Date: 28-Jan-2024

RISITË TATIMORE SIPAS LIGJIT TË RI PËR ADMINISTRIMIN E PROCEDURAVE TATIMORE

Autor: Senat Elshani

Sot me datë 28 janar 2024 ka hyrë në fuqi Ligji Nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore.

Ligji i ri për Administrimin e Procedurave Tatimore siguron një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse lidhur me obligimet, rregullat dhe procedurat tatimore në Republikën e Kosovës.

Shfuqizimi i ligjeve paraprake

Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, shfuqizohen:

1). Ligji Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat;

2). Ligji Nr. 04/L-102 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat;

3). Ligji Nr. 04/L-223 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-102.

Shkurtimi i afateve

Me ligjin e ri syohet të rritet efikasiteti në atë mënyrë që janë shkurtuar afatet si një vijim:

  1. Është shkurtuar afati për shqyrtimin ankesës nga ATK-ja, nga 60 ditë tani në 45 ditë;
  2. Është shkurtuar afati për shqyrtimin e kërkesës për rimbusim nga 60 ditë tani në 30 ditë;
  3. Është shkurtuar afati për të paraqitur kërkesë për kreditim ose rimbursim për një pagesë të tepërt të tatimit, nga 6 vite tani në 3 vite nga data kur është paguar tatimi apo kur ka lindur e drejta e zbritjes.;
  4. Është shkurtuar afati pë fillimin e aplikimit të interesit për rimubursimin e vonuar nga dita e 61-të tani në ditën 31-të;
  5. Është shkuartuar afati për t’i bërë ndryshimet – korrigjimet e deklaratës tatimore nga tatimpaguesi, nga 6 vite tani vetëm brenda 3 vitet mund të bëhet korrigjimet e deklratës tatimore nga tatimpaguesi;

Njoftimi i tatimpaguesit për ATK-në, për lidhjen e kontratës së punës me punëtorin

Sipas ligjit të ri është obligimi ligjor që çdo punëdhënës duhet të informojë ATK për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit. Ky informim duhet të bëhet në formën e përcaktuar nga ATK. Çdo punëdhnës, i cili nuk informon ATK për lidhjen e kontratës së punës një ditë para fillimis të punës së punëtori, i nënshtrohet një gjobe prej pesqind euro (500.00€) për secilin punëtor të padeklaruar.

Pagesa e pagave përmes bankës – institucioneve financiare

Me ligjin e ri është shtuar një dispozitë e re ligjore sipas të cilës çdo pagë që i paguhet të punësuarit, kërkohet të bëhet përmes një institucioni financiar të licencuar.

Obligimi për kryerjen e transaksioneve përmes bankës për transaksionet mbi 300 €

Tani me ligjin e ri është obligim që çdo transaksion mbi treqind euro (300€) i bërë në mes të personave të përfshirë në aktivitet ekonomik, kërkohet të bëhet përmes llogarisë bankare dhe/ose formave tjera të pagesës në mënyrë elektronike. Me ligjin e ri është ulur vlera e transaksionit nga 500 € tani në 300 €. Pra, tani çdo transaksioni mbi 300 € që bëhen ndërmjet personave të përfshirë në aktivitet ekonomike, duhet të bëhet përmes llogarisë bankare ose formave tjera të pagesës në mënyrë elektronike.

Në rastet kur transaksioni është në vlerë mbi njëqind euro (100€), por i cili pjesërisht paguhet me para dhe pjesa tjetër me kompensim, pagesa e paguar me para kërkohet të bëhet përmes llogarisë  bankare dhe/ose formave tjera të pagesës në mënyrë elektronike.

Ankesat në Administratën Tatimore të Kosovës

Një person i cili kundërshton vlerësimin e tatimeve ose përcaktimin zyrtar të ATK, mund të paraqesë kërkesë për rishqyrtim në Njësinë e Ankesave për të ri-shqyrtuar përcaktimin zyrtar. Kërkesa duhet të dorëzohet brenda tridhjetë (30) ditëve nga data kur tatimpaguesi ka pranuar njoftimin e vlerësimit ose përcaktimin tjetër zyrtar. Kërkesa duhet të jetë me shkrim dhe duhet të përmbajë arsyet dhe dokumentet mbi të cilat tatimpaguesi e bazon kërkesën.

