Date: 17-Oct-2025

LICENCIMI NË TREGUN E KRIPTO-ASETEVE NË KOSOVË: PËR ÇFARË DUHET TË PËRGATITEN BIZNESET DERI NË DHJETOR

17 Tetor, 2025

Më 22 nëntor 2024, Kosova ndërmori një hap të rëndësishëm drejt rregullimit të tregut të kripto-aseteve, duke miratuar Ligjin Nr. 08/L-295 për Kripto-Asetet. Ky ligj vendos bazat e para ligjore për një sektor që deri më tani ka funksionuar pa një kornizë të qartë ligjore dhe që shpesh ka operuar në hije të rregullimit financiar.

Në thelb, ligji përcakton se operatorët që merren me emetimin, shpërndarjen, tregtimin apo ruajtjen e kripto-aseteve duhet të licencohen dhe të jenë nën mbikëqyrjen e autoriteteve përgjegjëse si Banka Qendrore të Kosovës (BQK), Administrata Tatimore e Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare. Kjo nënkupton se asnjë person fizik apo juridik nuk mund të operojë në këtë fushë pa qenë i mbikëqyrur nga këto autoritete.

Kësisoj, BQK duke vepruar nën autorizimet që dalin nga Ligji Nr. 08/L-295 për Kripto-Asetet ka miratuar Rregulloren për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve që Ofrojnë Shërbimin e Këmbimit të Kripto-Aseteve të datës 29 gusht 2025. Kjo rregullore ka përcaktuar kushtet, kërkesat, procedurat dhe afatet kohore që duhen zbatuar për licencimin e operatorëve të shërbimeve të kripto-aseteve që ushtrojnë veprimtarinë si në vijim:

  1. këmbimit të kripto-aseteve për para – fiat (përfshirë kripto ATM apo bankomatëve të kripto valutave;) dhe anasjellas, me bazë fizike (zyrë)
  2. këmbimit të kripto-aseteve për kripto-asete të tjera;

Asnjë person nuk mund të ofrojë shërbime të kripto-aseteve, përveç nëse ai person është person juridik i licencuar nga BQK si Operator i Shërbimeve të Kripto-Aseteve. Ndërsa operatorët e licencuar, lejohen të këmbejnë vetëm kripto-asete, të cilat lejohen të tregtohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Aplikimi për licencim

Aplikimi për licencë nuk është thjesht një dosje formale, ligji ka paraparë disa kritere të përgjithshme për licencim, mirëpo BQK përmes rregullores ka përcaktuar kriteret tjera specifike që duhet t’i plotësojë çdo biznes që dëshiron të operojë në tregun e kripto-aseteve, si dhe procedurën e plotë për aplikim dhe licencim.

Sipas kësaj Rregulloreje, aplikimi për licencim duhet të përmbajë një sërë dokumentesh dhe informacionesh të cilat konsiderohen të domosdoshme nga BQK. Ndër dokumentet kryesore të cilat kërkohen janë: certifikata e regjistrimit të biznesit, statuti, programi i operimit që përshkruan shërbimet me kripto-asete që do të ofrohen, përshkrimi i strukturës qeverisëse si dhe të dhënat për aksionarët dhe menaxhmentin kryesor.

Operatorët duhet gjithashtu të dorëzojnë planin e kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të rreziqeve, përfshirë masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe dëshminë mbi kapitalin e paguar dhe pagesën e tarifës së licencimit.

Përtej dokumentacionit: Tre elemente tjera nga të cilat varet licencimi

Rregullorja e re nuk kufizohet vetëm në dokumentacionin që duhet dorëzuar për licencim, por trajton edhe tri fusha kyçe që përcaktojnë nëse një operator do të marrë apo jo licencën nga BQK: kapitalin minimal, qeverisja korporative e organizimi i brendshëm dhe reputacioni i aksionarëve.

