Date: 18-Nov-2024

ATK po keqinterpreton rregullat për përcaktimin e kostove në projektet ndërtimore, duke ngarkuar investitorët me tatime të padrejta për “shitje nën kosto”

18 Nëntor 2024

Çështja që po shqyrtojmë në këtë shkrim ka të bëjë me mënyrën se si ATK po llogarit koston e projekteve ndërtimore dhe ndikimin e kësaj mënyre llogaritjeje në tatimet që duhet të paguajnë investitorët.

Sipas praktikave të fundit ( sidomos të DTMS), ATK ka filluar të imponojë tatime, që janë të parakohshme ndaj investitorëve, duke pretenduar se ata po shesin nën kosto. Kjo vjen si rezultat i një interpretimi të ndryshëm të legjislacionit tatimore nga ATK, duke u bazuar vetëm në Vendimin Shpjegues Publik Nr. 02/2019.

Problemi kryesor këtu është se ky vendim nuk është tërësisht i përputhshëm me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2016, i cili përcakton qartë se harmonizimi i kostove dhe njohja e të ardhurave duhet të bëhet vetëm në përfundimin e plotë të projektit.

Kur ATK ndryshon mënyrën se si trajton koston e projekteve ndërtimore, kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në detyrimet tatimore të investitorëve. Nëse kostoja e projektit nuk është përcaktuar saktësisht dhe projekti ende nuk ka përfunduar, është e padrejtë të imponohen tatime bazuar në një vlerësim të pjesshëm të kostos. Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2016, tatimi i “shitjeve nën kosto” mund të konstatohet vetëm pasi projekti të jetë përfunduar dhe të jenë kryer të gjitha vlerësimet përfundimtare.

Çfarë përcakton Udhëzimi Administrativ dhe ku qëndron problemi?

Neni 8 i Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2016 është i qartë në lidhje me trajtimin e kontratave ndërtimore:

1. Të ardhurat e tatueshme përcaktohen në bazë të kostos totale të planifikuar për projektin. Kjo përfshin një metodë proporcionale, ku të ardhurat njihen duke marrë parasysh volumin e njësive të shitura dhe çmimin e kostos për njësi. Pra, bëhet një parashikim i kostove por që nuk është finale.

2. Harmonizimi i kostove të planifikuara me ato reale bëhet vetëm në përfundimin e plotë të projektit. Kjo nënkupton që çdo llogaritje e kostove dhe të ardhurave tatimore të bëhet vetëm pasi të jetë përfunduar projekti.

3. Regjistrimi i njësive të pa shitura si inventar-stok në përfundim të projektit, njësitë e pa shitura regjistrohet në kontabilitet si stok.

Çfarë thotë Vendimi Shpjegues Publik Nr. 02/2019?

Në kundërshtim me udhëzimin e lartpërmendur, Vendimi Shpjegues Publik Nr. 02/2019 lejon ATK-në të imponojë tatime për projektet ndërtimore nëse vlera e tregut për njësitë e ndërtuara mund të përcaktohet edhe përpara përfundimit të plotë të projektit. Kjo nënkupton që faturimi mund të ndodhë më herët, duke krijuar një situatë ku investitorët ngarkohen me tatime për “shitje nën kosto” për projekte që ende nuk janë përfunduar, pra për të cilat ende nuk dihet kostoja përfundimtare.

Kjo qasje është e dëmshme për investitorët, sepse ata mund të tatohen për njësitë e papërfunduara bazuar në vlerësime të përkohshme. Në praktikë, kjo krijon një barrë financiare të panevojshme dhe ndikon negativisht në likuiditetin e tyre, pasi ata detyrohen të paguajnë tatime dhe ndëshkime në një fazë kur projektet janë ende në zhvillim.

Ndërsa legjislacioni i përcaktuar nga Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2016 është më i favorshëm për tatimpaguesit, duke siguruar që tatimi të deklarohet vetëm pas përfundimit të plotë të projektit, interpretimi i ATK-së po krijon paqartësi dhe një klimë të pasigurt për investitorët. Ky keqinterpretim çon në tatime të parakohshme dhe të padrejta por edhe ndeshkime dhe interesa arbitrare, duke krijuar vonesa në përfundimin e projekteve dhe duke ndikuar negativisht në sektorin e ndërtimit.

Rikthimi te zbatimi korrekt i Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2016, i cili ka fuqi më të madhe ligjore se sa Vendimi për Shpjegim Publik është thelbësor për të mbrojtur interesat e tatimpaguesve dhe për të siguruar që ligji të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Një interpretim i saktë dhe i unifikuar i ligjit do të shmangte konfuzionin dhe do të siguronte që bizneset të mos përballen me tatime të pajustifikuara, duke mbrojtur stabilitetin e sektorit të ndërtimit dhe duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.

Aplikimi i standarteve të dyfishta duhet të ndalet.

Shkruan: Florin Lata