RËNDËSIA E NËNSHKRIMIT ELEKTRONIK NË MJEDISIN BIZNESOR

20 Qershor 2025
Afarizmi është një ndër fushat që në mënyrën me organike i është përgjigjur zhvillimit të teknologjisë dhe digjitalizimit. Kjo, për faktin se zhvillimi i marrëdhënieve afariste, veçanërisht atyre ndërkombëtare, kërkon mjete efikase, të sigurta dhe juridikisht të qëndrueshme për të arritur formalizimin e marrëveshjeve dhe dokumentacionit të nevojshëm përcjellës.
Një prej këtyre mjeteve është edhe nënshkrimi elektronik, i cili po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për dhe në të bërit biznes, veçanërisht në marrëdhëniet e përditshme afariste.
Ndërkohë që në shumë vende përdorimi i tij është bërë praktikë e konsoliduar, në Republikën e Kosovës ende nuk ka gjetur zbatim të gjerë. Megjithatë, duke parë trendet globale dhe nevojat e tregut, është e pritshme që roli i tij të rritet ndjeshëm edhe në kontekstin vendor.
Republika e Kosovës ka tashmë 3 vite që ka miratuar Ligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike si rregullativë bazë për nënshkrimin elektronik, mirëpo nënshkrimi elektronik dhe përdorimin e tij ende nuk është bërë përditshmëri në Republikën e Kosovës.
Në praktikë, sektori privat, veçanërisht ai bankar dhe investitorët e huaj, po e përdorin gjithnjë e më shumë nënshkrimin elektronik për të realizuar marrëveshje dhe transaksione në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë. Pranimi dhe përdorimi i gjerë dhe efektiv i nënshkrimit elektronik edhe nga institucionet publike do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës dhe përmirësimit të klimës së të bërit biznes, në veçanti në raport me investitorët ndërkombëtarë. Një qasje e tillë do të eliminonte barrierat tradicionale të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar, duke e pozicionuar Kosovën si një vend më konkurrues në rajon.
Përfitimet juridike dhe operative të nënshkrimit elektronik – nënshkrimi elektronik si instrument modern për marrëdhëniet afariste u mundëson palëve të lidhin kontrata dhe të realizojnë veprime juridike në mënyrë të shpejtë, pa nevojë për prezencë fizike apo shkëmbim të dokumenteve të printuara. Përveç efikasitetit procedural dhe kursimit të kohës, ai ofron edhe siguri të shtuar përmes teknologjive të avancuara të kriptimit që garantojnë integritetin, autenticitetin dhe garantimin që nënshkrimi nuk mund të mohohet më vonë nga nënshkruesi i dokumenteve. Dokumentet e nënshkruara në formë elektronike janë të pajisura me të dhëna të auditueshme si koha dhe identiteti i nënshkruesit, çka i bën më lehtë të verifikueshme dhe ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Për më tepër, eliminimi i printimit dhe shkëmbimit fizik të dokumenteve kontribuon në reduktimin e kostove administrative dhe mbrojtjen e mjedisit, duke u bërë zgjidhje e qëndrueshme për organizatat moderne.
Për investitorët ndërkombëtarë, eliminimi i këtyre sfidave mbetet me rëndësi të veçantë. Një sistem i besueshëm për nënshkrimin elektronik eliminon pengesat burokratike dhe ofron qasje më të lehtë në tregun vendor. Për më tepër, dokumentet e nënshkruara elektronikisht mbështeten nga një bazë ligjore e konsoliduar, e cila garanton fuqi të barabartë provuese me nënshkrimin tradicional, përveç rasteve të përjashtuara me ligj.
Në përputhje me këtë legjislacion, në Kosovë tashmë operojnë ofrues të certifikuar të nënshkrimeve elektronike, vulave elektronike dhe identitetit digjital, të cilët mundësojnë krijimin dhe përdorimin e dokumenteve elektronike me efekt të plotë juridik.
Sektori privat si bartës i zhvillimit – Sektori privat, veçanërisht kompanitë me operim ndërkombëtar, ka treguar gatishmëri më të madhe për të adoptuar teknologjitë digjitale dhe nënshkrimin elektronik.
Avancimi i sektorit privat në drejtim të adoptimit të teknologjive digjitale është veçanërisht i theksuar në marrëdhëniet me investitorët e huaj, të cilët jo vetëm që e mirëpresin, por edhe e kërkojnë digjitalizimin e procesit të kontraktimit dhe komunikimit ligjor. Këto pritshmëri tashmë po përkthehen në praktikë përmes:
- Lidhjes së kontratave afariste në distancë;
- Nënshkrimit të akteve korporative pa nevojë për prezencë fizike;
- Menaxhimit të çështjeve ndërkufitare me dokumentacion të vlefshëm elektronikisht.
Adoptimi i nënshkrimit elektronik nga sektori privat në Kosovë nuk është vetëm një zhvillim teknologjik, por një domosdoshmëri juridike dhe ekonomike për të përmbushur standardet e tregut evropian dhe ndërkombëtar.
Ligji tashmë e njeh dhe mbron vlerën juridike të nënshkrimeve elektronike. Prandaj, është detyrë e institucioneve dhe praktikuesve të së drejtës që të promovojnë zbatimin e tij, duke krijuar një mjedis më transparent, më efikas dhe më tërheqës për investime të huaja.
Hapi i radhës drejt efikasitetit – një hap i domosdoshëm është integrimi i nënshkrimit elektronik në procedurat e regjistrimit fillestar dhe të regjistrimeve të ndryshimeve të bizneseve pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). Kjo do të lehtësonte ndjeshëm procesin për subjektet afariste, veçanërisht ato me pronësi të huaj, duke eliminuar nevojën për prezencë fizike apo për dorëzimin e dokumenteve të nënshkruara në formë të printuar.
Përmes këtij mekanizmi do të mundësohej një qasje më e shpejtë, më e sigurt dhe më transparente ndaj shërbimeve publike, duke kontribuar njëkohësisht në digjitalizimin e administratës dhe përputhjen me standardet evropiane të ofrimit të shërbimeve për bizneset.
Shkruan: Valmir Haziraj