SEKRETET TREGTARE TANIMË ME MBROJTJE LIGJORE EDHE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
Autor: Albin Xhemaili
Bizneset, pavarësisht nga madhësia e tyre, gjatë veprimtarisë së tyre tregtare investojnë në përvetësimin, zhvillimin dhe aplikimin e njohurive, si dhe informacionit të nevojshëm, gjë e cila iu ofron avantazh konkurrues në raport me bizneset tjera. Investimi në krijimin dhe aplikimin e kapitalit intelektual, për bizneset është faktor përcaktues për sa i përket performancës së tyre në treg, kurse performanca e mirë në treg, atyre iu mundëson kthimin e investimit të bërë dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të biznesit.
Për të përvetësuar inovacionet dhe rezultatet tjera tregtare të dala nga veprimtaria e tyre ekonomike, bizneset përdorin mjete të ndryshme, të tilla si patentat, markat tregtare, apo të drejtat e autorit. Ndërsa një mjet tjetër i cili mundëson përvetësimin e rezultateve të inovacionit të bizneseve është mbrojtja e qasjes në informacionet të cilat janë të vlefshme për biznesin dhe të cilat nuk njihen gjerësisht. Këto informacione të vlefshme, të cilat janë ta pazbuluara dhe për të cilat synohet të mbesin të tilla, quhen sekrete tregtare.
Sekretet tregtare për bizneset kanë rëndësi tejet të madhe për bzineset. Kjo për faktin se përmes tyre, bizneseve iu mundësohet që t’i ruajnë informacionet e vlefshme, në atë mënyrë që të njëjtat të mbesin konfidenciale në raport me konkurrentët e tyre në treg. Duke qenë konfidenciale, këto informacione bizneseve iu mundësojnë përparësi në treg, e rrjedhimisht edhe dobi financiare.
Duke qenë kështu, sekretet tregtare janë çdoherë të ekspozuara ndaj praktikave të pandershme afariste, siç është vjedhja, kopjimi i paautorizuar, spiunazhi ekonomik, apo forma tjera të shkeljes së konfidencialitetit.. Kjo ka bërë që të shfaqet nevoja për krijimin e kornizës ligjore, përmes së cilës mundësohet ruajtja e sekreteve tregtare.
Ligji Nr.08/L-076 për Mbrojtjen e Sekreteve Tregtare, i cili ka hyrë në fuqi me 15 Qershor 2022, ka qëllim mbrojtjen e sekreteve tregtare nga marrja, përdorimi dhe zbulimi i paligjshëm i tyre.
Ky ligj, sekretin tregtar e përkufizon si informatë e cila plotëson kërkesa të caktuara si: është një fshehtësi në kuptimin që, si trup ose konfigurim preciz dhe bashkim i përbërësve të tij, nuk është përgjithësisht ose lehtësisht i qasshëm për personat brenda qarqeve që zakonisht merren me llojin e informatës në fjalë; ka vlerë tregtare sepse është sekret; dhe që i është nënshtruar hapave të arsyeshëm sipas rrethanave, nga personi që në mënyrë të ligjshme e kontrollon informatën, për ta mbajtur atë sekret.
Ndërsa marrja e sekretit tregtar, sipas këtij ligji konsiderohet çdoherë e paligjshme kur kryhet përmes qasjes së paautorizuar, e cila nënkupton marrjen apo kopjimin e dokumenteve, objekteve apo materialeve të ndryshme, të cilat përmbajnë sekretin tregtar dhe të cilat ligjërisht janë nën kontrollin e mbajtësit të sekretit tregtar, si dhe çdo sjellje tjetër e cila sipas rrethanave të rastit konsiderohet e kundërt me praktikat e ndershme tregtare.
Po ashtu përdorimi i sekretit tregtar konsiderohet i paligjshëm kur personi ka shkelur marrëveshjen e konfidencialitetit ose ndonjë detyrim tjetër për moszbulim të sekretit tregtar.
Risia që ky ligj sjell në Kosovë ka të bëj me mbrojtjen e sekreteve tregtare në procedurë gjyqësore. Në pjesën më të madhe të dispozitave të tij, Ligji përcakton procedurat, masat, urdhrat dhe vendimet gjyqësore, përmes të cilave mundësohet konstatimi, ndalimi dhe ndërprerja e shkeljes së sekretit tregtar, gjobitja e shkelësit të sekretit tregtar, si dhe kompensimin adekuat për palën e dëmtuar nga shkelja e sekretit tregtar.
Ashtu siç u paraqit më lart, sekretet tregtare, si pjesë përbërëse e Pronësisë Intelektuale, kanë rëndësi shumë të madhe, andaj edhe miratimi i një ligji që ofron mbrojtje të tyre në Kosovë, përbën një lajm të mirë për bizneset të cilat operojnë në vend.
Është e rëndësishme që kompanitë të përpilojnë marrëveshje me të punësuarit dhe të nxjerrin vendimet dhe rregulloret përkatëse në mënyrë që të përfitojnë sa më parë nga zbatimi i këtij ligji.