1. BQK ka caktuar kapitalin minimal prej 125,000 Eurove.

Sipas rregullores, çdo operator që aplikon për licencë duhet të ketë një kapital minimal prej 125,000 euro, si dhe një fond shtesë prej së paku 20% të këtij kapitali, i destinuar për mbulimin e shpenzimeve fillestare të themelimit, funksionimit dhe administrimit.

Ky kapital duhet të paguhet në para të gatshme, të jetë i dokumentuar ligjërisht dhe të shërbejë si garanci për stabilitetin financiar të operatorit. Për më tepër burimet e fondeve të kapitalit duhet të nuk duhet të rrjedhin nga borxhet apo kreditë.

2. Qeverisja korporative dhe organizimi i brendshëm

Sipas rregullores, për t’u pajisur me licencë, operatori duhet të demonstrojë se ka një qeverisje të qëndrueshme dhe strukturë organizative të qartë, me linja përgjegjësie të përcaktuara mirë dhe transparente. Kjo përfshin procese të mirëpërcaktuara për identifikimin, menaxhimin, monitorimin dhe raportimin e rreziqeve, si dhe mekanizma të fortë të kontrollit të brendshëm që garantojnë funksionim të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Në këtë kuadër, operatori duhet të ketë një bord drejtues me së paku tre anëtarë, ku shumica janë joekzekutivë dhe të pavarur. Anëtarët e bordit duhet të përmbushin kërkesat e BQK-së, duke përfshirë arsim universitar në fushën e ekonomisë, jurisprudencës apo një fushë tjetër relevante, si dhe të paktën tre vite përvojë pune në sektorin bankar, financiar apo fusha të ngjashme, e kritere tjera të specifikuara në rregullore.

Përveç bordit, operatori duhet të ketë së paku një komitet të brendshëm për auditim ose menaxhim të rrezikut. Qëllimi i tyre është të asistojnë bordin drejtues të operatorit, gjatë kryerjes së punëve të tij.

Në veçanti, Komiteti i Auditimit duhet të përfshijë të paktën një ekspert të jashtëm në kontabilitet ose auditim, për të siguruar transparencë, paanshmëri dhe standarde të larta profesionale në raportim dhe kontroll të brendshëm.

3. Reputacioni i aksionarëve

Rregullorja vendos theks të veçantë mbi besueshmërinë e aksionarëve kryesorë, e të cilët janë ata që zotërojnë mbi 10% të aksioneve. Këta persona duhet të kenë reputacion të mirë, të mos jenë të dënuar për vepra që lidhen me pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit dhe të mos kenë qenë përgjegjës për falimentimin e ndonjë subjekti ekonomik.

Nëse ndikimi i aksionarëve kryesor rrezikon stabilitetin e operatorit, BQK mund të ndërmarrë masa të përshtatshme për të trajtuar këto rreziqe. Njëra nga masat që mund të ndërmarrë BQK në këtë drejtim është pezullimi i ushtrimit të drejtave të votimit që lidhen me aksionet e mbajtura nga aksionarët.

Këto kërkesa e bëjnë të qartë se licencimi në fushën e kripto-aseteve nuk është formalitet, por një proces që garanton siguri financiare, qeverisje të përgjegjshme dhe transparencë të plotë në një treg të ri dhe dinamik.

Pse duhet të veproni tani?

Rregullorja e re hyn në fuqi 90 ditë pas miratimit, që do të thotë se zbatimi i saj fillon në fund të nëntorit 2025. Pas kësaj, operatorët që tashmë janë aktivë, apo ata të cilët dëshirojnë të hyjnë në tregun e kripto-aseteve, kanë edhe 90 ditë afat shtesë për të dorëzuar aplikimet për licencim pranë BQK-së.

Nëse tashmë operoni në tregun e kriptos apo planifikoni të hyni në të, Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” është partneri juaj në këtë proces. Ne ju ndihmojmë me përgatitjen apo auditimin e dosjes së licencimit, rishikimin dhe ndërtimin e strukturës së qeverisjes dhe politikave të AML-së, duke siguruar që çdo hap i procesit të zhvillohet me saktësi, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me rregulloren.

Shkruan: Diart Gashi