Tatimpaguesit jo-rezident në Kosovë: regjistrimi, detyrimet dhe përgjegjësitë e përfaqësuesve fiskal
02.12.2024
Tatimpagues jo-rezident konsiderohet çdo individ ose subjekt juridik që krijon të ardhura në Kosovë, por nuk përmbush kriteret për të qenë rezident fiskal sipas legjislacionit kosovar. Këto kritere përfshijnë, ndër të tjera, qëndrimin fizik për një periudhë të caktuar ose administrimin e biznesit kryesor nga brenda Kosovës.
Tatimpaguesit jo-rezident mund të ndahen në disa kategori:
- Biznese ndërkombëtare: Kompani që ofrojnë shërbime ose shesin produkte në Kosovë pa një zyrë ose filiale të regjistruar;
- Investitorë të huaj: Individë që gjenerojnë të ardhura nga pasuri të paluajtshme, interesa, dividentë, ose qira në Kosovë;
- Individë ndërkombëtarë: Profesionistë që ofrojnë shërbime të specializuara ose kryejnë projekte të përkohshme në Kosovë.
Detyrimi për regjistrim në ATK
Tatimpaguesit jo-rezident janë të detyruar të regjistrohen në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) kur:
- Realizojnë të ardhura për të cilat duhet paguar tatim në Kosovë;
- Ofrojnë shërbime brenda territorit të Kosovës;
- Investojnë në pasuri të paluajtshme ose zhvillojnë projekte në Kosovë.
Regjistrimi në ARBK
Regjistrimi në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) nuk është i detyrueshëm për tatimpaguesit jo-rezident që kryejnë aktivitete të përkohshme ose nuk kanë prezencë të qëndrueshme në Kosovë. Ky regjistrim kërkohet vetëm nëse tatimpaguesi krijon një zyrë, filiale, apo entitet të regjistruar ligjërisht.
Llogaria bankare për tatimpaguesit jo-rezident
Tatimpaguesit jo-rezident mund të hapin një llogari bankare në Kosovë për menaxhimin e transaksioneve financiare. Megjithatë, kjo kërkon regjistrim paraprak në ATK dhe pajisje me numër fiskal.
Përfaqësuesit fiskal dhe përgjegjësitë e tyre
Ligji Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, në nenin 4, paragrafi 7, kërkon që tatimpaguesit jo-rezident të emërojnë një përfaqësues fiskal rezident në Kosovë. Përfaqësuesit fiskal kanë përgjegjësi të rëndësishme, duke përfshirë:
- Regjistrimin e tatimpaguesit jo-rezident në ATK;
- Dorëzimin e deklaratave tatimore dhe kryerjen e pagesave;
- Ruajtjen e dokumentacionit mbështetës;
- Komunikimin me ATK-në dhe institucionet relevante.
Përgjegjësia për borxhet tatimore të papaguara
Ligji përcakton se përfaqësuesit fiskal mbajnë përgjegjësi për borxhet e papaguara të tatimpaguesit jo-rezident që ata përfaqësojnë. ATK mund të kërkojë pagesën e këtyre borxheve përmes pasurisë së përfaqësuesit fiskal. Në raste të caktuara, ATK mund të kërkojë edhe dorëzimin e një garancie bankare në momentin e regjistrimit.
Sfidat dhe rekomandimet
Qasja aktuale vendos një barrë të konsiderueshme mbi përfaqësuesin fiskal, duke qenë se shpesh ai nuk ka kontroll mbi pasuritë e tatimpaguesit jo-rezident. Për këtë arsye, është e domosdoshme që përfaqësuesit fiskal:
- Të kërkojnë kontrata të qarta me tatimpaguesit jo-rezident, duke përcaktuar përgjegjësitë dhe garancitë financiare;
- Të parashikojnë masa mbrojtëse, si kërkesa për depozita apo sigurime, për të shmangur rrezikun e mosrespektimit të detyrimeve nga tatimpaguesi.
Përfundim
Tatimpaguesit jo-rezident dhe përfaqësuesit e tyre fiskal mbajnë përgjegjësi të rëndësishme për përmbushjen e detyrimeve tatimore në Kosovë. Përfaqësuesit fiskal duhet të jenë të kujdesshëm në menaxhimin e detyrimeve të tyre, duke siguruar kontrata të qarta dhe duke planifikuar masat e nevojshme për mbrojtjen nga rreziku financiar.
Regjimi ligjor aktual duhet të rishikohet për të siguruar që përfaqësuesit fiskal të mos mbajnë përgjegjësi financiare për borxhet tatimore në rastet kur ata nuk kanë qasje ose kontroll mbi pasuritë e tatimpaguesit jo-rezident. Për shembull, nëse përfaqësuesi ka përmbushur detyrimet e tij duke deklaruar tatimin dhe duke informuar tatimpaguesin për pagesën, por tatimpaguesi dështon të kryejë pagesën, atëherë përfaqësuesi nuk duhet të detyrohet të mbulojë borxhin nga pasuritë e tij personale. Një ndryshim i tillë do të krijonte një regjim më të drejtë dhe do të ulte barrën e paarsyeshme mbi përfaqësuesit fiskal.
Autor: Florin Lata