Date: 05-Sep-2022

E DREJTA E AUTORIT DHE NFT

Autorët: Valmir Haziraj dhe Florin Lata

Me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë është bërë e  domosdoshme që korniza ligjore të plotësohet në vazhdimësi. Fatkeqësisht, plotësimi i legjislacionit asnjëherë nuk ka arritur të jetë aq i shpejtë dhe efikas dhe të ruan hapin me teknologjinë, duke lënë kështu hapësira që të keqpërdoren nga akterë të ndryshëm. Një situatë e tillë na paraqitet edhe tek NFT dhe e drejta e autorit.

NFT-ja, tashmë ka marrë primatin e krye temës në botën e tregtimit digjital. NFT (Non-fungible Token)[1] nënkupton një aset unik digjital të pa këmbyeshëm i cili na paraqitet si një imazh, figurë, pikturë, video. Kur dikush krijon dhe regjistron në platforma të caktuara një NFT, ai krijon një version unik digjital të asaj vepre (imazh, figurë, pikturë, video) dhe e njëjta nuk mund të ndryshohet apo fshihet nga Blockchain por do të vazhdojë të ekzistojë gjithmonë si e tillë. NFT-të mund të tregtohen dhe janë lehtë të gjurmushme dhe gjithnjë mund të dini se kush ka në pronësi një NFT dhe të dini të gjithë historinë e tregtimit të një NFT-je.

NFT është një aset digjital qe na paraqet një objekt nga jeta reale si imazh, figurë, pikturë, video, megjithatë kjo nuk do të thotë se NFT dhe veprat e artit janë ekuivalente pasi që NFT-të paraqesin një aset digjital i cili ka një certifikate pronësie (që tregon se pronë “digjitale” e kujt është ajo NFT) dhe vërtetësie (autenciteti, që vërteton se ai aset është unik dhe nuk ka dhe nuk mund të ketë të dytë të njëjtë) mbi në atë vepër digjitale.

Gjithsesi ja vlen të theksohet se nëse keni në pronësi një NFT, jo domosdo nënkupton se keni në pronësi edhe veprën e artit nga jeta reale. Kujdesi më i madh duhet ti kushtohet këtij fakti pasi që mosmarrëveshjet më të mëdha mund të dalin nëse keqkuptohen premisat e tilla.

Nga shënimet publike në internet rrjedh se vetëm në muajin Janar të vitit 2022, vlera e tregut botëror të NFT-ve ishte 16,94 miliardë dollarë ndërsa me 17 prill 2022 ajo arriti në 54.58 miliardë dollarë e që paraqet një rritje prej 222.2 % për vetëm 4 muaj. Padyshim që më rritjet e tilla dalin në pah edhe problemet tjera nga fusha të ndryshme. Duke marrë parasysh karakteristikat e sipër cekura të NFT-ve, dhe mungesën e rregullimit ligjor të një fushe të tillë, vetëm se kanë filluar që para Gjykatave të vendeve të ndryshme të paraqiten raste në lidhje me: shkelje të drejtave të autorit përmes NFT-ve, shkelje të markës tregtare përmes NFT-ve, probleme në lidhje me tatimin e NFT-ve, raste të vjedhjes së NFT-ve etj.

Në këtë shkrim do të trajtojmë aspektin e të drejtës së autorit në raport me NFT duke elaboruar edhe vendimin e parë gjyqësor të nxjerrë në Kinë lidhur me NFT.

Ky rast ka filluar sipas  padisë për shkelje të drejtave të autorit të parashtruar nga Shenzhen Qice Diechu Cultural Creativity Co., Ltd si palë paditëse e cila është pronare e një serie të ilustrimeve të quajtura “Fat Tiger”, kundër Hangzhou Yuanyuzhou Technology Co., Ltd.  si palë e paditur që operon një treg të NFT-ve, të quajtur “Bigverse”.

Paditësi, pasi që ka kuptuar se në platformën “Bigverse” me të cilën operon i padituri, është plasuar dhe shitur një vepër arti digjitale e paraqitur si një NFT e cila ishte identike me veprën e artit për të cilën paditësi gëzon mbrojtje, ka paraqitur padi për shkelje të drejtës së autorit.

Gjykata, ka trajtuar çështjen e përgjegjësisë së një platforme të tregut digjital si “Bigverse” dhe detyrimet e saj në lidhje me veprat e artit digjital përkatësisht NFT-ve brenda platformës së saj. Paditësi ka argumentuar se Bigverse duke qene një treg i specializuar për NFT, ka obligime specifike në lidhje me veprimtarinë që zhvillohet brenda platformës së saj dhe është i obliguar që të mbron të drejtat e pronësisë intelektuale në platformën e tij duke bërë hulumtime apo verifikime paraprake në lidhje me verifikimin e pronësisë dhe pronarëve të veprave të cilat plasohen në platformën e tij.

Paditësi ka ngritur pretendimin se i padituri jo vetëm që ka dështuar të bëjë kontrollimin apo verifikimin paraprak të veprës së plasuar në platformën e tij por edhe ka përfituar nga përqindjet e transaksioneve dhe ka kërkuar nga i padituri të ndalojë shkeljen e të drejtave të tij dhe në emër të dëmit ti paguaj shumën prej afërsisht 15,100.00 dollarëve.

Gjykata e Hangzhout për Çështje nga Interneti në Kinë, në Prill të këtij viti vendosi në favor të paditësit duke konstatuar se i padituri ka kontribuar në shkeljen e të drejtës së autorit të paditësit.

Gjykata në këtë rast e bëri të qartë se një transaksion që përfshin një vepër digjitale NFT i nënshtrohet të drejtave të parapara për të drejtat e autorit ashtu që  ka urdhëruar të paditurin që të shkatërrojë veprën digjitale NFT dhe ti paguajë paditësit shumën prej 600.00 dollarëve në emër të humbjeve ekonomike dhe shpenzimevve të arsyeshme. Aktualisht, shkatërrimi i veprave të tilla bëhet duke i dërguar ato në adresa të pa qasshme.

Gjykata ka gjykuar se një platformë si Bigverse ku shiten NFT duhet të krijoj dhe implementoj një mekanizëm me të cilin do të kryente një kontroll paraprak për të drejtën e pronësisë të veprave digjitale që do të futen brenda asaj platforme madje edhe nëse nuk merr një lajmërim nga pronarët e veprave për shkelje të drejtave të tyre.

Nëse një vepër digjitale NFT, shkelë të drejtat e autorit dhe platforma nuk merr masat e duhura në lidhje me rastin atëherë platforma në të cilën plasohet vepra e tillë do të mund të mbahet përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të autorit.

Vendimi i Gjykatës të Hangzhou ka hedh dritë mbi mënyrën se si ligjet për të drejtat e autorit do të zbatohen në rastet e tilla. Mbetet tejet interesante të përcillet mënyra se si do të zhvillohet praktika gjyqësore në vende tjera të botës sa i përket NFT. Të gjithë pjesëmarrësit e tregjeve të NFT-ve duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre të mundshme për shkelje të drejtave të autorit, pasi një praktikë të tillë të Gjykatës në Kinë mund ta ndjekin edhe gjykatat tjera nëpër botë. Edhe artistët, veprat e të cilëve mund të paraqiten si NFT duhet të njoftohen me të drejtat e tyre ligjore në rrethanat e reja teknologjike, ashtu që të  ndërmarrin veprimet e duhura në mbrojtje të pronës së tyre intelektuale.


[1] Mulliqi, Lirak; Qerimi, Vlera dhe Jaha, Drilon, “Çka dreqin janë NFT?”, trampolitanet.com.