Ankesat në Bord të Ankesave

Tatimpaguesi i cili nuk pajtohet me një vendim të Njësisë së Ankesave, brenda tridhjetë (30) ditëve pasi është marrë njoftimi i vendimit nga Njësia e Ankesave, mundet të paraqesë ankesë në Bord të Ankesave. Para Bordit të Ankesave, palë në procedurë ankimore janë ATK apo Dogana e Kosovës, e cila e ka lëshuar vendimin e ankimuar, si dhe tatimpaguesi që ka parashtruar ankesën.

Bordi i Ankesave

Përmes ligjit të ri për Administrimin e Procedurave Tatimore është shtuar një nen i ri për themelimin e Bordit të Ankesave në Ministri, për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të nxjerra nga Njësia e Ankesave në ATK dhe Doganën e Kosovës lidhur me çështjet tatimore dhe doganore.

Bordi do të ketë juridiksion të shqyrtojë çdo vendim nga njësitë përkatëse të ankesave në lidhje me legjislacionin tatimor dhe doganor në fuqi në Republikën e Kosovës.

Bordi mbanë seanca ku dëgjohen palët dhe shqyrtohen provat, si dhe seanca të mbyllura.  Ankesa shqyrtohet brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e pranimit. Në rast se ankuesi nuk pranon vendim brenda tridhjetë (30) ditëve nga Bordi, ai mund të iniciojë padi në gjykatën kompetente.

Vendimet e Bordit të Ankesave janë përfundimtare në procedurën administrative dhe ndaj këtyre vendimeve mund të ngritët padi në gjykatën kompetente.

Obligimi për të paguar detyrimin tatimor gjatë procedurës së ankesave

Fatkeqësisht në ligjin e ri është shtuar një dispozita ligjore sipas të cilës paraqitja e ankesës në Njësinë e Ankesave dhe në Bord, si dhe paraqitja e padisë në gjykatën kompetente nuk pezullon obligimin për pagesë të detyrimeve tatimore. Sqarojmë se një dispozitë e tillë ka qenë edhe më herët në fuqi mirëpo e njëjta ishte fshirë përmes nenit 91 të Ligji Nr. 08/L-176.

Pra, me ligjin e ri është rikthyer dispozita ligjore sipas të cilës paraqitja e ankesës nuk e pezullon obligimin e pagesës së detyrimeve tatimore dhe në këto rrethana tatimpaguesit vihet në pozitë tejet të vështirë. Tani ATK-ja ka të drejtë që të zbatojë procedurat e mbledhjes së tatimit pavarësisht paraqitjes së ankesës nga tatimpaguesi.

Barra e provës

Me ligjin e ri është shtuar një nen i ri e cili e përcakton barrën e provës, si në vijim:

  • Ankuesi ka barrën të provojë që vendimi, vlerësimi dhe përcaktimi kundër të cilit ka ngritur ankesë është i pasaktë.
  • Administrata Tatimore e Kosovës dhe DK bartin detyrimin e vërtetimit të fakteve, të cilat e mbështesin vendimin dhe kundërshtojnë kërkesën e tatimpaguesit.

Mbledhja e informatave ose provave

Në ligjin e ri lidhur me mbledhjen e informatave ose provave, janë shtuar disa dispozita të reja si në vijim:

  • Për qëllime të mbikëqyrjes së fakteve që janë relevante me tatime, institucionet financiare duhet të dorëzojnë në ATK informatat për të gjitha transaksionet vendore dhe ndërkombëtare, në valutën vendore dhe të huaj, të llogarive të personave juridik, personave fizikë afarist dhe jo-afarist, përfshirë këtu edhe depozitat e kursimeve.
  • Për qëllime të mbikëqyrjes së fakteve që janë relevante me tatime, Noterët duhet të dorëzojnë në ATK informatat për të gjitha kontratat e shitblerjeve nga personat juridik, personat fizikë afarist dhe personat fizikë jo-afarist.
  • Informatat bankare nga institucionet financiare të licencuara, mund të kërkohen në mënyrë individuale, grupore apo në ndonjë mënyrë tjetër të përcaktuar me ndonjë ligj të zbatueshëm në Republikën e Kosovës.
  • Administrata Tatimore e Kosovës ka të drejtë që për qëllime tatimore të përdorë informata në formë të fotove të momentit apo video inqizime, të bëra nga publikimet e tatimpaguesit.

