MBROJTJA LIGJORE NË TRANSFERIMET SPORTIVE: NJË DOMOSDOSHMËRI STRATEGJIKE

29 Korrik, 2025
“Në botën e sportit profesional, një kontratë e paqartë dhe e pa hartuar mirë, është një kërcënim më i madh se një transferim i dështuar.”
Ky parim na shtynë, si firmë avokatie, të theksojmë rëndësinë thelbësore të mbrojtjes ligjore në tërë procesin e transferimit të sportistëve. Procesi, paraqet një moment kyç në karrierën e sportistëve, e shpesh nënvlerësohet kompleksiteti ligjor që bartë. Përtej dinamikës sportive dhe entuziazmit publik, ky proces kërkon një vlerësim ligjor të thelluar për të mbrojtur interesat e të gjitha palëve të përfshira.
Ky shkrim detajon pse angazhimi i hershëm i një firme avokatie është një domosdoshmëri strategjike për çdo palë.
Nga përvoja jonë në “Vokshi & Lata”, kemi vërejtur se sportistët shpesh priren të nxitojnë me nënshkrimin, veçanërisht kur transferohen nga Kosova në shtete të tjera, duke e parë këtë si një mundësi jetike, pa u konsultuar paraprakisht me ndonjë njohës të fushës.
Negocimi dhe analiza e kontratës përmes avokatëve dëshmon profesionalizëm dhe aftësi menaxheriale, duke i shtuar vlerë sportistit dhe ekipit mbështetës, në vend që të shihet si diçka negative. Secili klub i madh, do ta vlerësonte lartë nëse sportisti ka angazhuar profesionistë për të asistuar në transferim.
Kontratat e transferimit sportiv janë instrumente ligjore thelbësore, të cilat rregullojnë jo vetëm marrëdhëniet financiare, por edhe aspektet kruciale të karrierës dhe reputacionit të një sportisti. Një kontratë e hartuar dhe negociuar me profesionalizëm është një investim afatgjatë që siguron stabilitet financiar dhe drejtësi në marrëdhënien profesionale mes sportistit dhe klubit. Në praktikë, këto dokumente janë të ndërthurura me rregullore të federatave ndërkombëtare si FIFA, UEFA, FIBA, dhe me legjislacionin vendor. Mungesa e një rishikimi rigoroz ligjor dhe hartimit të saktë të një kontrate, mund të shpie në pasoja të rënda ligjore dhe financiare për sportistët, klubet, dhe agjentët.
Një kontratë sportive tipike rregullon një sërë aspektesh thelbësore. Këtu përfshihen komponentët financiarë, si pagesa bazë dhe bonuset e performancës (individuale dhe ekipore), si dhe struktura të tjera të kompensimit. Po ashtu, thelbësor është përcaktimi i saktë i kohëzgjatjes së marrëveshjes, opsionet për zgjatje, dhe kushtet për ndërprerje. Kontratat duhet të përmbajnë edhe klauzolat e transferimit dhe largimit, duke përfshirë “release clauses” (klauzolat e lirimit) dhe rregullat për transferimet e ardhshme.
Detyrimet reciproke për stërvitje, paraqitje në ndeshje dhe sjellje profesionale janë gjithashtu pjesë e këtyre marrëveshjeve, ashtu si dhe rregullimi i përdorimit të së drejtave të imazhit, emrit dhe markës personale të sportistit. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, janë klauzolat e qarta mbi mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, shpesh përmes arbitrazhit, të cilat janë jetike për të shmangur kontestet e gjata.
Përfshirja e një firme avokatie të specializuar në të drejtën sportive, që në fazat fillestare të negociatave, garanton që çdo klauzolë të hartohet me transparencë maksimale, saktësi ligjore dhe përputhshmëri strikte me rregulloret ndërkombëtare dhe kombëtare.
