Date: 26-May-2025

ROLI STRATEGJIK I EKSPERTËVE TË JASHTËM JURIDIK NË LUFTIMIN E KRIZAVE KORPORATIVE

26 Maj 2025

Çdo korporatë, pavarësisht madhësisë dhe industrisë, përballet me rreziqe të veprimeve të pandërgjegjshme që mund të ndodhin brenda apo jashtë mureve të saj.

Veprimet jo të duhura të punonjësve, vendimet e gabuara menaxheriale ose mosndërmarrja e veprimeve të duhura mund të shkaktojnë pasoja të rënda financiare dhe reputacionale për kompaninë.

Ndonëse shumë korporata kanë mekanizma për të menaxhuar këto rreziqe, shpesh janë të kufizuara nga ndikime të brendshme që mund të mbulojnë problemet reale, ngase ato mund të jenë subjektive dhe mund të ndikohen nga kultura organizative, marrëdhëniet personale ose interesat e individëve.

Shumë korporata kanë dhe auditim të jashtëm, mirëpo, auditimi tradicional i jashtëm është kryesisht financiar dhe fokusohet në pasqyrimin e performancës financiare të kompanisë dhe sigurinë e të dhënave financiare.

Në raste të keqpërdorimit të detyrës apo besimit, inkompetencës që ka për pasojë vendime të gabuara si rezultat i veprimeve apo mos veprimeve të caktuara brenda një korporate, një vlerësim i pavarur për të kryer një analizë të brendshme të një rasti konkret, është një zgjedhje strategjike që ndihmon në ruajtjen e reputacionit të kompanisë dhe menaxhimin e riskut.

Megjithëse në raste të tilla është totalisht e pranushme që çështja t’i dorëzohet autoriteteve shtetërore për hetim e shqyrtim të mëtejshëm të rastit, megjithatë, për shkak se hetimet nga autoritetet shtetërore, shoqërohen me një nivel të lartë të transparencës, mund të shkaktojë një situatë që mund të dëmtojë imazhin e korporatës dhe të krijojë pasoja afatgjata në marrëdhëniet me aksionarët, konsumatorët dhe punonjësit.

Ekspertët e jashtëm juridik, të pavarur, mund të ofrojnë një këndvështrim objektiv dhe të sigurojnë që çdo vendim i dyshimtë të shqyrtohet pa ndikime të brendshme, duke ruajtur konfidencialitetin në tërësi, që ka për rezultat qe çështja të zgjidhjet brenda një kornize të menaxhueshme.

Qëllimi i këtij angazhimi është të verifikohen vendimet e menaxhimit dhe veprimet e punonjësve për të identifikuar gabime ose mangësi që mund të çojnë në humbje financiare.

E kjo ngase, edhe kostoja e angazhimit të një firme të pavarur avokatie për vlerësime të menaxhimit të rrezikut është shumë më e ulët se pasojat financiare dhe reputacionale që mund të shkaktohen nga mos angazhimi i një analize të tillë, pasi një krizë e padashur mund të dëmtojë në mënyrë të përhershme besimin e konsumatorëve, aksionarëve dhe palëve të tjera të interesuara, duke sjellë humbje të mëdha që janë shumë më të vështira dhe të kushtueshme për t’u rikuperuar.

Angazhimi i një grupi ekspertash juridik të jashtëm, mund të sjellë përfitime si:

  • Vlerësimi i paanshëm dhe objektiv;
  • Identifikimi i gabimeve dhe mangësive;
  • Parandalimi i pasojave ligjore dhe financiare;
  • Mbrojtja e reputacionit dhe imazhit të kompanisë;
  • Rekomandimi për zgjidhjen e parregullësive;

Shumë nga korporatat më të njohura dhe të mëdha botërore, duke përfshirë Volkswagen, Uber, General Motors, Wells Fargo, Meta (Facebook), Enron etj, kanë angazhuar ekspertë të pavarur juridik, për të kryer vlerësime dhe analiza të tilla, për të mbrojtur reputacionin dhe stabilitetin e tyre financiar.

