Date: 17-Dec-2024

Franshiza: Një mundësi e dyfishtë për bizneset

17.12.2024

Në një treg që kërkon gjithnjë më shumë inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, franshiza është një model biznesi që ofron potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe ndërkombëtarizim të bizneseve. Përmes këtij modeli, sipërmarrësit mund të përfitojnë nga eksperienca dhe suksesi i markave ekzistuese, ndërsa kompanitë vendore mund të përdorin franshizën si një mënyrë për të zgjeruar aktivitetin e tyre në tregje të reja.

Kosova, edhe pse nuk ka një ligj të veçantë për franshizën, mund të mbështetet në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, i cili lejon që palët të përcaktojnë kushtet e bashkëpunimit përmes kontratës. Gjithashtu, në bazë të nenit 75 të Ligjit për të Drejtën Ndërkombëtare Private, për kontrata ndërkombëtare, e drejta kompetente është ajo që zgjedhin palët kontraktuese. Në mungesë të një zgjedhjeje të tillë, në rastin e kontratës së franshizës, aplikohet e drejta e vendqëndrimit të zakonshëm të pranuesit të franshizës (franshizantit).

Çfarë është franshiza dhe pse ka rëndësi?

Franshiza është një marrëveshje bashkëpunimi tregtar ndërmjet dy palëve:

  1. Franshizuesi – biznesi që ka krijuar një markë, know-how dhe sistem të suksesshëm operativ.
  2. Franshizanti – biznesi që merr të drejtën për të përdorur markën dhe sistemin e franshizuesit në këmbim të një tarife dhe respektimit të kushteve të caktuara.

Ky model mundëson përfitime për të dy palët:

  • Franshizuesi zgjerohet pa investime të mëdha të drejtpërdrejta.
  • Franshizanti fillon një biznes me rrezik të ulët, duke përfituar nga përvoja dhe reputacioni i një marke ekzistuese.

Zbatimi i franshizës në Kosovë

Në mungesë të një ligji të posaçëm, kontratat e franshizës në Kosovë bazohen në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Të gjitha elementet e rëndësishme të marrëveshjes duhet të përcaktohen qartë në kontratë, duke përfshirë:

  • Të drejtat dhe detyrimet e franshizuesit dhe franshizantit,
  • Tarifat hyrëse dhe periodike,
  • Standardet e cilësisë dhe përdorimi i markës,
  • Mbështetja dhe trajnimi që ofrohet nga franshizuesi,
  • Kufizimet territoriale dhe kohore,
  • Konfidencialiteti i know-how-t dhe informacionit tregtar.

Në rast të marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me nenin 75 të Ligjit për të Drejtën Ndërkombëtare Private, palët mund ta zgjedhin të drejtën e zbatueshme të një shteti tjetër ku parashihet si kontratë speciale, si psh. Franca. Në mungesë të një zgjedhjeje të të drejtës kompetente, aplikohet e drejta e vendqëndrimit të zakonshëm të pranuesit të franshizës (franshizantit).

Mundësia e dyfishtë: Marrja dhe dhënia e franshizave

1. Marrja e franshizës nga bizneset kosovare

Për sipërmarrësit në Kosovë, marrja e një franshize ndërkombëtare ofron:

  • Ulje të rrezikut për shkak të një modeli të provuar biznesi,
  • Qasje në trajnime dhe mbështetje të vazhdueshme,
  • Përfitim nga reputacioni dhe promovimi i markës globale,
  • Mundësi për të sjellë standarde të reja në tregun lokal.

2. Dhënia e franshizave nga bizneset kosovare

Nga ana tjetër, bizneset vendore që kanë krijuar një model të suksesshëm mund të konsiderojnë dhënien e franshizave, duke zgjeruar aktivitetin e tyre brenda dhe jashtë vendit. Për ta realizuar këtë, bizneset duhet të plotësojnë disa kushte:

  • Standardizimi i procesit të biznesit
    Krijimi i manualeve të detajuara që përshkruajnë të gjitha proceset teknike, operacionale dhe menaxheriale për franshizantin.
  • Mbrojtja ligjore e markës
    Sigurimi i regjistrimit të markës tregtare në të gjitha juridiksionet ku franshiza do të shtrihet.
  • Transferimi i know-how
    Dokumentimi dhe mbështetja për trajnimin e franshizantëve mbi procedurat teknike dhe komerciale të biznesit.
  • Modeli financiar i qëndrueshëm
    Hartimi i një modeli të qartë për tarifat hyrëse, tarifat e vazhdueshme dhe mbështetjen financiare për franshizantin.
  • Zhvillimi i një sistemi mbikëqyrjeje
    Krijimi i një mekanizmi për kontrollin e cilësisë dhe mbështetjen e vazhdueshme për franshizantët për të siguruar një cilësi të njëtrajtshme të shërbimeve apo produkteve.
  • Mbështetje teknologjike
    Ofrimi i platformave IT dhe teknologjike që ndihmojnë franshizantin në operimin dhe menaxhimin e biznesit në mënyrë efikase.

Përfundim

Franshiza ofron një mundësi të dyfishtë për bizneset në Kosovë: të përfitojnë nga modelet e suksesshme ndërkombëtare dhe të pozicionohen si franshizues për tregjet rajonale dhe globale. Përmes një kontrate të qartë dhe elementeve teknike të mirëpërcaktuara, të mbështetura në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe dispozitat për zgjedhjen e të drejtës kompetente, bizneset mund të krijojnë marrëdhënie të sigurta dhe të frytshme.

Nëse bizneset kosovare shfrytëzojnë këtë model në mënyrë strategjike, franshiza mund të bëhet ura drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe ndërkombëtarizimit të ekonomisë së vendit.

Kontrata e franshizës konsiderohet prej kontratave më të komplikuara dhe kërkon këshillim të mirë ligjor, prandaj, kurdo që të vendosni të bëheni franshizues apo franzhizant, konsultohuni me profesionistet.