Avokati i Shpresës: Bajram Kelmendi, nga i burgosur në mbrojtës të të drejtave të njeriut
Shkruan: Florin Lata
Ka simbole të lindura në fatkeqësitë e popullit të vet e të cilat motivojnë breza për të mbrojtur lirinë. Ka burra që frymëzojnë një popull. Ka juristë, kujtesa e të cilëve formëson dhe merr pjesë në themelet demokratike të një kombi. Dëshiroj të ndaj me ju historinë e jashtëzakonshme të Bajram Kelmendit, një njeriu që ia kushtoi jetën mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve, përkundër sprovave personale dhe sakrificave që bëri.
Bajram Kelmendi lindi në një botë të trazuar, ku liria dhe drejtësia shpesh liheshin mënjanë. Me këtë padrejtësi ai u ballafaqua në fëmijëri, kur në moshën 8-vjeçare ai dhe familja e tij u burgosën për arsye politike nga regjimi jugosllav. Pavarësisht këtyre rrethanave të vështira, ai nuk e humbi kurrë besimin te drejtësia dhe te aftësia e individit për të bërë ndryshim.
Në shkollën e mesme, në moshën 20-vjeçare, Bajramin e arrestojnë për veprimtarinë e tij politike dhe e dërgojnë në burg. Aty zbuloi vokacionin e tij dhe vendosi t’i kushtonte jetën mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Siç tha filozofi Albert Camus, “Në mes të dimrit, zbulova brenda vetes një verë të pathyeshme”. Pikërisht kjo ka ndodhur në jetën e Bajramit .
Padrejtësitë që populli i Kosovës po i përjetonte dhe burgosja e serishme e tij ishin pa dyshim themeli i motivimit të tij për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për t’u bërë avokat penalist. Ai merrej me rastet më të vështira, duke përfaqësuar të pandehurit politikë dhe duke u bashkuar me avokatë të tjerë për të hetuar krimet e kryera nga Jugosllavia kundër popullsisë shqiptare.
Klientët e tij e përshkruan atë si një mbret në sallën e gjyqit, një avokat të vendosur dhe të përkushtuar për të siguruar drejtësi për ta. Ata e shihnin atë gjithashtu si një burim shprese, sepse ai besonte fort në kauzën që mbronte dhe nuk dorëzohej kurrë. Ai ka përfaqësuar politikanë, gazetarë, studentë, profesorë, minatorë etj.
Bajram Kelmendi ishte njeri i kulturës dhe i diturisë. Ai e dinte përmendsh vargjet e veprave“Xhevahiret ” e Omarit Khayyam dhe “ Lahuta e Malësisë ” nga Gjergj Fishta. Pasioni për letërsinë, poezinë dhe muzikën reflektonte thellësinë e shpirtit të tij.
Por Bajram Kelmendi nuk kufizohej vetëm në mbrojtjen e klientëve në sallat e gjykimeve, sepse ai kishte marrë përsipër detyra që kalonin rolin e zakonshëm të një avokati. Ai përgatiti rregullisht raporte për torturat në burgje, duke dokumentuar shkeljet dhe duke kërkuar drejtësi. Ai ia përcolli këto raporte institucioneve ndërkombëtare, si OSBE, Këshilli i Evropës dhe Amnesty International. Përkushtimi i tij ndaj drejtësisë nuk njohu kufij.
Siç thoshte vetë Bajram Kelmendi, “Aty ku përdoret dhuna, nuk mund të gjendet e vërteta”. Ai u bë zëri i të shtypurve, mbrojtësi dhe lajmëtari i të vërtetës, duke besuar në fuqinë dhe drejtësinë ndërkombëtare. Kështu, me 3 maj 1998, ai paraqiti një kallëzim të dytë penal kundër Slobodan Millosheviçit dhe udhëheqësve të tjerë jugosllavë para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Ky veprim ngjalli kundërshtime të forta nga udhëheqësit në Beograd, të cilët morën vendimin për ta privuar nga jeta më 25 mars 1999, së bashku me dy djemtë e tij. Është e rëndësishme për tu theksuar se Bajram Kelmendi ishte viktimë e një ekzekutimi kriminal nga forcat ushtarake serbe, duke i mohuar kështu të drejtën e tij për një gjykim të drejtë.
Sot, trashëgimia e Bajram Kelmendit vazhdon. Vajza e tij, avokate, e ushtron profesionin në një Kosovë të lirë dhe demokratike, duke ndjekur me krenari hapat e babait të saj. Bajram Kelmendi mbetet model për avokatët e rinj në Kosovë dhe në mbarë botën. Vendosmëria e tij për të mbrojtur të drejtat e njeriut la një gjurmë të pashlyeshme dhe do të mbetet udhe rrëfim për brezat që do të vijnë. Një rrugë në qendër të Prishtinës mban emrin e tij, në shenjë nderimi të angazhimit jetësor në shërbim të lirisë së Kosovës.
Është e rëndësishme të theksohet se përgjegjësit për vrasjen e tij nuk u sollën kurrë para drejtësisë, pavarësisht thirrjeve për drejtësi. Lufta për të vërtetën dhe drejtësinë vazhdon dhe ne avokatët në mbarë botën duhet të jemi të bashkuar që historia e Bajram Kelmendit të mos përsëritet. Profesioni i avokatit është shumë më tepër se një profesion, ai është një mision. Roli i avokatit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut është edhe më i rëndësishëm në vendet diktatoriale, ku drejtësia dhe e vërteta shpesh mbyten. Avokatët bëhen rojtarë të të drejtave të njeriut, zërat e drejtësisë dhe të së vërtetës. Pushtetarët mund t’i konsiderojnë ata si armiq dhe të përballen me shumë keqtrajtime, por kjo nuk duhet të na dekurajon, pasi siç me të drejtë thoshte historiani skocez Thomas Carlyle, “Aty ku mbretëron padrejtësia, shteti bëhet fushë beteje dhe çdo qytetar ushtar”.
Ne, avokatët në mbarë botën, duhet të jemi të bashkuar për të mbështetur kolegët tanë që punojnë në kushte të vështira. Ne duhet të punojmë që kujtimi i Bajram Kelmendit të mos harrohet dhe trashëgimia e tij të vazhdojë të frymëzojë kërkimin për drejtësi dhe liri.
Si avokatë, ne kemi përgjegjësi për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e secilit, kudo që jemi.
*Ky shkrim është prezantuar për herë të parë pranë Odes së Avokatëve të Parisit në Francë