Date: 21-Sep-2022

KOSOVA BËHET ME LIGJ PËR TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE PRIVATE

Më datë 21 Shtator 2022 hyri në fuqi Ligji NR.08/L-028 për të Drejtën Ndërkombëtare Private në Republikën e Kosovës. Ky ligj ka rëndësi tejet të madhe për sistemin juridik në vendin tonë duke marr parasysh çështjet që i rregullon. Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, në Kosovë ka qenë i aplikueshëm Ligji i ish – RSFJ për Zgjidhjen e Konfliktit të Ligjeve me Rregullat e Vendeve tjera i vitit 1985. Duke marr parasysh aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka qenë e domosdoshme nxjerrja e një ligji i cili do të përafrohej me legjislacionin e BE-së e në veçanti me Marrëveshjet e Romës I, II, dhe III por edhe me Protokollin e Hagës.

Ligji përmban rregulla për caktimin e të drejtës kompetente te marrëdhëniet juridiko – private me element ndërkombëtar, rregulla për kompetencën e gjykatave dhe organeve tjera për shqyrtimin e atyre marrëdhënieve si dhe rregulla për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja gjyqësore dhe vendimeve të organeve të tjera të shteteve të huaja. Pra, me këtë ligj sqarohet se ligjet e cilit shtet do të zbatohen nëse ka element të huaj, pastaj gjykatat e cilit shtet do ta shqyrtojnë rastin si dhe procedurat për njohjen e vendimeve të huaja dhe ekzekutimin e tyre në Kosovë.

Edhe pse ligj i vonuar, hyrja e tij në fuqi përbën një moment të rëndësishëm për këtë fushë të së drejtës në Kosovë, e cila për fat të keq nuk ka qenë mjaftueshëm e zhvilluar në praktikë. Vet fakti se Kosova nuk e ka nxjerr një ligj të saj por ka zbatuar një ligj të ish RSFJ-së e dëshmon këtë fakt. Duke marr parasysh numrin e madh të bashkatdhetarëve tonë që jetojnë në diasporë, ky ligj do të rregullon çështje që kanë interes të veçantë për ta dhe jo vetëm, e që ka të bëj me martesën, pasurinë  e përbashkët, marrëdhëniet civile prindër – fëmijë, adoptimin, trashëgiminë etj.

Ligji rregullon edhe çështje me interes për bizneset të cilat kanë marrëdhënie tregtare ndërkombëtare, si psh përcakton ligjin e aplikueshëm për kontratat për shitjen e mallrave, dhënies së shërbimeve, kontratën e franshizës apo të distribuimit etj. Po ashtu, ligji përcakton edhe rastet e kompetencës së Gjykatës për vendosje rreth çështjeve nga e drejta e pronësisë intelektuale, e drejta e konsumatorit etj.

Shpresojmë që hyrja në fuqi e këtij ligji do të shërben edhe për diskutimin e të drejtës ndërkombëtare private si në nivelet akademike ashtu edhe nga akterët e zbatimit të ligjit në mënyrë që rastet që do të paraqiten në vijim të marrin trajtim profesional dhe kjo fushë e së drejtës të avancohet edhe më tej.