Date: 06-Jul-2021

BE ndryshon rregullat për TVSH në E-commerce edhe për bizneset e huaja

Nga 1 Korriku Bashkimi Evropian ka filluar me zbatimin e legjislacionit të ri lidhur me pagesën e TVSH për bizneset që përmes E-commerce shesin produkte apo shërbime te konsumatorët në BE.

Është e rëndësishme që të gjitha bizneset në Kosovë të cilat bëjnë shitje online në tregun e Bashkimit Evropian të jenë të informuar për ndryshimet në legjislacionin tatimor për shitjet E-commerce ashtu që të mund të zbatojnë obligimet ligjore me kohë dhe pa pasoja juridike.

Disa nga ndryshimet:

1 Bizneset të cilat përmes E-commerce shesin produkte apo shërbime në shtetet e BE-së nuk do të kenë nevojë të regjistohen për TVSH në secilin shtet ku shesin produkte por mund të regjistrohen vetëm në një shtet anëtar të BE-së.

2 Bizneset mund të regjistrohen përmes platformës elektronike One Stop Shop për të menaxhuar detyrimet e tyre të TVSH-së nga një vend i vetëm.

3 Pragu për regjistrim në TVSH tani do të jetë 10,000.00€ për të gjitha shtetet e BE-së. Deri tani pragu i TVSH-së ka qenë i ndryshëm në secilin shtet të BE dhe ka variuar nga 35,000.00€ deri në 100,000.00€ varësisht nga shteti.

4 TVSH do të zbatohet për të gjitha produktet që hyjnë nga jashtë BE-së përfshirë edhe ato produkte me vlerë më të vogël se 22 Euro.

5 Përmes regjistrimit të bizneseve në platformën IOSS (Import One Stop Shop) do të mundësohet që pagesa e TVSH-së të bëhet nga konsumatori në momentin e blerjes ashtu që konsumatori do të dijë çmimin përfundimtar me rastin e blerjes dhe nuk do të ketë pagesë shtesë për TVSH me rastin e pranimit të produktit.

* Këto ndryshime do të zbatohen edhe ndaj bizneseve dhe platformave të shitjes (marketplace) që nuk janë të vendosura në BE por që shesin produkte tek konsumatorët në Bashkimin Evropian.