KA HYRË NË FUQI LIGJI I RI PËR FALIMENTIM
Më 21 gusht 2024, hyri në fuqi Ligji Nr. 08/L-256 për Falimentimin, duke zëvendësuar Ligjin Nr. 05/L-083. Ky ligj, në thelb, ruan shumicën e dispozitave të mëparshme, por sjell disa ndryshime të rëndësishme, ku disa prej tyre përfshijnë:
- Zbatimi vetëm për shoqëritë tregtare: Ligji i mëparshëm kishte paqartësi në lidhje me aplikueshmërinë e tij ndaj individëve. Ligji i ri përjashton këtë pasiguri, duke specifikuar qartë se zbatohet ekskluzivisht për shoqëritë tregtare. Në rastet kur është përmendur termi “individ,” ai tashmë është zëvendësuar me termin “biznes individual debitor,” duke e bërë ligjin më koherent dhe të qartë në fushën e tij të zbatimit.
- Kompetenca. Me krijimin e Gjykatës Komerciale, ligji i ri përcakton se çështjet e falimentimit janë në kompetencë të kësaj gjykate. Dhomat e Shkallës së Parë trajtojnë çështjet e falimentimit në instancën e parë, ndërsa Dhomat e Shkallës së Dytë shqyrtojnë ankesat. Ankesa nuk pezullon automatikisht vendimet e gjykatës së shkallës së parë, përveç në rastet kur gjykata e shkallës së dytë vendos ndryshe. Afati për vendimmarrje mbi ankesën është 7 ditë, dhe, njësoj si me ligjin e vjetër, nuk lejohen mjete të jashtëzakonshme në proceset e falimentimit.
- Inicimi i pavullnetshëm i procedurës nga një kreditor i vetëm: Ligji i mëparshëm kërkonte që të paktën dy kreditorë të bashkëpunonin për të iniciuar procedurën e falimentimit. Tani, një kreditor i vetëm mund të nisë procedurën, me kusht që detyrimi i papërmbushur të jetë së paku 30,000 euro. Ndërsa për rastet e inicimit nga dy ose më shumë kreditorë, shuma e borxhit të papërmbushur mbetet së paku 5,000 euro, duke diferencuar qartë këto dy forma të inicimit.
- Procedura përmbarimore si kusht paraprak: Një risi e rëndësishme është që para inicimit të procedurës së falimentimit nga kreditori, duhet të ketë dështuar një përpjekje paraprake për përmbarim të kërkesës së tij. Ky kusht parashihet në të dy rastet e inicimit të pavullnetshëm, edhe kur është një kreditor, edhe kur janë më tepër të tillë.
- Mungesa e pasurisë: Një element kyç që trajtohet për herë të parë me ligjin e ri është rregullimi i situatave ku pasuria e debitorit të falimentimit nuk mjafton për të mbuluar borxhet e tij. Neni 22 i ligjit të ri iu jep kreditorëve mundësinë që të kontestojnë këtë mungesë të pasurisë, nëse ata konsiderojnë se debitori ka fshehur pasuritë apo ka bërë transferime me qëllim mashtrimi. Gjykata është e detyruar të njoftojë Prokurorin e Shtetit për këto pretendime dhe të pezullojë procedurën për gjashtë muaj, derisa të kryhet hetimi penal për veprat penale nga Kapitulli XXV i Kodit Penal.
- Evidentimi në regjistrat adekuat: Ligji i ri parashikon që të gjitha organet relevante, si Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Regjistri i Pengut, bankat komerciale, Oda e Përmbaruesve dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë të detyruara të evidentojnë inicimin e procedurës së falimentimit ndaj debitorit, po sa për një gjë të tillë të njoftohen nga gjykata.
- Kundërshtimi i listës përfundimtare: Dispozitat e reja rregullojnë më qartë mënyrën dhe afatet për paraqitjen e kundërshtimeve nga kreditorët ndaj listës përfundimtare të kreditorëve, të përpiluar nga administratori i falimentimit. Gjykata ka një afat prej 15 ditësh për të vendosur lidhur me këto kundërshtime.
- Shitja e aseteve në procedurë të likuidimit: Ligji i ri harmonizon pothuajse krejtësisht procedurat e shitjes së aseteve në likuidim me ato të procedurës së përmbarimit. Shitja bëhet përmes ankandeve të organizuara nga administratori i falimentimit. Debitori ka të drejtën të ankohet në gjykatë për çdo shitje brenda 15 ditëve, ndërsa çmimi caktohet bazuar në vlerësimet profesionale të ekspertëve.
- Rifillimi i procedurës së falimentimit: Një shtesë e rëndësishme e ligjit të ri është edhe mundësia për rifillimin e procedurës së falimentimit brenda një viti pas përfundimit të saj, në rast se zbulohen pasuri të reja të debitorit. Procedura rifillon edhe pse debitori është fshirë nga regjistri i bizneseve. Rifillimi mund të zhvillohet vetëm si proces i likuidimit, ku do të bëhet shitja e pasurisë së zbuluar e debitorit dhe shpërndarja proporcionale nëpër rangjet e kreditorëve.
- Oda e Administratorëve të Falimentimit dhe rekrutimi i administratorëve: Ligji i ri krijon Odën e Administratorëve të Falimentimit, ku çdo administrator duhet të jetë anëtar i saj. Po ashtu, me ligjin e ri janë përcaktuar edhe metodat e rekrutimit e licencimit të administratorëve të falimentimit, të cilat udhëhiqen dhe mbikëqyren nga Ministria e Drejtësisë.
Siç shihet pra, ligji i ri sjell përmirësime të ndjeshme që ofrojnë një qasje më të sofistikuar dhe të strukturuar në menaxhimin e falimentimit. Ky ligj forcon mbrojtjen për kreditorët dhe lehtëson procesin e realizimit të borxheve. Ndryshimet synojnë rritjen e transparencës dhe efikasitetit në procedurat e falimentimit, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm për bizneset në Kosovë.