ADMINISTRATA TATIMORE E KOSOVËS CENON TË DREJTËN PËR ANKESË TË TATIMPAGUESVE
Shkruan Florin Lata
ATK përmes një njoftimi publik të datës 27.01.2022 me titull “Njoftim për tatimpagues – Gjobat mund të paguhen vetëm 50%, nëse paguhen brenda 15 ditëve” kishte vendosur që pas 5 vitesh të fillonte me zbatimin e nenit 30 par. 3 të Ligjit për Kundërvajtje edhe pse këtë ligj nuk e citon fare në njoftimin publik dhe e ka pasur obligim zbatimin e tij nga data 01.01.2017. Si duket, ATK ka nxjerr edhe një rregullore për Gjoba të cilën nuk e ka publikuar ende.
ATK pa asnjë bazë ligjore është duke i hedhur poshtë të gjitha ankesat ndaj gjobave të cilat tatimpaguesi i paguan me 50 % të shumës me arsyetimin se në rastet e tilla nuk është e lejuar ankesa. Pra, sipas ATK nëse tatimpaguesi e paguan gjobën me 50 % i humbet e drejta e ankesës me arsyetimin se kështu është përcaktuar me njoftimin publik dhe me rregulloren e brendshme të pa publikuar.
ATK me këto veprime është duke cenuar një të drejtë kushtetuese fundamentale, e që është e drejta për për Mjete Juridike e përcaktuar me nenin 32 të Kushtetutës i cili parasheh: “Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Edhe me Ligjin për kundërvajtje, në nenin 54 – garantohet Dyshkallësia e procedurës së kundërvajtjes ku parashihet që “Kundër vendimit të nxjerrë në shkallën e parë mund të paraqitet ankesa, nëse me këtë ligj nuk është caktuar ndryshe”. Pra, VETEM ME LIGJ MUND TË KUFIZOHET E DREJTA NË ANKESË e jo me njoftime publike e rregullore të brendshme siç po vepron ATK.
Prandaj, veprimet e tilla të cilat nxisin tatimpaguesit që të paguajnë 50 % të shumës dhe të mos ushtrojnë ankesë janë të gabueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin.
Kësisoj i propozojmë ATK që të ndryshon këtë praktikë dhe t’iu mundëson tatimpaguesve që të përfitojnë nga zbritja e gjobës prej 50 % nëse paguhet brenda afatit dhe në të njëjtën kohë mos të ua kufizon të drejtën në ushtrimin e ankesës.