Date: 21-Oct-2022

Dizajni Industrial dhe Aplikimi në Teknologjinë Informative – Rasti Apple

Autor: Florin Lata

Mbrojtja e pronësisë intelektuale nga shumica e kompanive të mëdha botërore në fushën e teknologjisë vlerësohet si prioritet absolut. Investimet e mëdha në krijimtari inovative shpërblehen vetëm atëherë kur regjistrohen dhe mbrohen si patenta, marka tregtare apo dizajn industrial, duke e rritur vlerën e tregut të kompanisë. Duke pas parasysh specifikat e sektorit të IT-së, dizajni industrial shihet si mundësi e mirë për realizimin e një mbrojtje efikase.

Dizajni  industrial  definohet  si: “pamja e tërësisë ose të një pjese të një produkti që rezulton nga veçoritë, në veçanti linjave, ngjyrave, formës, teksturës dhe/ose materialeve të vetë produktit dhe/ose të zbukurimit të tij”.

Me dizajn industrial mbrohet karakteri estetik i një produkti e jo vet produkti. Dizajni duhet të jetë i ri, që nënkupton se nuk duhet të jetë identik me asnjë dizajn të vënë në dispozicion të publikut para datës së aplikimit. Nëse e publikoni dizajnin tuaj para se ta regjistroni, keni vetëm edhe 12 muaj kohë për regjistrim, në të kundërtën e humbni të drejtën për të regjistruar dizajnin pasi që nuk do të konsiderohet si i ri.

Dizajni duhet të ketë karakter individual që nënkupton se përshtypja e përgjithshme që krijon tek shfrytëzuesi i informuar  të ndryshon nga përshtypja e përgjithshme e krijuar tek një shfrytëzues i tillë që e ka lënë çfarëdo dizajni tjetër që është vënë në dispozicion të publikut para datës së dorëzimit të aplikacionit për regjistrim.

Nuk mund të gëzoj mbrojtje juridike dizajni që është i kushtëzuar vetëm me funksionin e vet teknik, pra patjetër duhet të ekziston elementi estetik. Po ashtu, me të drejtën e dizajnit nuk mund të mbrohen karakteristikat që janë të domosdoshme të riprodhohen në formën dhe dimensionet e njëjta, në mënyrë që produkti në të cilin është inkorporuar dizajni apo në të cilin zbatohet dizajni të jetë në mënyrë mekanike i lidhur me një produkt tjetër.

Regjistrimi i dizajnit ka validitet 5 vjeçar dhe mund të vazhdohet më së shumti deri në 25 vite dhe pastaj më nuk gëzon mbrojtje ligjore dhe mund të përdoren lirshëm. Sikurse edhe për markat tregtare dhe patentat, regjistrimi paraqet kusht për mbrojtjen ligjore. Regjistrimi i dizajnit në Kosovë bëhet në Agjencinë për Pronësi Industriale ndërsa për Bashkimin Evropian në Zyrën e Pronësisë Industriale të Bashkimit Evropian. Duke marr parasysh se ka pak njohuri të kompanive vendore rreth dizajnit industrial dhe mundësisë së shfrytëzimit të tij në mbrojtjen edhe në fushën softuerike, do të përdorim shembullin e kompanisë APPLE, e cila në Bashkimin Evropian ka të regjistruara gjithsej 5702 dizajne. Fillimisht duhet të sqarojmë se shumica e këtyre dizajnëve janë për produktet që i krijon kjo kompani por disa prej këtyre dizajnëve janë edhe në dizajnët e aplikacioneve, homepages, ikonave etj që kjo kompani i përdor e që janë shumë të njohura për përdoruesit e saj, prandaj ne po i paraqesim më poshtë vetëm disa prej tyre.

Dizajnët e regjistruara në vitin 2008 nga APPLE në EUIPO:

Dizajnet e regjistruara në vitin 2020 nga APPLE në EUIPO:

APPLE ka regjistruar si dizajn edhe ikonat si:

Duhet ta kemi të qartë se kompania Apple përveç 5702 dizajnëve, në Zyrën e Bashkimit Evropian për Pronësi Industriale ka të regjistruara edhe 716 marka tregtare ndërsa vetëm në vitin 2021 ka të regjistruara 2541 patenta në SHBA. Situatë të ngjashme kemi edhe tek gjigantët tjerë të teknologjisë. Nga kjo kuptohet se kompanitë e tilla krijojnë një mbrojtje gjithëpërfshirëse ku në strategjitë e tyre nuk anashkalojnë asnjë objekt të pronësisë industriale.

Edhe kompanitë kosovare nga fusha e IT duhet që të mos e anashkalojnë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, ashtu që të përpilojnë strategji profesionale nga kjo fushë dhe të mos e anashkalojnë asesi dizajnin industrial si një objekt i së drejtës shumë i rëndësishëm në rritjen e vlerës së produktit e rrjedhimisht edhe të kompanisë.