Date: 19-Dec-2023

BASHKIMI EVROPIAN DREJT NXJERRJËS SË RREGULLATIVËS SË PARË LIGJORE MBI INTELIGJENCËN ARTIFICIALE

Inteligjenca Artificiale, si njëra nga zhvillimet më të rëndësishme dhe më të hovshme teknologjike të kohëve të fundit, është duke u rregulluar për herë të parë në aspektin ligjor nga Bashkimi Evropian.

Parlamenti dhe Këshilli Evropian kanë arritur një marrëveshje, përmes së cilës janë dakorduar për të hartuar një legjislacion të përgjithshëm në lidhje me Inteligjencën Artificiale, si dhe për të modifikuar dhe përshtatur rregullativën ekzistuese përkatëse.

Një rregullim i tillë ligjor do të përqendrohet te individët duke vënë një theks të veçantë në sigurinë që do të kenë njerëzit gjatë përdorimit të Inteligjencës Artificiale, me qëllimin që përdorimi të jetë i sigurt, në përputhje me ligjin, dhe në respektim të së drejtave themelore të njeriut.

Objektivat kryesore të kësaj rregullative do të jenë në:

  1. Sigurimin që sistemet e IA-së të vendosura dhe të përdorura në tregun evropian të jenë të sigurta dhe në respektim të lirive, të drejtave të njeriut dhe në vlerat e Unionit;
  2. Ofrimin e sigurisë ligjore për investime dhe inovacione në IA;
  3. Përmirësimin e qeverisjes dhe sigurimin e zbatimit efektiv të ligjit ekzistues për të drejtat themelore dhe kërkesat e sigurisë të zbatueshme për sistemet e IA;
  4. Lehtësimin e zhvillimit të një tregu të ligjshëm, sigurt dhe të besueshëm të IA-së, si dhe në parandalimin e ndarjes së tregut.

SISTEMET E IA-së DO TË KLASIFIKOHEN SIPAS PROFILIT TË TYRE TË RREZIKUT

Rreziku i papranueshëm – në këtë kategori do të mbesin Sistemet e IA-së të cilat konsiderohen si kërcënim për njerëzit, do të ndalohen. Sisteme të tilla të identifikuara janë:

  1. Manipulimi kognitiv i sjelljes së njerëzve apo grupeve me specifika të ndjeshme, si p.sh. lodrat e aktivizuara me zë që inkurajojnë sjellje të rrezikshme te fëmijët;
  2. Vlerësimi social që nënkupton klasifikimin e njerëzve në bazë të sjelljes, statusit socio-ekonomik ose karakteristikave të tjera personale;
  3. Identifikimi biometrik në kohë reale dhe në distancë (njohja e fytyrës);
  4. Manipulimi i sjelljeve njerëzore për të anashkaluar apo shtypur vullnetin e tyre të lirë.

Përjashtimisht këto sisteme do të mund të përdoren vetëm për qëllim të zbatimit të ligjit me autorizim paraprak gjyqësor, në raste specifike siç janë kërkimet e targetuara të viktimave, parandalimi i rasteve terroriste, lokalizimi i personave të dyshuar për terrorizëm, rastet e trafikimit, vrasjet, etj.

Rreziku i lartë – në këtë kategori do të mbesin Sistemet e IA-së që ndikojnë në sigurinë dhe në të drejtat themelore, të cilat do të kategorizohen dhe në dy nëngrupe tjera:

  1. Sistemet e IA-së që përdoren për produktet nën legjislacionin e BE-së, më saktë për sigurinë e këtyre produkteve (lodra, në aviacion, pajisje mjekësore, automjete, ashensorë, etj.);
  2. Sistemet e IA-së që do të duhet të regjistrohen në një bazë të të dhënave të Bashkimit Evropian: 
  • Identifikimi biometrik dhe kategorizimi i personave fizik;
  • Menaxhimi dhe funksionimi i infrastrukturës kritike;
  • Arsimimi dhe formësimi profesional;
  • Punësimi dhe menaxhimi i punëtorëve;
  • Qasja dhe përdorimi i shërbimeve esenciale private dhe shërbimeve    dhe përfitimeve publike;
  • Zbatimi i ligjit;
  • Migracioni, Azili dhe kontrolli kufitar;
  • Asistimi në interpretim dhe në zbatim të ligjit.

Sistemet e IA-së të evidentuara me rrezik të lartë do të vlerësohen para vendosjes së tyre në treg, dhe do të mbikëqyren vazhdimisht gjatë funksionimit dhe shfrytëzimit të tyre në treg.

Përdoruesit e këtyre sistemeve do të kenë mundësinë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtyre sistemeve dhe gëzojnë të drejtën për të pranuar vendime dhe shpjegime përkatëse me ankesat apo kërkesat e tyre.

Rreziku i kufizuar – në këtë kategori të Sistemeve të IA-së do të respektohen kërkesat minimale të transparencës, si dhe secilit përdorues do t’i lejohet marrja e vendimeve , pra përdoruesi do të ketë mundësinë e vendosjes nëse dëshiron apo jo të vazhdojë përdorimin!

Kryesisht në këtë kategori përfshihen Sistemet e IA-së që gjenerojnë ose manipulojnë me përmbajtje të imazhit, audios ose videove.

Me këtë rregullativë parashihen edhe obligime specifike apo më të rrepta për transparencë duke u bazuar në llojin e Sistemit të IA-së. Obligimet për transparencë, do të vlejnë për Sistemet e IA të cilat:

  1. Ndërveprojnë me njerëz;
  2. Përdoren për zbulimin e emocioneve apo përcaktimin e lidhjeve me kategori sociale në bazë të të dhënave biometrike;
  3. Gjenerojnë apo manipulojnë me përmbajtje (deep fakes).

Është evidente që me rregullimin e kësaj fushe nga Bashkimi Europian do të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar zbatim të duhur ligjor. Mosrespektimi i kësaj rregulloreje do të parasheh gjoba që mund të variojnë nga 35 milion Euro, 7% të fitimit vjetor global apo 1.5% të fitimit vjetor global, në vartësi të llojit të shkeljes, si dhe madhësisë së kompanisë.

Padyshim që kjo rregullativë do ta vendosë Bashkimin Evropian në një vend shumë më të përshtatshëm për sa i përket fushës së teknologjisë dhe inovacionit.

Deri më tani, hapa fillestarë për të rregulluar ligjërisht Inteligjencën Artificiale, janë ndërmarrë edhe nga Kina dhe ShBA-të, e që secila prej tyre ka qasje të ndryshme se si duhen rregulluar ligjërisht këto marrëdhënie.

CEO i gjigandit Google, Sundar Pichai, ka thënë se Inteligjenca Artificiale është “shumë e rëndësishme për të mos u rregulluar mirë”, që tregon rëndësinë që do të ketë rregullimi ligjor i duhur i kësaj fushe.

Andaj, duke parë zhvillimin e hovshëm të Inteligjencës Artificiale dhe ndikimin që ka dhe do të ketë në jetët e njerëzve dhe të bërit biznesit mbetet me rëndësi të jashtëzakonshme rregullimi të cilin do ta ketë kjo dukuri.

Shkruan: Valmir Haziraj