Date: 26-May-2025

BARRA E PROVËS NË RIVLERËSIMET TATIMORE: NGA LIGJI I KOSOVËS TE STANDARDET EVROPIANE

26 Maj 2025

Gjatë një rivlerësimi tatimor, kush ka detyrimin të provojë se kush ka të drejtë? A është tatimpaguesi apo Administrata Tatimore e Kosovës (ATK)? Kjo pyetje themelore, që prek balancën mes autoritetit dhe të drejtave, shpesh nuk ka një përgjigje të thjeshtë në praktikë sepse tatimpaguesit i kërkohet shpesh herë që të dëshmon “pafajësinë e tij”.

Në Kosovë, pavarësisht përpjekjeve të Ligjit të ri  për Administrimin e Procedurave Tatimore për të vendosur një ndarje të ekuilibruar të barrës së provës, situata  në praktikë mbetet e paqëndrueshme, duke rrezikuar shpesh herë garancitë themelore të sigurisë juridike.

Korniza ligjore në Kosovë: Teksti i neneve 114 dhe 15

Ligji për Administrimin e Procedura Tatimore NR.08/L-257 sjell një ndarje të barrës së mes tatimpaguesit dhe Administratës.

Neni 114 – Barra e provës

“Ankuesi ( tatimpaguesi)  ka barrën të provojë që vendimi, vlerësimi dhe përcaktimi kundër të cilit ka ngritur ankesë është i pasaktë”.

“Administrata Tatimore e Kosovës dhe DK bartin detyrimin e vërtetimit të fakteve, të cilat e mbështesin vendimin dhe kundërshtojnë kërkesën e tatimpaguesit”.

Ky nen synon të vendosë një ndarje të dyfishtë të barrës së provës: tatimpaguesi ka detyrimin të sfidojë vendimin që e konsideron të gabuar, ndërsa ATK duhet të vërtetojë faktet që e mbështesin atë vendim. Por, ligji nuk përcakton standarde për vlerësimin e provave, prandaj duhet zbatuar dispozitat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Neni 15 – Vlerësimi i tatimit

ATK ka të drejtë të bëjë një rivlerësim sipas “gjykimit të saj më të mirë”, bazuar në informata si:

– dokumentacioni i tatimpaguesit dhe i personave të tretë,
– dëshmi të mbledhura nga vizitat në terren,
– informata objektive lidhur me të ardhurat apo transaksionet.

Kjo formulë – “gjykimi më i mirë i ATK-së” – është treguar problematike në praktikë për shkak se ATK nuk mbështetet çdo herë në një metodologji të qartë ligjore. Në mungesë të standardeve dhe të kontrollit gjyqësor efektiv, ajo rrezikon të lejojë vendime të njëanshme dhe të pajustifikuara. Shpesh, vendimet e ATK-së janë të paarsyetuara, përmbajnë deklarime të përgjithshme dhe nuk sqarojnë mënyrën e llogaritjes, as burimet që justifikojnë rivlerësimin. Mund të duket e çuditshme, por shpesh herë inspektorët tatimor bëjnë gabime në kalkulime që rezultojnë me ngarkesë të madhe tatimore.

Në këtë situatë, tatimpaguesi mbetet në pozitë të pafavorshme: i kërkohet të provojnë se nuk ka gabuar, pa qenë në dijeni të qartë për bazën e vlerësimit të ATK-së. Kjo e kthen ndarjen formale të barrës së provës në një pabarazi faktike dhe e devijon qëllimin e ligjin.

Zbatimi në praktikën kosovare: Rivlerësimet arbitrare

Përkundër formulimit të kujdesshëm të ligjit, praktika gjyqësore në Kosovë zbulon një qasje  shqetësuese: ATK shpesh vepron mbi supozime, ndërsa tatimpaguesve u kërkohet të vërtetojnë “pafajësinë” e tyre pa iu ofruar prova të plota për bazën e rivlerësimit.

Në vendime si KF.nr.31/2022, KF.nr.274/2022, KF.nr.339/2022, dhe KF.nr.828/2022, Gjykata Komerciale ka vënë në pah disa probleme kyçe:

  • ATK përdor termin “vlerë e hapur e tregut” pa dokumentacion mbështetës ose analizë krahasimore;
  • vendimet nuk përmbajnë lidhje të qarta midis provave dhe përfundimeve;
  • tatimpaguesit përballen me vendime të paarsyetuara që vështirësojnë të drejtën për ankesë efektive.

Nga vendimet e analizuara vijmë në përfundim se shpesh herë, ATK nuk arrin të sqaron se si ka ardhur në përfundimet e saj rreth tatimit shtesë, cilat metoda i ka përdorur dhe mbi cilat prova është bazuar. Në këto raste, gjendja faktike vërtetohet gabimisht e pastaj si rezultat i kësaj edhe kemi të bëjmë me zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Vlen të theksohet se ende nuk kemi ndonjë praktikë gjyqësore që e trajton nenin 114 të ligjit të ri, por neni 15 i ligjit aktual është i përafërt me nenin 19.2 të ligjit paraprak nr.03/L-222.   

