A PO HUMBIN BIZNESET KREDITIN E BARTUR TË TVSH-SË PËR SHKAK TË NJË INTERPRETIMI TË GABUAR NGA ATK-JA?
1 Janar, 2026
Prej vitesh, në praktikën tatimore në Kosovë, bartja mujore e tepricës së TVSH-së është trajtuar si kërkesë për kreditim. E njëjta qasje ndiqet edhe sot, megjithëse kjo praktikë është juridikisht e gabuar. Si pasojë, kjo pozitë tatimore është konsideruar se i nënshtrohet afatit procedural trevjeçar të paraparë në nenin 26 të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore.
Ky interpretim nuk është rezultat vetëm i ligjit aktual. I njëjti interpretim ka ekzistuar edhe më herët, nën ligjin e mëparshëm, kur afati procedural ishte gjashtëvjeçar, dhe është trashëguar në praktikë edhe pas ndryshimeve ligjore. Megjithatë, fakti që një qasje është zbatuar për një kohë të gjatë nuk e bën atë juridikisht të saktë, nëse nuk mbështetet në tekstin dhe logjikën e ligjit. Kësaj i ka ndihmuar edhe përpilimi i formularëve nga vet ATK ku në vend të termit TVSH e bartur e ka përdorur termin kreditim i TVSH.
Problemi buron nga një keqkuptim thelbësor i nocioneve ligjore të përdorura si në Ligjin për TVSH-në, ashtu edhe në ligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore. Në praktikë, termi “bartje e kreditit” është barazuar gabimisht me “kërkesë për kreditim”.
Për ta kuptuar saktë këtë problem, duhet të ndalemi te vetë neni 26 i Ligjit nr. 08/L-257. Çelësi i interpretimit gjendet në paragrafin e parë të këtij neni. Ligji përcakton se çdo shumë tatimi e paguar mbi shumën e detyrimit tatimor kreditohet kundrejt detyrimeve të tjera tatimore ose kontributeve.
Pra, bëhet fjalë për një pagesë apo gjendje krediti që tejkalon detyrimin konkret të tatimpaguesit. Kjo tepricë mund të zhvendoset, përmes një veprimi administrativ, drejt një tatimi apo kontributi tjetër – për shembull, nga teprica e TVSH-së në tatimin në fitim, ose anasjelltas.
Ky formulim tregon qartë se “kreditimi”, në kuptim procedural, lidhet me bartjen e një shume nga një lloj tatimi në një tjetër. Ky veprim nuk realizohet automatikisht. Ai kërkon ndërhyrje formale, qoftë përmes kërkesës së tatimpaguesit, qoftë përmes rregullimit nga administrata tatimore, për të cilin tatimpaguesi njoftohet me shkrim. Vetëm në këto rrethana lind nevoja për aplikimin e afateve procedurale për kreditim. Vetëm pas kësaj faze mund të vijë edhe rimbursimi, nëse plotësohen kushtet ligjore. Kërkesa për kreditim dhe rimbursim kushtëzohen me afat 3 vjeçar.
Bartja mujore e tepricës së TVSH-së funksionon mbi një logjikë krejtësisht tjetër. Ajo lidhet me mekanizmin e balancimit të TVSH-së së hyrë dhe asaj të dalë. Kur zbritjet e TVSH-së tejkalojnë obligimin për një periudhë të caktuar, krijohet një pozitë kredituese brenda të njëjtit tatim. Kjo pozitë bartet në periudhat pasuese jo përmes ndonjë kërkese formale dhe jo përmes ndonjë vendimi administrativ të ATK-së, por përmes vetëdeklarimit mujor në sistemin EDI. Tatimpaguesi nuk kërkon asgjë, ai thjesht vazhdon deklarimin, ashtu siç e parashikon ligji, ndërsa ATK merr njohuri për gjendjen e TVSH-së përmes sistemit.
Ky dallim pasqyrohet qartë edhe në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Neni 40 i këtij ligji bën një ndarje të qartë mes bartjes së kreditit të TVSH-së dhe kërkesës për rimbursim. Bartja trajtohet si mekanizëm normal dhe i vazhdueshëm i TVSH-së, ndërsa rimbursimi si alternativë e kushtëzuar, që aktivizohet vetëm kur tatimpaguesi paraqet kërkesë dhe përmbush kriteret ligjore. Vetëm në rastin e rimbursimit ligji flet për procedura, kontroll, vendim dhe, për rrjedhojë, për afate procedurale.
Problemi ka lindur pikërisht nga barazimi i këtyre dy situatave. Bartja mujore e tepricës së TVSH-së është trajtuar si kërkesë për kreditim, edhe pse nuk përmbush asnjë nga elementet që ligji procedural i lidh me kreditimin. Ky keqinterpretim ka ekzistuar edhe nën ligjin e mëparshëm. Ndryshimi i ligjit dhe shkurtimi i afatit në tre vjet nuk e ka ndryshuar thelbin e problemit. Është ndryshuar vetëm kohëzgjatja e afatit, jo objekti i tij.
Në praktikë, ATK po zbret shumën e TVSH-së së bartur që i përket periudhave më të vjetra se tre vjet nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, duke e trajtuar atë si kërkesë për kreditim të vjetërsuar. Kjo qasje ka shumë probleme të ndërlidhura mes tyre, përveç zbatimit të gabuar të ligjit: tatimi merret dy herë. TVSH-ja për të cilën flitet është paguar njëherë në fazën e blerjeve dhe, përmes fshirjes së kreditit të bartur, shteti e përvetëson atë edhe një herë, pa bazë ligjore.
Pasojat për bizneset shpesh janë të rënda. Kreditë të bartura të TVSH-së, të deklaruara rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme përmes sistemit, po trajtohen sikur të ishin kërkesa të vonuara për kreditim. Në këtë mënyrë, humben shuma të konsiderueshme parash, edhe pse ato janë pranuar njëherë nga shteti.
Nëse bartja mujore e tepricës së TVSH-së do të ishte kërkesë për kreditim, ligji për TVSH-në do ta kishte paraparë shprehimisht një gjë të tillë. Por ligji bën të kundërtën. Ai e trajton bartjen si të drejtë që realizohet përmes vetëdeklarimit, ndërsa kërkesën si përjashtim, të lidhur me rimbursimin ose me kreditimin kundrejt detyrimeve të tjera tatimore.
Një lexim i harmonizuar i nenit 26 të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore dhe nenit 40 të Ligjit për TVSH çon në një përfundim të qartë juridikisht: afati procedural për kërkesë për kreditim ose rimbursim nuk mund të zbatohet mbi bartjen mujore të tepricës së TVSH-së. Ky afat ka kuptim vetëm kur tatimpaguesi paraqet kërkesë formale për zhvendosjen e një pagese të tepërt ose për rimbursim në mjete monetare.
Së fundi, duhet theksuar se interpretimi i normave tatimore duhet të jetë sistematik dhe i harmonizuar, duke marrë parasysh raportin ndërmjet ligjit material dhe atij procedural. Ligji procedural nuk mund të zgjerojë, kufizojë apo shuajë të drejta materiale që burojnë nga ligji material, përveçse kur kjo parashihet shprehimisht nga ligjvënësi. Në rastin e TVSH-së, mekanizmi i bartjes së tepricës është i rregulluar qartë nga ligji material dhe nuk mund të vihet nën regjim afatesh procedurale të parashikuara për situata të tjera. Interpretimet që e kanë injoruar këtë ndarje e kanë deformuar funksionimin e sistemit tatimor dhe kanë prodhuar pasoja juridike dhe financiare që ligji nuk i ka synuar.
Shkruan: Florin Lata