KOSOVA PËR HERË TË PARË BËHET ME LIGJ PËR ANTI DOPING
Për herë të parë, Kosova bëhet me Ligj Anti-Doping, e që është një lajm i mirë për sportin e Kosovës pasi që themelohet edhe Agjencia që i ka munguar shumë komunitetit të sportit.
Përmes këtij ligji është përcaktuar themelimi, organizimi dhe përcaktimi i kompetencave të Agjencisë Anti – Doping (tutje Agjencia), dhe rregullave themelore, mekanizmave që luftojnë përdorimin e substancave dhe metodave të dopingut në sport, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur shëndetin e sportistëve, dhe për të garantuar drejtësi dhe shanse të barabarta në garat sportive.
Me këtë ligj, Agjencia do të jetë institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të rregullave anti-doping. Kjo Agjenci, në nivel kombëtar do të drejtojë mbledhjen e mostrave dhe menaxhimin e rezultateve të testeve anti-doping. Ndërsa, përveç zbatimit të këtij ligji, Agjencia do të sigurohet që të zbatohet edhe Kodi Botëror Anti-doping në Republikën e Kosovës.
Agjencia ka të drejtën të propozojë Rregulla Kombëtare Anti-Doping, të cilat do të aprovohen nga Ministria e Sportit e të cilat do të jenë të obligueshme për të gjitha organizatat sportive, sportistët dhe personat e përfshirë në sport ose në kontrollimin e dopingut në Kosovë. Agjencia, për të kryer veprimtaritë e saj anti-doping, ka të drejtën të kontraktojë individë ose entitete brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me ligjet në fuqi.
Agjencia do të identifikojë çdo shkelje të mundshme të rregullave anti-doping dhe nëse eventualisht ka dyshime për ekzistencën e elementeve të ndonjë vepre penale, Agjencia do t’i ofrojë Prokurorisë së Shtetit të gjitha të dhënat dhe informacionet e grumbulluara gjatë kryerjes së veprimtarisë së saj. Agjencia do të bashkëpunojë dhe me subjekte tjera relevante.
Agjencia do të udhëhiqet nga Drejtori i saj, ndërsa struktura dhe organizimi i saj do të rregullohen me akt nënligjor të veçantë.
Sa i përket financimit të saj, Agjencia do të financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, nga të ardhurat e veta, si dhe donacionet dhe burimet alternative të tjera, në përputhje me ligjet aktuale në fuqi. Agjencia do të kujdeset vetë për menaxhimin e financave të saj.
Në kuadër të Agjencisë, do të funksionojnë dy komisione të përhershme të cilat janë:
- Komisioni për përjashtimin e përdorimit terapeutik; dhe
- Komisioni disiplinor.
Në rast të shkeljes së rregullave antidoping dhe shkelje të masave të vendosura për shkelje të rregullave të përcaktuara nga ky ligj dhe Kodi Botëror për Anti-Doping dhe Rregullat Kombëtare Anti-Doping mund të ndërmerren masat si në vijim:
1. Skualifikimi i rezultateve sportive;
2. Pezullim i përkohshëm;
3. Ndalimi i pjesëmarrjes në gara;
4. Pasojat financiare; dhe
5. Zbulimi publik
Individët dhe ekipet në sportet ekipore përveç që mund t’u nënshtrohen pasojave të përcaktuara në Kodin dhe Rregullat Kombëtare Anti-Doping, ata mund të u nënshtrohen edhe masave të tjera të cilat janë:
1. Ndalimi i kryerjes së veprimtarive në fushën e sportit;
2. Gjobat financiare: nga pesëqind (500) deri në njëmijë e pesëqind (1500) euro për personat fizikë dhe nga dhjetëmijë (10.000) deri në tridhjetëmijë (30,000) euro për personat juridik; si dhe
3. Masat e tjera të përcaktuara në rregullat sportive të federatave sportive përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.
Palët e pakënaqura me vendimet e Komisionit Diciplinor, kanë të drejtë ankese në Këshillin e Arbitrazhës Sportive (KAS).
Duke pas parasysh nevojën qe kanë sportistët kosovarë për tu informuar rreth rregullave anti-doping, vlerësojmë se Agjencioni do të ketë një rol tejet pozitiv në këtë aspekt. Sportistët dhe klubet do të kenë mundësi që përmes publikimeve të materialeve informuese, trajnimeve dhe paraqitjeve mediale të Agjencisë të njoftohen me rregullat ekzistuese dhe ato të përditësuara duke i mundësuar kështu që të jenë gjithnjë të përgatitur për garat vendore dhe ato ndërkombëtare duke eliminuar praktikat të cilat mund t’i diskualifikojnë.