolluesit dhe përpunuesit e të dhënave, vendosë gjoba kundërvajtëse, duke marrë parasysh kritere si:
- Natyrën, rëndësinë, kohëzgjatjen e shkeljes, duke marrë parasysh natyrën, objektin ose qëllimin e përpunimit përkatës, si dhe numrin e subjekteve të të dhënave të prekura dhe nivelin e dëmit të shkaktuar;
- Karakterit të qëllimshëm dhe mospërfillës të shkeljes;
- Masat e marra nga kontrolluesi ose përpunuesi për të lehtësuar dëmin e pësuar;
- Shkallën e përgjegjësisë se kontrolluesit ose përpunuesit përkitazi me masat teknike dhe organizative të zbatuara nga ata;
- Shkeljet e mëparshme të kontrolluesit dhe përpunuesit;
- Shkallën e bashkëpunimit me Agjencinë;
- Kategoritë e të dhënave personale të prekura; etj.
LMDHP, parasheh gjoba deri në dymbëdhjetë mijë (12,000.00) Euro, për përpunuesit ose kontrolluesit të cilët:
- Shkelin dispozitat për vëzhgimin me kamerë në ndërtesat me apartamente.
- Shembull: Agjencia me anë të Vendimit Nr. 295/2024 të datës 06.12.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e ankuesit dhe e ka urdhëruar kontrolluesin që të ndalojë përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në hapësirat e përbashkët.
LMDHP, parasheh gjoba deri në dhjetë mijë (10,000.00) Euro, për përpunuesit ose kontrolluesit të cilët:
- Shkelin dispozitat për marketingun e drejtpërdrejtë;
- Shembull: Agjencia me anë të Vendimit me Nr. 223-2024 të datës 18.09.2024, e ka urdhëruar kontrolluesin që ndaloj përpunimin e të dhënave personale, të grumbulluara pa pëlqimin e subjektit, me qëllim të aplikimit të marketingut të drejtpërdrejtë..
- Shkelin dispozitat e përgjithshme për vëzhgimin me kamerë;
- Shembull: Agjencia me anë të Vendimit me Nr. 305-2024 të datës 23.12.2024, i ka shqiptuar kontrolluesit gjobë në lartësi prej 8,000.00 Eurove për shkak të shkeljes së dispozitave të përgjithshme për vëzhgimin me kamerë dhe e ka urdhëruar kontrolluesin që ta largojë sistemin e vëzhgimit me kamerë.
- Shkelin dispozitat për vëzhgimin me kamerë në lidhje me qasjen në ndërtesat zyrtare dhe të biznesit;
LMDHP, parasheh gjoba deri në tetë mijë (8,000.00) Euro, për përpunuesit ose kontrolluesit të cilët:
- Shkelin dispozitat për regjistrimet e hyrjes dhe daljes nga ndërtesa;
- Shkelin dispozitat për mbikëqyrjen nga personi përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale.
LMDHP, parasheh gjoba deri në pesë mijë (5,000.00) Euro, për përpunuesit ose kontrolluesit të cilët:
- Shkelin dispozitat për ndërlidhjen e sistemit të dosjeve.
Shkeljet e rënda dhe në masë të madhe të dispozitave ligjore
Nëse Agjencia konstaton një shkelje të rëndë dhe të përhapur të të dhënave personale, ajo mund të shqiptojë gjoba nga njëzet mijë (20,000) deri në dyzet mijë (40,000) euro.
Për kompanitë dhe ndërmarrjet, gjoba mund të arrijë nga 2% deri në 4% të qarkullimit të përgjithshëm vjetor të vitit financiar paraprak, në përputhje me Rregulloren (BE) 2016/679 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, të datës 27 prill 2016, mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe qarkullimin e lirë të tyre.
Rëndësia e përputhshmërisë me ligjin
Përputhshmëria me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk duhet parë thjesht si një mënyrë për të shmangur gjobat. Ajo është një investim në reputacionin e organizatës, ndërtimin e besimit me klientët dhe parandalimin e problemeve ligjore në të ardhmen.
Shkruan: Valmir Haziraj