Në vijim, do të paraqesim në pika të shkurta dy raste, të cilat janë bërë publike, me vullnetin e palëve përkatëse, pasi procesi i vlerësimit dhe analizës nga ekspertet e jashtëm, është krejtësisht konfidencial dhe trajtohet me shumë kujdes për të ruajtur privatësinë dhe integritetin e kompanive të përfshira.

Rasti Uber – Hetimi për Kulturën e Brendshme të Punës

Uber u përball me akuza serioze për një kulturë toksike pune, përfshirë raste të ngacmimeve seksuale, diskriminimit gjinor dhe hakmarrjes ndaj punonjësve që raportonin shqetësime.

Rasti u bë publik kur ish-punonjësja Susan Fowler publikoi një blog që përshkruante përvojën e saj brenda kompanisë.

Çfarë ndërmori kompania?

  • Kompania vendosi të angazhojë njëfirmë të jashtme ligjore – Covington & BurlingLLP, për të zhvilluar një hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës mbi kulturën organizative të Uber.
  • Hetimi përfshiu intervistimin e mbi 200 punonjësve dhe analizimin e politikave të brendshme të HR dhe mënyrës së menaxhimit të ankesave.

Rezultati:

Raporti përfundimtar përmbante 47 rekomandime konkrete, duke përfshirë:

  • krijimin e një strukture të re të udhëheqjes;
  • riorganizimin e bordeve të mbikëqyrjes;
  • forcimin e politikave anti-diskriminim;
  • shkëputjen nga disa figura kyçe të menaxhimit (përfshirë CEO-n, Travis Kalanick, i cili dha dorëheqjen pak javë më pas) etj.

Roli i firmës ligjore ishte vendimtar për ringritjen e imazhit të kompanisë, për qetësimin e investitorëve dhe për garantimin se kompania po merrte masa të vërteta për ndryshim të brendshëm.

Uber, falë këtij procesi, rifitoi besimin e tregut, dhe rifilloi ndërtimin e një kulture më të shëndetshme pune.

Rasti Wells Fargo – Skandali i Llogarive bankare
Wells Fargo, një nga bankat më të mëdha në SHBA, u përball me një skandal kur doli në dritë se punonjësit e saj kishin hapur miliona llogari bankare dhe karta krediti në emër të klientëve pa dijeninë apo pëlqimin e tyre, për të përmbushur objektiva agresivë të shitjes.

Çfarë ndërmori kompania?

  • Kompania përballej me hetime nga autoritetet shtetërore dhe federale, por paralelisht angazhoi një ekip të pavarur ekspertësh ligjor dhe auditi, të udhëhequr nga firma ligjoreShearman & Sterling dhe konsulentë të specializuar.
  • U krye një analizë e plotë e kulturës organizative, politikave të bonusimit dhe presionit të brendshëm mbi punonjësit.
  • U ndërmorën masa të menjëhershme, përfshirë largimin e punonjësve të lartë ekzekutiv.

Rezultati:

  • Hetimi i pavarur evidentoi probleme të thella kulturore dhe mungesë të kontrollit efektiv të brendshëm.
  • Wells Fargo ndërmori reforma të thella strukturore, përfshirë ndërrimin e sistemit të shpërblimeve dhe forcimin e strukturave të riskut dhe etikës.
  • Me kalimin e kohës, edhe pse imazhi i kompanisë u dëmtua rëndë, angazhimi proaktiv i ekspertëve të jashtëm ndihmoi në stabilizimin e situatës dhe rifillimin e një procesi të gjatë rikuperimi të reputacionit.

Në përfundim, angazhimi i ekspertëve të jashtëm juridik nuk është vetëm një mjet për trajtimin e krizave, por një investim strategjik për ruajtjen e integritetit, stabilitetit financiar dhe besueshmërisë afatgjate të çdo korporate.

Shkruajn: Gent Nuza dhe Albin Xhemaili