Kjo qasje proaktive adreson në mënyrë strategjike rrezikun e kontesteve të ardhshme dhe forcon integritetin ligjor të marrëveshjes, duke siguruar mbrojtjen afatgjatë të interesave të së gjitha palëve.
Karriera e një sportisti, është shpesh e shkurtër dhe intensive, prandaj kërkon që çdo angazhim kontraktual të jetë i hartuar me përpikëri. Çdo element i marrëveshjes kërkon një analizë ligjore të thelluar, pasi pa këtë filtër profesional, rreziku i keqinterpretimeve dhe i dispozitave në kundërshtim me rregullativat ligjore është i mundshëm. Përveç kontratës bazë, shpesh neglizhohen dokumentet plotësuese si anekset, rregulloret e brendshme të klubit, apo marrëveshjet për bonuse specifike. Këto duhet të analizohen me të njëjtin nivel kujdesi, pasi mund të kenë implikime të rëndësishme ligjore.
Në mungesë të klauzolave të qarta dhe të mirë-përcaktuara, mosmarrëveshjet mund të përfundojnë në procese të gjata dhe të kushtueshme arbitrazhi apo gjykime pa fund.
Përfaqësimi ligjor efektiv para organeve ndërkombëtare (si CAS, BAT) apo vendore është thelbësor në rast të shkeljeve kontraktuale. Rasti i ish-mesfushorit francez Lassana Diarra kundër “Lokomotivës” së Moskës shërben si një ilustrim i qartë i rëndësisë së ekspertizës ligjore në kontratat sportive.
Në vitin 2013, Diarra nënshkroi një kontratë katërvjeçare. Një vit më vonë, pas një mosmarrëveshje me trajnerin, dhe një refuzimi për ulje page, erdhi deri te largimi i Diarras. Ekipi “Lokomotiva” iu drejtua Dhomës së Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve (DRC) të FIFA-s, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh për shkelje të kontratës nga ana e Diarra-s. Ndonëse fillimisht DRC vendosi në favor të klubit, çështja u apelua në Gjykatën e Arbitrazhit për Sportin (CAS). CAS, duke ndryshuar vendimin, uli dënimin në 10.5 milionë euro dhe vendosi një pezullim 15-mujor nga aktiviteti profesional për Diarra.
Implikimet e këtij vendimi fillimisht ishin të rënda për karrierën e lojtarit. Konflikti përfundimisht shkoi deri në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (CJEU), e cila në 4 tetor 2024 vendosi se Neni 17 i Rregullores për Statusin dhe Transferin e Lojtarëve të FIFA-s shkelte parimin e lirisë së lëvizjes së punëtorëve. Ky vendim historik jo vetëm që i dha drejtësi Diarra-s, por detyroi FIFA-n të rishqyrtojë dhe përmirësojë mekanizmat e saj të kompensimit për ndërprerjet kontraktuale në mes të lojtarit dhe klubit. Rasti Diarra ilustron qartë nevojën strategjike për mbrojtje ligjore të specializuar për të parandaluar ndërprerje të dëmshme të karrierës.
Përgatitja dhe rishikimi i thelluar ligjor i kontratave të transferimit të sportistëve janë komponentë thelbësorë të menaxhimit efektiv të riskut në industrinë sportive. Një kontratë e analizuar me kujdes dhe e hartuar me përpikëri ligjore shërben si një mekanizëm thelbësor strategjik mbrojtës për sportistët dhe klubet, duke i lejuar ata të përqendrohen në arritjet sportive pa u penguar nga pasiguritë ligjore apo kontestet e paplanifikuara.
Këshillimi me ekspertë, përfshirë edhe ata ligjorë, siguron që çdo hap i procesit të transferimit të jetë në përputhje me standardet më të larta, duke ndërtuar një themel të qëndrueshëm për suksesin afatgjatë, sikurse për sportistes ashtu edhe për ekipet profesionale.
Shkruan: Diart Gashi