Rikontrolli

Në rastin e një rikontrolli sipas vendimit të Ankesave, Bordit apo Gjykatës, rikontrolli nuk mund të bëhet nga zyrtari tatimor dhe mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, të cilët kanë marrë pjesë në vlerësimin e parë.

Obligimi për dorëzimin në mënyrë elektronike të librave të blerjes dhe të shitjes

Tani sipas nenit 43 par. 3 të ligjit të ri, të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe aktivitete tjera, duhet të dorëzojnë në ATK, në mënyrë elektronike librin e blerjes dhe librin e shitjes, si:

– Personat që janë të regjistruar për TVSh, dorëzojnë librat çdo muaj;

– Personat tjerë, dorëzojnë librat çdo tre muaj.

Sipas ligjit të ri, ATK-ja ndalon ushtrimin e veprimtarisë së biznesit në pikat e shitjes në rastet kur aplikohen ndëshkime të vazhdueshme për shkak të mos lëshimit të kuponëve nga PEF/SF apo softweri:

  •  shtatë (7) ditë kalendarike në rastet kur aplikohen tri (3) ndëshkime në data të ndryshme brenda vitit kalendarik;
  • pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike në rastet kur aplikohen katër (4) ndëshkime në data të ndryshme brenda vitit kalendarik.

Mallrat pa dokumentacion

Me ligjin e ri lidhur me mallrat pa dokumentacion është rritur për përqindja e gjobës nga 25% tani në 30%. Kur një person i angazhuar në aktivitet ekonomik posedon mallra pa dokumentacion për blerjen e tyre, ai person i nënshtrohet gjobës prej tridhjetë përqind (30%) të vlerës së tregut të atyre mallrave.

Zbritja e gjobave

Në ligjin e ri lidhur me zbritjen e gjobave janë shtuar dy dispozita ligjore, si në vijim:

  • Aty ku tatimpaguesi me detyrim tatimor të pashlyer, paguan detyrimin tatimor së bashku me interesin me një pagesë të njëhershme, gjobat e aplikuara sipas këtij ligji, përveç gjobave sipas nenit 104, do të zbriten në tridhjetëpërqind (30%).
  • Aty ku tatimpaguesi me detyrim tatimor të pashlyer, hyn në marrëveshje me shkrim për të paguar tatimin e pashlyer me dy ose më tepër këste, i përmbush kushtet e marrëveshjes me shkrim, dhe i kryen në kohë të gjitha detyrimet e tjera tatimore gjatë kohës së asaj marrëveshjeje, gjobat e aplikuara sipas këtij Ligji, përveç gjobave sipas nenit 103, do të zbriten në pesëdhjetë përqind (50%).

Barra Tatimore

Tani sipas ligjit të ri ATK ka të drejtë të vendos barrën tatimore në tërë pasurinë e personit, përfshirë edhe pasurinë e blerë nga personi pas vendosjes së barrës tatimore, për të siguruar obligimin tatimor të papaguar, i cili përfshin tatimin e papaguar, ndëshkimet/gjobat, interesin dhe shpenzimet e mbledhjes.

Është zgjatur afati për përfundimin e barrës tatimore, nga 6 vite tani në 10 vite nga data e vlerësimit dhe obligimit tatimor.

Lidhur me barrën tatimore është shtuar edhe një dispozitë e re ligjore ashtu që tani Administrata Tatimore e Kosovës ka të drejtë që pas vitit të dhjetë (10) nga vendosja e barrës tatimore, të bëjë rivlerësimin e pasurisë me barrë tatimore dhe pasuria e cila vlerësohet që tërësisht apo pjesërisht mbulon detyrimin e pashlyer dhe e cila është konfiskuar në bazë të procedurave të mbledhjes së detyrueshme, kalon në pronë shtetërore.

Dispozitat Kalimtare

Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, të gjitha ankesat me këtë Ligj dorëzohen në Bord gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Divizioni Fiskal pranë Gjykatës përkatëse vazhdon të trajtojë të gjitha ankesat e pranuara deri në hyrjen në fuqi të këtij Ligji, si dhe t’i pranoj ankesat edhe për gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Të gjitha procedurat e iniciuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji zhvillohen sipas legjislacionit që ka qenë në fuqi në kohën e inicimit të atyre procedurave.