Rimbursimet për 6 vite ju takojnë edhe pse ka ndryshuar ligji – Kërkoni paratë tuaja nga ATK!
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka filluar të zbatojë në mënyrë të gabuar dhe të padrejtë ligjin e ri për Administrimin e Procedurave Tatimore, i cili hyri në fuqi më 12 janar 2024. Ndërsa ky ligj kufizon afatin për kërkesat për rimbursim dhe kreditim në tre vite, ky afat nuk duhet të zbatohet për periudhat që paraprijnë hyrjen në fuqi të ligjit. ATK duke keqinterpretuar ligjin është duke shkaktuar dëme të mëdha për tatimpaguesit që kanë të drejtën e tyre të ligjshme për rimbursim sipas ligjit të vjetër.
Ligji i mëparshëm, që ishte në fuqi deri më 12 janar 2024, lejonte një afat prej gjashtë viteve për kërkesat për rimbursim ose kreditim të tatimit. Duke kufizuar këtë afat në tre vite për kërkesat që lidhen me periudha para hyrjes në fuqi të ligjit të ri, ATK po cenon të drejtat e fituara paraprakisht të tatimpaguesve. Kjo është një shkelje e hapur e parimit të mosprapaveprimit dhe e sigurisë juridike që ligjet duhet të garantojnë.
Neni 30 par.3 i Ligjit të shfuqizuar parashihte: “Kërkesa për kreditim ose rimbursimi për një pagesë të tepërt të çfarëdo lloji të tatimit mund të dorëzohet brenda gjashtë (6) vitesh nga data kur është paguar tatimi. Procedura për aplikim të rimbursimit të tatimit do të rregullohet me akt nënligjor”.
Neni 26 i ligjit të ri parasheh: “Kërkesa për kreditim ose rimbursim për një pagesë të tepërt të çfarëdo lloji të tatimit mund të dorëzohet brenda tre (3) vitesh nga data kur është paguar tatimi apo kur ka lindur e drejta e zbritjes”.
Dispozita e nenit 26 që kufizon periudhën e rimbursimit në tre vite edhe sikur të zbatohej drejt nga ATK, cenon parimin e proporcionalitet sepse tatimpaguesit i jepen 3 vite ndërsa ATK-së me nenin 16 i lihen gjashtë vite për vlerësimin e deklaratave tatimore. Për këtë arsye, Avokati i Popullit e ka dërguar këtë çështje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar verifikimin e kushtetutshmërisë së kësaj dispozite. Pavarësisht kësaj sfide të rëndësishme, ATK vazhdon të zbatojë këtë dispozitë gabimisht, duke shkaktuar humbje të padrejta për tatimpaguesit dhe duke minuar të drejtat e tyre ligjore.
Nëse ATK nuk korrigjon këtë zbatim të gabuar, e kjo as që pritet të ndodh për fat të keq, tatimpaguesit kanë çdo të drejtë të kontestojnë veprimet e ATK-së në gjykatë. Administrata Tatimore duhet të jetë një shembull i drejtësisë dhe korrektësisë, jo një institucion që shkel të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve që mbajnë barrën e financimit të shtetit përmes tatimeve.
Të drejtat e tatimpaguesve po vazhdojnë të shkelen, shpresa e vetme mbetet Gjykata.
Autor: Florin Lata