SI QYTETARËT DHE BIZNESET BIEN PA DASHJE NË RADARIN E NJËSISË SË INTELIGJENCËS FINANCIARE (NJIF)?
Në praktikën e përditshme po vërejmë gjithnjë e më shpesh situata ku qytetarë dhe biznese përballen me ngrirje fondesh/transaksionesh nga institucionet financiare, edhe pse veprimet e tyre financiare janë plotësisht legjitime.
Këto raste lidhen me mënyrën se si transaksionet vlerësohen nga sistemi i monitorimit financiar, i cili sot funksionon me parime të rrepta ligjore, të cilat synojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe se pezullimi i transaksionit është vetëm hapi i parë i pasojave konkrete.
Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit dhe rregulloret përkatëse të BQK-së i ngarkojnë institucionet financiare me detyrime të qarta për identifikimin, analizimin dhe raportimin e transaksioneve të cilat devijojnë nga sjellja e pritshme financiare e klientit.
Një pagesë e papritur, një përshkrim i paqartë apo i përgjithësuar në transaksion, një depozitë cash që nuk përputhet me historikun e klientit, apo një transfer nga një i afërm jashtë vendit (pa ndonjë kundërligjshmëri në veten e saj) mund të çojë në verifikime shtesë nga banka. Sepse sistemi nuk vlerëson vetëm shumën, por edhe kontekstin.
Kjo do të thotë se shpesh nuk është e nevojshme të ekzistojë një veprim i paligjshëm që një transaksion të klasifikohet si i dyshimtë. Mjafton që veprimi financiar të mos ketë logjikë të qartë ekonomike, të jetë jashtë profilit të klientit apo të ngjallë dyshim se qëllimi i vërtetë nuk përputhet me qëllimin e deklaruar.
Pra, që ta qartësojmë: Ligji AML nuk ka target qytetarët e ndershëm. Por mënyra si ai funksionon, sidomos përmes subjekteve raportuese, krijon situata ku qytetarët dhe bizneset mund të keqkuptohen lehtë.
Kur aktivizohet dyshimi?
Institucionet financiare, sipas rregullores përkatëse së BQK-së, orientohen nga disa pyetje bazë për të kuptuar nëse një transaksion mund të jetë risk:
- A është madhësia e transaksionit në përputhje me historikun e klientit?
- A ka qëllim ekonomik të qartë dhe racional?
- A ka ndryshuar modeli i qarkullimit në krahasim me të kaluarën?
- Në transaksionet ndërkombëtare, a ekziston arsye e qartë pse lëvizen fonde me atë subjekt dhe shtet?
Nëse përgjigjet nuk janë koherente, IF detyrimisht regjistrojnë aktivitetin dhe, kur dyshimi është i arsyeshëm, raportojnë në Njësinë e Inteligjencës Financiare (NJIF) brenda 24 orëve.
Nëse një klient kryen transaksione në para të gatshme gjithmonë nën 10,000 € dhe kjo duket si sjellje e përsëritur, institucioni financiar mund ta konsiderojë si përpjekje për të shmangur raportimin. Po ashtu, kur një person bën disa transaksione të ndara në cash, por që së bashku arrijnë 10,000 € ose më shumë brenda një periudhe kohore, kjo sjellje mund të vlerësohet si dyshuese dhe të nxisë raportim.
Kjo nuk e bën automatikisht transaksionin të paligjshëm, por e vendos personin në radar procedural, çka nënkupton verifikim, kërkim dokumentacioni, ndalje përkohësisht të qarkullimit dhe raportim të mundshëm.
Po ashtu, vlen të elaborohet se institucionet financiare sot përdorin mekanizma të automatizuar që nuk shikojnë vetëm shumën që lëviz, por edhe përshkrimin, ritmin e transaksioneve, prejardhjen e fondeve dhe, siç e theksuam më lartë, mospërputhjet me profilin financiar të klientit.
Fjalët që përdoren në përshkrimin e transaksionit shpesh shkaktojnë aktivizime automatike, sepse sistemi është i ndërtuar që të kërkojë çdo sinjal të mundshëm rreziku. Edhe terma krejt të zakonshëm mund të marrin peshë në rrethanat e gabuara, sidomos kur kombinohen me shuma të larta ose me një lloj qarkullimi që ndryshon papritur nga sjellja e deritanishme e klientit.
Vlen të theksohet se raportimi nuk përbën akt akuzues, ai është masë preventive, dhe mund të shoqërohet me:
- kërkesë për dokumentim plotësues;
- vonesë ose pezullim të transaksionit;
- monitorim të vazhdueshëm të llogarisë;
- kallëzim penal në rastet ku ekzistojnë elemente të pastrimit të parave;
Nga praktika jonë në Vokshi & Lata, kemi pasur raste kur një klient i jonë është ftuar nga Policia për të dhënë sqarime për transfere që kanë qenë tejet normale në funksionimin e biznesit, por që për shkak të vëllimit e kanë aktivizuar hetimin.
Kompania ka pasur disa POS nga bankat e ndryshme, dhe të gjitha pagesat për blerjet e mallit, pagat dhe shpenzimet tjera i ka kryer nga një llogari bankare e vetme. Prandaj, mjetet që kanë qenë nga pagesat përmes POS janë transferuar kohë pas kohe në llogarinë bankare kryesore. Kaq ka mjaftuar që të ftohet për intervistim nga Policia dhe pastaj hetimi është mbyllur pasi që është sqaruar rrjedha e parasë.
Si të shmangen këto situata?
Natyrisht, trajtimi i kësaj çështjeje është shumë më kompleks se një përgjigje e shkurtë.
Mirëpo, në vija të përgjithshme, mund të themi se klienti është në pozitë shumë më të favorshme, nëse: dokumenton burimin e fondeve, përdor përshkrime të duhura në transfer, përgatit kontrata që krijojnë lidhje logjike dhe juridike për mjetet, ruan koherencën mes historikut dhe qarkullimit të ri, kërkon paraprakisht këshillë profesionale kur planifikon një veprim të madh.
Në Vokshi & Lata, kemi këshilluar klientë për të strukturuar transaksione komplekse në përputhje me rregulloret AML, duke parandaluar keqkuptime dhe hetime të panevojshme.
Përfundim:
Në një ekonomi ku monitorimi financiar është aktiv, inteligjent dhe ligjërisht i detyrueshëm, çdo transaksion duhet të ketë arsye të qartë, provë mbështetëse dhe rrugë logjike të justifikimit.
Transparenca dhe planifikimi paraprak janë elementë kyç që ndihmojnë qytetarët dhe bizneset të mbrojnë integritetin e tyre financiar dhe të shmangin implikime të panevojshme procedurale. Në këtë kontekst, kujdesi ligjor nuk është vetëm mbrojtje, por edhe parakusht për funksionim të qëndrueshëm financiar.
Shkruan: Gent Nuza