Përqendrimi i ndërmarrjeve sipas Ligjit NR. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës
Kuptimi, procedurat dhe pasojat e mosparaqitjes së kërkesës për lejimin e përqendrimit në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.
Autorë: Florin Lata & Urtina Shkreli
Republika e Kosovës, përmes kushtetutës dhe ligjeve të veta ka zgjedhur si model për rregullimin ekonomik të saj sistemin e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë. Mekanizmat shtetëror duhet të kujdesen që konkurrenca e lirë të mos cenohet me veprimet e ndërmarrjeve ekonomike që operojnë në tregun e Kosovës apo që kanë efekt në të. Në Kosovë, këtë funksion e kryen Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK).
Ndër format përmes së cilës mund të shtrembërohet apo kufizohet konkurrenca është edhe përqendrimi, të cilin Ligji për Mbrojtjen e Konkurencës në nenin 3 pika 9 e definon si krijimi i ndërmarrjes së përbashkët nga ndërmarrje të pavarura që në bazë të qëndrueshme kryejnë të gjitha funksionet si subjekte ekonomike të pavarura. Përqendrimi i ndërmarrjeve është një proces shpesh herë mjaft kompleks ku shumë komponentë merren parasysh dhe shumë profesioniste të fushave të ndryshme duhet të përfshihen. Përqendrimi duhet të mos cenon konkurrencën e lirë, në të kundërtën do të lejohet nga ana e AKK.
E njohur me termin Mergers and Acquisitions ( M&A), përqendrimi është i zakonshëm në botën e korporatave dhe ka një ndikim të madh në tregun global dhe ka filluar që të bëhet më i shpeshtë edhe në tregun kosovar. Për kompanitë kosovare, Mergers and Acquisitions paraqesin një mundësi tejet atraktive, por ato duhet të punojnë në përmirësimin e qeverisjes kooperative, transparencës financiare, përmirësimin e praktikave të menaxhimit dhe ndërtimin e një baze të fortë të aseteve për të tërhequr investitorët potencial.
Për të kuptuar plotësisht këtë proces dhe rregullat që i parasheh ligji, është e rëndësishme të sqarojmë se çfarë do të thotë përqendrimi, kur duhet të paraqitet kërkesa për lejimin e përqendrimit dhe cilat janë pasojat e mosparaqitjes së kësaj kërkese.
- Çka do të thotë Përqendrim?
Përqendrimi paraqitet kur dy apo më shumë ndërmarrje bashkohen për të ushtruar aktivitete të përbashkëta, duke fituar kontroll të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë mbi tërësinë apo një pjesë të ndërmarrjes. Përqendrimi paraqitet edhe në rastin e blerjes së aksioneve apo duke fituar shumicën e të drejtave të votimit.
Fitimi i kontrollit realizohet me bartjen e të drejtave, me kontratë ose në mënyrë tjetër që u mundëson ndërmarrjeve që vetë ose bashkë të ushtrojë në bazë të qëndrueshme ndikim vendimtar mbi ndërmarrje të tjera.
Fitimi i kontrollit realizohet me:
- bartjen e pronësisë ose të drejtës për të përdorur tërësisht ose pjesërisht asetet e ndërmarrjeve;
- bartjen e të drejtave ose me kontrata që sjellin ndikim vendimtar në përbërjen, votimin ose vendimet e organeve të ndërmarrjeve.
- Kur duhet të paraqitet Kërkesa Për Lejimin e Perqendrimit?
Ligji Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës ka përcaktur një qarkullim minimal që duhet të ketë një kompani për të parashtruar Kërkesën për Lejimin e Përqëndrimit para Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës.
Sipas ligjit të cekur, kompanitë janë të detyruar të paraqesin Kërkesën për Lejimin e Përqendrimit, nëse:
- pjesëmarrësit në përqendrim kanë mbi njëzet (20) milionë euro qarkullim të përbashkët në tregun ndërkombëtar dhe njëri pjesëmarrës në përqendrim ka mbi një (1) milion euro qarkullim në tregun e brendshëm, ose
- kur së paku dy pjesëmarrësit kanë mbi tre (3) milionë euro qarkullim në tregun e brendshëm.
Nëse kompanitë kanë qarkullimin e cekur, atëherë ato pas lidhjes së kontratës me të cilin fitohet kontrolli i kompanisë ose pas bërjes publike të përqendrimit, duhet të parashtrojnë kërkesën për Lejimin e Përqendrimit tek Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Pra, kërkesa paraqitet para ekzekutimit të transaksionit të kontratës, rrjedhimisht duhet që kontrata të parasheh që fillimi i zbatimit të saj do të bëhet me kusht të lejimit të përqendrimit nga AKK.
- Kush duhet ta paraqesë Kërkesën Për Lejimin e Përqendrimit?
Kërkesa për Lejimin e Përqendrimit duhet të paraqitet nga kompania që e fiton kontrollin në ndërmarrjen tjetër. Nëse kjo nuk është e aplikueshme, kërkesën e parashtrojnë të gjithë pjesëmarrësit në përqendrim, sipas marrëveshjes së përbashkët.
- A ka pasoja për kompaninë që nuk e parashtron Kërkesën për Lejimin e Përqëndrim?
Nëse Autoriteti vlerëson se është realizuar përqendrim pa u parashtruar kërkesa për lejimin e saj, atëherë do të udhërojë masa për rivendosjen e konkurrencës efekteve në treg.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti mund t’i ndërmarrë këto masa:
- të urdhërojë shitjen ose bartjen e aksioneve të fituara;
- të ndalojë ose të kufizojë ushtrimin e të drejtave të votimit në ndërmarrjet pjesëmarrëse në përqendrim;
- të urdhërojë ndërprerjen e ndërmarrjes së përbashkët;
- të ndalojë forma të tjera të fitimit të kontrollit që çojnë në përqendrim të paligjshëm;
- të shqiptojë gjobë në përputhje me këtë ligj.
Ligji Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës ka përcaktuar si shkelje të rënd pjesëmarrjen e një kompanie në një përqendrim të ndaluar dhe mosparaqitjen e kërkesës për lejimin e përqendrimit pranë Autoritetit.
Për këto shkelje ligji ka caktuar dënim me gjobë deri në dhjetë për qind (10%) të qarkullimit të përgjithshëm që ka realizuar në tërë botën në vitin e fundit për të cilin është përmbyllur raporti financiar.
Po ashtu, për këto shkelje do të ndëshkohet edhe personi përgjegjës i ndërmarrjes me gjobë prej një mijë (1.000) deri në katër mijë (4.000) euro.
Në përfundim, kompanitë kosovare duhet të jenë tejet të vëmendshme pasi që mos respektimi i procedurave ligjore mund të sjell pasoja të rënda marr parasysh edhe lartësinë e gjobës por edhe pasojat reputacionale.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar hetimet për disa raste të përqendrimeve të njoftuara apo të realizuara e për të cilat nuk janë ndjekur procedurat e parapara me ligj. Prandaj, edhe pse përqendrimi është një aspekt thelbësor i zhvillimeve të korporatave që mund të sjellë përfitime të mëdha për kompanitë e përfshira, megjithatë, është po aq e rëndësishme që këto kompani të ndjekin rregullat dhe të paraqesin kërkesën për lejimin e përqendrimit sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Prandaj, kompanitë duhet të jenë të vetëdijshme dhe të kujdesshme për të siguruar që të gjitha transaksionet e përqendrimit të kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.