Mos e humbisni afatin për padi ndaj ATK-së dhe Doganës: Rreziku për tatimpaguesit në Kosovë për shkak të mungesës së Bordit të Ankesave në Ministrinë e Financave
Nëse keni parashtruar ankesë në Bordin për Ankesa pranë Ministrisë së Financave, mund të jeni në rrezik të humbni të drejtën për paraqitjen e padisë. Kujdes! Afati për padi fillon në ditën e 31-të dhe përfundon në ditën e 60-të nga dorëzimi i ankesës në bord.
Për shembull, nëse keni dorëzuar ankesën më 22 gusht, Bordi kishte afat deri më 21 shtator për të marrë një vendim. POR KUJDES! Bordi ende nuk është emëruar, dhe afati për paraqitjen e padisë është SOT më 21 tetor 2024.
Kjo situatë absurde është pasojë e një njoftimi publik nga Ministria e Financave më 29 korrik 2024, ku u informua se të gjitha ankesat ndaj ATK dhe Doganës duhet të dorëzohen në Bordin e Ankesave, sipas ligjit të ri. Edhe pse ky njoftim ishte i vonuar për rreth një muaj, ishte në përputhje me zbatimin e nenit 119 të ligjit, i cili parashikon që ankesat të dorëzohen në Bord gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit më 12 janar 2024. Sidoqoftë, ende nuk janë emëruar anëtarët e Bordit të Ankesave (verifikuar më 18 tetor 2024 në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave).
Ligji i ri gjithashtu parasheh një zgjidhje në rast se Bordi nuk e shqyrton ankesën brenda afatit ligjor. Sipas nenit 115, paragrafi 4, nëse brenda 30 ditëve nga dorëzimi i ankesës nuk merret një vendim, tatimpaguesi ka të drejtë të paraqesë padi në gjykatën kompetente brenda një afati tjetër prej 30 ditësh.
Mos emërimi i anëtarëve të Bordit ka krijuar një situatë të pafavorshme për tatimpaguesit, pasi paditë e paraqitura pas afatit rrezikojnë të hidhen poshtë nga gjykatat. Ekziston edhe frika se Bordi mund të ndjekë praktikat e gabuara të Bordit të OSHP-së, i cili vendosi të mos shqyrtojë asnjë ankesë të dorëzuar para emërimit të anëtarëve të tij.
Çfarë duhet të bëni?
Tatimpaguesit duhet të paraqesin padi në gjykatë për shkak të heshtjes administrative brenda afatit të përcaktuar. Shoqëritë tregtare duhet ta dorëzojnë padinë në Gjykatën Komerciale, Divizioni Fiskal, ndërsa personat fizikë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ.
A t’ia nisim nga një email Ministrit të Financave për ta emëruar Bordin e Ankesave? Nëse i shkruajmë disa veta, ndoshta do të na marrë parasysh!
Author: Florin Lata