PRAKTIKA GJYQËSORE PËRMBARIMORE – PËRMBLEDHJE E VENDIMEVE TË GJYKATËS KOMERCIALE TË KOSOVËS

Me themelimin e Gjykatës Komerciale, kompetenca për trajtimin e lëndëve përmbarimore ndërmjet subjekteve juridike, e cila, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2013, kishte kaluar në kompetencën e gjykatave të rregullta, u rikthye te një gjykatë e specializuar. Ky zhvillim ka sjellë një përmirësim të rëndësishëm në sistemin tonë gjyqësor, duke garantuar që çështjet përmbarimore në mes të subjekteve juridike të trajtohen nga gjyqtarë me ekspertizë të specializuar në çështjet komerciale. 

Për të vlerësuar ndikimin e këtij ndryshimi dhe për të pasqyruar përmirësimet e mundshme të praktikës gjyqësore, kemi analizuar praktikën e Gjykatës Komerciale gjatë 17 muajve të parë të funksionimit të saj (01.08.2022-31.12.2023). Në këtë publikim, kemi përfshirë çështjet më të rëndësishme të trajtuara gjatë kësaj periudhe, duke ndihmuar në reflektimin e punës së kësaj gjykate dhe në identifikimin e zhvillime në fushën e drejtësisë komerciale.

Nga një total prej mbi 800 vendimesh të Dhomave të Shkallës së Dytë të analizuara nga ana jonë, kemi përzgjedhur me kujdes vetëm 71 prej tyre për këtë publikim, duke u përqendruar në ato që përfaqësojnë praktikat më të rëndësishme dhe më me ndikim. Çdo vendim është prezantuar në formë të përmbledhur, me një paragraf shpjegues në hyrje. Për lexuesit që dëshirojnë të konsultojnë vendimin e plotë, referencat e sakta janë të përfshira, duke i mundësuar të shkarkojnë vendimin nga faqja zyrtare e Gjykatës Komerciale. 

Shkarkoni publikimin duke klikuar në këtë link

Vlen të theksohet se gjatë muajve të parë të funksionimit të Gjykatës Komerciale, shumë prej këtyre vendimeve kanë shqyrtuar vendimet e nxjerra në shkallë të parë nga gjykatat e rregullta, të nxjerra para themelimit të Gjykatës. Lexuesi do të vërejë se ka mjaft vendime që gjykata i ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje dhe ka dhënë sqarime se si të veprohet në marrjen e vendimeve të drejta.  

Ky publikim është i strukturuar në nëntë kapituj ku janë përmbledhë vendimet e gjykatës sipas tematikës duke pasur për qëllim të ndihmojë të gjitha palët e përfshira në proceset përmbarimore, si bizneset, avokatët, përmbaruesit privatë, juristët e kompanive dhe kontabilistët e po ashtu të shërbejë edhe për studiuesit e kësaj lëmie. 

Shoqëria e Avokatëve ”Vokshi & Lata” ka vërejtje për mënyrën e vendosjes dhe interpretimin e dispozitave ligjore nga Gjykata Komerciale në disa nga rastet e përfshira në këtë publikim, ashtu siç pajtohet me Gjykatën në raste të tjera. Megjithatë, këto pajtime apo mospajtime nuk janë objekt i këtij publikimi, prandaj qëndrimet e “Vokshi & Lata” lidhur me këto çështje nuk janë shpërfaqur këtu. Për të ruajtur objektivitetin, kemi përjashtuar nga publikimi çdo vendim ku kemi vepruar si përfaqësues.  

Në disa raste, kemi gjetur se ka dallime në qëndrime ose interpretime të Gjykatës për çështje të njëjta. Disa prej këtyre vendimeve i kemi përfshirë në këtë publikim për të inkurajuar diskutimin mbi temat e tilla dhe për të theksuar nevojën për unifikimin e  mëtejmë të praktikës gjyqësore. “Vokshi & Lata” mbetet e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen dhe kontributin e saj në zhvillimin e drejtësisë dhe praktikave më të mira gjyqësore në Kosovë. 

Për tu vlerësuar është edhe transparenca e Gjykatës Komerciale, e cila, me publikimin e të gjitha vendimeve, e ka bërë të mundshme përgatitjen e këtij publikimi. Të gjitha vendimet e trajtuara nga ana jonë në këtë publikim janë marrë nga web-faqja zyrtare e Gjykatës Komerciale.

Ky publikim është rezultat i punës dhe angazhimit të shtuar të gjithë stafit të “Vokshi & Lata”, të cilët, krahas punës së përditshme, kanë dhënë kontributin e tyre në përgatitjen e këtij publikimi të praktikës gjyqësore të Gjykatës Komerciale. Mirënjohje të veçantë meritojnë bartësit e këtij projekti Ardrit Humolli, Valmir Haziraj dhe Florin Lata për kontributin dhe dedikimin e tyre.