Date: 08-Nov-2024

Radiotelevizioni i Kosovës kufizon qasjen në mundësi të barabarta të konkurrimit!

8 Nëntor 2024

Së fundmi, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) si institucion mediatik publik në Kosovë, i cili financohet nga buxheti i shtetit, ka shpallur “Thirrje publike për producentë dhe produksione të pavarura”. Përkatësisht bëhet fjalë për thirrjen e publikuar me datën 02.10.2024 sipas të cilës të interesuarit kanë pasur mundësi të aplikojnë deri me datën 15.10.2024.

Ajo që ngre shqetësime në rastin konkret është një kusht i vendosur në këtë thirrje, përkatësisht kushti që aplikantët të mos kenë procedura gjyqësore të iniciuara ndaj RTK-së.

Në aspektin ligjor, një kusht i tillë eliminues përbën akt diskriminues i cili kufizon padrejtësisht qasjen në mundësi të barabarta për t’u angazhuar në projekte publike nga një institucion i pavarur publik siç është RTK në rastin konkret.

Veçanërisht shqetësuese është se RTK si transmetues publik, gjatë viteve të fundit është përballur me disa raste gjyqësore për mospërmbushje të kontratave ndaj palëve të cilat i ka kontraktuar për furnizime apo për kryerje të shërbimeve.

Madje në disa raste iniciues të këtyre kontesteve janë edhe producentët / produksionet, kategori për të cilën edhe është shpallur thirrja publike si më lartë. Këto procese janë iniciuar si pasojë e shkeljeve të natyrave të ndryshme, por në krye të listës janë mospërmbushjet e kontratave si dhe shkelja e të drejtave autoriale.

Kjo nënkupton se, nëse një individ apo subjekt ka paditur një institucion apo ndërmarrje publike për mospërmbushje të një kontrate apo mbi çfarëdo baze ligjore tjetër, ai individ apo subjekt do të përballet me një kusht që e pengon atë të konkurrojë për projekte të tjera të shpallura nga po ai institucion.

Duke vepruar kështu, RTK si transmetues publik që financohet nga taksat e qytetarëve, në thelb po shkel të drejtat e aplikuesve, duke krijuar një ambient që është jo vetëm i padrejtë, por edhe në kundërshtim me parimet themelore të qeverisjes së mirë, që kërkojnë drejtësi dhe transparencë në përdorimin e fondeve publike.

Ky kusht diskriminues, ngre shqetësime edhe për mënyrën si menaxhohen taksat e qytetarëve, që financojnë institucionet publike si RTK. Nëse një praktikë e tillë përjashtuese do të bëhej normë në të gjitha institucionet qeveritare në përgjithësi, kjo do të krijonte një ambient të pabarabartë për të gjithë ata që kërkojnë drejtësi. Rrjedhimisht një praktikë e tillë do të lehtësonte përjashtimin nga konkurset publike të të gjitha palëve që guxojnë të kërkojnë drejtësi në gjykata, duke u mohuar qasjen në projekte të financuara nga shteti dhe duke kufizuar pjesëmarrjen e tyre në shërbime dhe kontrata publike.

Përjashtimi i padrejtë i aplikantëve krijon një treg të mbyllur, ku konkurrenca e lirë është e kufizuar dhe ku fondet publike mund të destinohen për kontraktorë të zgjedhur jo mbi bazën e meritës, por të përjashtimit të palëve që kanë pasur mosmarrëveshje ligjore me institucionin. Në një situatë të tillë, kostoja e shpenzimeve buxhetore do të rritej, ndërsa transparenca dhe llogaridhënia do të minimizoheshin.

Kjo praktikë e RTK-së krijon një standard të rrezikshëm që, nëse përhapet në sektorin publik në përgjithësi, do të rrënonte parimet themelore të transparencës dhe qasjes në mundësi të barabarta të konkurrimit.

Kështu, institucionet apo ndërmarrjet publike jo vetëm që shkelin të drejtat e palëve duke mos përmbushur kontratat e tyre, por nëse këto palë vendosin të kërkojnë mbrojtje ligjore për këto shkelje, institucionet përkatëse i ndëshkojnë duke i përjashtuar nga mundësia për të konkurruar në projekte të tjera të financuara nga shteti. Kjo përbën një shkelje të re të të drejtave të tyre, duke i privuar jo vetëm nga mbrojtja ligjore, por edhe nga e drejta për qasje në mundësi të barabarta konkurrimi.

Në këto rrethana, lindin pyetje të rëndësishme:

A është e drejtë që palët, të cilat kërkojnë mbrojtje ligjore për shkeljet e bëra nga institucionet shtetërore, të përjashtohen nga mundësitë për të konkurruar në projektet e ardhshme të atyre institucioneve? A ekziston rreziku që kjo praktikë të përhapet në institucionet e tjera publike? Këto çështje hapin dilema serioze lidhur me barazinë dhe transparencën në sistemin tonë ligjor.

Përfundim: Praktika që po ndjek RTK duke përjashtuar nga konkurset publike palët që kanë kërkuar drejtësi në gjykata, përbën një precedent të rrezikshëm për sektorin publik. Kjo jo vetëm që shkel parimin e barazisë dhe konkurrencës së lirë, por gjithashtu dëmton besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe përdorimin e fondeve shtetërore. Nëse një qasje e tillë bëhet normë, ajo do të kufizojë qasjen e drejtë në projekte publike, duke ndëshkuar ata që guxojnë të kërkojnë mbrojtje ligjore për të drejtat e tyre. Për të siguruar një sistem të drejtë dhe transparent, është jetike që praktikat e tilla diskriminuese të ndalen dhe që të gjitha institucionet publike të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, duke respektuar parimet e qeverisjes së mirë dhe përdorimin e ndershëm të fondeve publike.

Shkruan: Agnesa Azemi Ademi