Date: 09-Aug-2024

NËNSHKRIMI ELEKTRONIK: RREGULLIMI LIGJOR DHE ZBATIMI PRAKTIK

Shkruan: Valmir Haziraj

Shëndetësia, edukimi, shitjet, prokurimi dhe qeverisja janë disa prej fushave që do të përfitojnë ndjeshëm nga përdorimi i nënshkrimit elektronik. Me avancimin e teknologjisë dhe digjitalizimit, përditshmëria jonë ka pësuar ndryshime, dhe nënshkrimi elektronik ka fituar një rëndësi të madhe. Nënshkrimi elektronik jo vetëm rrit efikasitetin dhe sigurinë në transaksionet elektronike, por gjithashtu kontribuon në thjeshtimin e shumë procedurave administrative dhe ligjore.

Duke marrë parasysh rëndësinë që ka nënshkrimi në identifikimin e një personi, ka qenë e domosdoshme që të krijohet baza ligjore për fillimin e zbatimit të nënshkrimit elektronik.

Në vitin 2014, Bashkimi Evropian ka nxjerrë Rregulloren (EU) Nr. 910/2014 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit mbi identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm e cila ka shfuqizuar Direktivën 1999/93/EC.

Ndërkaq, në Republikën e Kosovës në janar të vitit 2022, ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 08/L-022 për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.

Me anë të këtij ligji, Kosova ka rregulluar mënyrën dhe skemat e identifikimit elektronik, kushtet e përdorimit të nënshkrimit, vulës, vulës kohore dhe pajisjeve për krijimin e tyre, shërbimet e regjistruara elektronike për procedurat gjyqësore dhe procedura të tjera, kushtet e lëshimit dhe përdorimit të certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqeve të internetit, shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit, janë nxjerrë edhe rregullore të tjera përkatëse për zbatimin e tij. Tashmë, bizneset, institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës kanë mundësinë të regjistrojnë shërbimet e tyre pranë Ministrisë së Ekonomisë.

Ligji kosovar ka përcaktuar se nënshkrimi elektronik është i vlefshëm dhe i pranueshëm dhe nuk i mohohet vlefshmëria apo pesha e provës vetëm për faktin se është në formë elektronike. Duke i dhënë këtë mbrojtje dhe fuqi ligjore nënshkrimit elektronik, Republika e Kosovës ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm në lehtësimin e krijimit të marrëdhënieve në fusha të ndryshme, jo vetëm ndërmjet personave fizikë, por edhe ndërmjet personave juridikë.

Sipas ligjit, nënshkrimi elektronik mund të përdoret në të gjitha sferat e jetës, përveç rasteve specifike ku nuk lejohet përdorimi i tij, e që raste të tilla janë nga:

  1. Fusha e të drejtës familjare dhe të trashëgimisë, të cilat u nënshtrohen kërkesave të veçanta ligjore;
  2. Veprimet ligjore për të cilat kërkohet legalizimi publik, akti noterial ose autorizimi nga gjykata;
  3. Veprimet ligjore që lidhen me garancinë pasurore për lirimet me kusht;
  4. Kur me ligj të veçantë nuk lejohet përdorimi i nënshkrimit elektronik.

Në të gjitha rastet tjera, nënshkrimit elektronik nuk mund t’i mohohet vlefshmëria vetëm për faktin se është dhënë në formë elektronike. Përkundrazi, ligji ka përcaktuar se për të konsideruar si të pavlefshëm nënshkrimin elektronik, duhet të vërtetohet se i njëjti nuk ka përmbushur kërkesat e sigurisë të përcaktuara me ligj dhe me të gjitha aktet nënligjore tjera.

Përkundër rregullativës së mirë ligjore, në praktikë nënshkrimi elektronik ende nuk po zbatohet gjerësisht nga bizneset dhe personat fizik në Kosovë.

Një nga arsyet ka të bëjë me hezitimin e institucioneve shtetërore për t’i pranuar si të vlefshme dokumentet të cilat janë të nënshkruara në formë elektronike. Kjo paraqet më së miri domosdoshmërinë e trajnimit të stafit nga institucionet publike për vlefshmërinë dhe rregullativën ligjore të nënshkrimit elektronik.

Krahas kësaj, duhet të ndërmerren edhe fushata vetëdijësuese nga mekanizmat shtetëror për edukimin e qytetarëve të vendit dhe bizneseve për mundësinë, lehtësinë dhe vlefshmërinë e nënshkrimit elektronik.

Në anën tjetër vlen të theksohet se ka një trend në rritje nga sektori privat e në veçanti nga investitorët e huaj në përdorimin e nënshkrimit elektronik. Sektori privat si gjithnjë është treguar më i gatshëm dhe entuziast ndaj zhvillimeve të reja dhe ka ndjekur me interesim të jashtëzakonshëm krijimin e një rregullative të tillë si kjo e nënshkrimit elektronik. 

Është gjithashtu e rëndësishme të vlerësohet gatishmëria e institucioneve përkatëse për të certifikuar ose njohur certifikatat e entiteteve të tjera, duke i mundësuar sektorit privat të ofrojë shërbime të tilla, pasi kanë treguar gatishmëri për këtë.

Në Kosovë tashmë kemi ofrues të certifikuar të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike, certifikatës elektronike, identitetit digjital për qytetarë, biznese dhe web server. Përmes platformave të tilla mund të krijoni identitetin tuaj digjital të njohur në gjithë Zonën Ekonomike Evropiane dhe në Republikën e Kosovës. Ky identitet do të krijohet në përputhje me të gjitha përcaktimet ligjore vendore dhe në harmoni me rregulloren e Bashkimit Evropian eIDAS 910/2014.

Siç mund ta shihni, nënshkrimi elektronik paraqet një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe efikasitetit në komunikimin dhe zbatimin e obligimeve mes palëve në Kosovë. Rregullativa e re ligjore ka krijuar një kornizë të fortë që siguron vlefshmërinë dhe sigurinë e nënshkrimeve elektronike, duke mundësuar kështu integrimin më të lehtë të Kosovës në tregun e brendshëm evropian.

Megjithëse ende ka sfida, adaptimi dhe njohja e teknologjive të tilla nga ana e institucioneve dhe bizneseve do të ndihmojë në përmirësimin e transparencës, efikasitetit dhe sigurisë në të gjitha transaksionet elektronike, duke sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.

Entuziazmi dhe angazhimi i sektorit privat tregojnë për një të ardhme premtuese, veçanërisht tani kur ekziston mundësia dhe rregullativa ligjore për tu kualifikuar e për të njohur dhe mbrojtur nënshkrimet elektronike.