Date: 24-Aug-2023

ATK NUK KA TË DREJTË QË TË MBLEDH DETYRIMET TATIMORE DERI NË VENDIMIN PËRFUNDIMTAR TË DEPARTAMENTIT TË ANKESAVE

Kuvendi i Kosovës ka aprovuar ligjin nr.08/L-176 me të cilin pos tjerash ka bërë edhe disa ndryshime në Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Ndryshimi më i rëndësishëm ka të bëj me pezullimin e obligimit për pagesën e detyrimeve tatimore gjatë shqyrtimit të ankesës. Deri tani, raporti i kontrollit ka qenë i zbatueshëm ditën e nënshkrimit, ashtu që detyrimi tatimor i konstatuar në raport të kontrollit ka qenë i kërkueshëm menjëherë nga ATK. Rrjedhimisht kjo ka bërë që në shumë raste tatimpaguesve të u bllokohen llogaritë bankare ende pa u shqyrtuar ankesa e tyre ndaj raportit të kontrollit.

Me anë të këtij ligji, fshihet në tërësi paragrafi 1 i nenit 82 i cili në versionin e fundit të plotësuar-ndryshuar kishte këtë përmbajte: “1. Nëse një person ka dorëzuar ose nuk ka dorëzuar një ankesë te Sektori i Ankesave, Bordi i Pavarur për Rishqyrtime ose gjykata kompetente, nuk pezullon obligimin për pagesë të detyrimeve tatimore”.

Me fshirjen e këtij neni në tërësi, gjen zbatim neni 130 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative ( LPPA) i cili ankesës i jep efekt pezullues (suspenziv).

Neni 130 i LPPA-së parasheh: “Përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj, parashtrimi i një ankese pezullon, sipas fuqisë së ligjit, prodhimin e pasojave juridike të aktit administrativ, deri në njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën”.

Pra, Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka mundësi ligjore që të mbledh detyrimet tatimore deri sa të shqyrtohet ankesa e tatimpaguesit nga departamenti i Ankesave siç ka ndodhur deri më tani. Pos kësaj, pa përfunduar procedura ankimore nuk lejohet që detyrimet tatimore që dalin nga raporti i kontrollit të paraqiten as në vërtetimin që e lëshon ATK për tatimpaguesin. Rrjedhimisht raporti i kontrollit nuk mund të prodhoj asnjë pasojë ligjore deri sa të merret vendimi i Departamentit të Ankesave.

Vlerësojmë se një ndryshim i tillë është shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për bizneset. Ky ndryshim është në frymën e ndryshimeve të mëparshme legjislative, pasi që edhe Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative kishte ndryshuar rregullin e paraparë me ligjin paraprak, i cili asokohe në nenin 128 parashihte që ankesa nuk pezullon zbatimin e aktit administrativ kur akti administrativ synon mbledhjen e taksave, tatimeve ose të ardhurave të tjera buxhetore.

Ndryshime tjera me rëndësi janë edhe shkurtimi i disa afateve që ATK ka për të trajtuar kërkesat e tatimpaguesve.

Për trajtimin e kërkesave për çregjistrimin e tatimpaguesit, ATK ka 45 ditë në dispozicion (nga 60 ditë që ka pasur me ligjin e mëhershëm) për të verifikuar situatën tatimore dhe kur është e nevojshme të ushtrojë kontrollin e veprimtarisë së tatimpaguesit.

Po ashtu, në rast se tatimpaguesi nuk merr përgjigje në afatin pre 45 ditësh nga dita e dorëzimit të kërkesës për çregjistrim, konsiderohet se tatimpaguesi është çregjistruar. ATK mund të zgjatë vetëm një herë afatin në rast se konsideron se çështja është komplekse dhe nuk arrin që brenda afatit fillestar të nxjerr vendimin.

Një lajm tjetër i mirë për bizneset është edhe shkurtimi i afatit për veprim të ATK lidhur me kërkesat për rimbursim, ku nga 60 ditë sa ka qenë i paraparë me nenin 30 par.4, afati shkurtohet në 30 ditë.

Departamenti i Ankesave mbetet kompetent për shqyrtimin e ankesave të tatimpaguesve ndaj ATK, dhe pastaj u jepet mundësia e ushtrimit të padisë për inicimin e konfliktit administrativ.

Për informacione se çka duhet të përmbajë ankesa ndaj vendimit të ATK-së mund ta lexoni artikullin tjetër informues të përgatitur nga ekipi ynë në linkun në vijim:

https://vokshilata.com/si-te-ushtrojme-ankese-ndaj…/