Parimi i prezumimit të pafajësisë dhe barra e provës sipas standardeve evropiane

Parimi i prezumimit të pafajësisë, siç e thekson jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDB), shtrihet përtej fushës penale dhe ndikon edhe në procedurat administrative që mund të rezultojnë në sanksione. Në çështjen C-277/14 – Stehcemp kundër Drejtorit të Administratës Tatimore në Łódź (Poloni), GJDB riafirmoi se ky parim kërkon që autoritetet të paraqesin prova konkrete për të vërtetuar shkeljet, duke mos u mbështetur vetëm në përgjegjësinë objektive. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin tatimor, ku rivlerësimet shpesh shoqërohen me ndëshkime financiare të konsiderueshme.

Praktika në Kosovë e aplikimit automatik të ndëshkimeve pas secilit rivlerësim tatimor që rezulton me tatim shtesë duket se e sfidon këtë standard. ATK  aplikon ndëshkime edhe në rastet kur vet konstaton se tatimpaguesi ka bërë llogaritje të gabueshme e jo të qëllimshme  ashtu që sistemi e gjeneron ndëshkimin prej 25 % të vlerës së nën deklaruar.

Më tej, në lidhje me barrën e provës së autoritetit tatimor, vendimet e bashkuara C-80/11 dhe C-142/11, Mahagében kft dhe Dávid, ofrojnë një qartësi të rëndësishme. GJDB aty theksoi se administrata tatimore nuk mund të refuzojë përfitime thjesht mbi baza dyshimi. Përkundrazi, ajo duhet të provojë në mënyrë të besueshme ekzistencën e mashtrimit dhe, në disa raste, njohurinë e tatimpaguesit për këtë mashtrim. Ky parim nënkupton që autoriteti tatimor ka barrën fillestare të provës për të mbështetur pretendimet e tij. Në kontekstin e rivlerësimeve tatimore në Kosovë, kjo sugjeron se ATK duhet të paraqesë prova të mjaftueshme dhe arsyetim të qartë për të justifikuar rivlerësimin, veçanërisht kur ai ndikon negativisht tek tatimpaguesi.

Mungesa e një arsyetimi të detajuar nga ana e ATK-së, siç e përshkruam më herët, bie ndesh me këtë standard evropian, duke e bërë të vështirë për tatimpaguesin të ushtrojë të drejtën e mbrojtjes dhe duke e bërë barrën e provës së tij edhe më të rëndë. Për shkak të mungesës së një arsyetimi të qartë të vendimeve, shpesh herë edhe gjykata e ka pasur të paqartë se si ATK ka ardhur në konstatimet e saj, prandaj edhe e ka kthyer rastin në rivendosje dhe e ka obliguar që të sqaron dhe arsyeton mirë vendimin.

Këshilla për tatimpaguesit

Në rast se përballeni me një rivlerësim tatimor, veçanërisht kur ATK përmend “vlerën e hapur të tregut” pa e arsyetuar:

  • Kërkoni sqarime zyrtare: Kërkoni që ATK të paraqesë metodologjinë, burimet dhe logjikën e përdorur në rivlerësim apo fletët e punës.
  • Mblidhni prova kundërshtuese: Përgatitni dokumentacion si çmime krahasuese nga tregu, raporte vlerësimi të pavarura, ose fatura mbështetëse për aq sa të keni mundësi. Në rast se rasti shkon në Gjykatë, mund të propozoni ekspertizë financiare.
  • Theksoni mungesën e provave të ATK-së në ankesën apo padinë tuaj sepse për Bordin apo Gjykatën mund të jenë elemente vendimtare për të vendosur në favorin tuaj.

Shembull hipotetik: Nëse një dyqan me pakicë rivlerësohet nga ATK për shkak se çmimet e shitjes janë më të ulëta se “vlera e tregut”, pa u sqaruar se me cilat dyqane është bërë krahasimi, tatimpaguesi ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë dhe të paraqesë të dhëna që justifikojnë diferencën – si oferta promocionale, pozita gjeografike, apo kushtet sezonale etj.

Drejtësia në tatime fillon nga një parim i thjeshtë: askush nuk duhet të mbajë barrën e fajit pa prova. Kur rivlerësimet tatimore ndërtohen mbi dyshime, jo mbi dëshmi, dhe kur ndëshkimi bëhet automatik, jo proporcional, humb jo vetëm tatimpaguesi por edhe besimi në sistem.

Ligji mund të shkruajë për ndarje të drejtë të barrës së provës, por vetëm zbatimi i ndershëm dhe i përgjegjshëm i këtij parimi garanton drejtësinë.

Shkuan: Florin Lata