Date: 14-Oct-2024

A PO I GJOBITË ATK PADREJTËSISHT TATIMPAGUESIT? ZBATIMI RETROAKTIV I LIGJIT QË CËNON PARIMET KUSHTETUESE!

Ndryshimet e Deklaratave Tatimore para vitit 2024 po ndëshkohen padrejtësisht

Një nga parimet themelore të drejtësisë është ndalimi i efektit prapaveprues të ligjit. Ky parim garanton që asnjë ligj nuk mund të zbatohet për të ndëshkuar veprime që kanë ndodhur para hyrjes së tij në fuqi. Kushtetuta e Kosovës e mbron këtë parim, duke siguruar që individët dhe bizneset të mos ndëshkohen me ligje retroaktive. Në këtë kontekst, aplikimi i gjobave nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për periudha tatimore para hyrjes në fuqi të ligjit të ri në janar 2024 përbën një shkelje të rëndë të këtij parimi.

Ligji Nr. 08/L-029 për Procedurat Tatimore dhe Administrative, përmes Nenit 99, pika 1.2, parashikon gjoba për deklaratat tatimore të dorëzuara me vonesë. Problemi kryesor është se ky ligj po zbatohet për periudha para hyrjes në fuqi, që ngre shqetësime të mëdha ligjore dhe kushtetuese. Për shembull, nëse sot ndryshoni ndonjë deklaratë të vitit 2023, sistemi automatikisht do t’ju gjobisë me 150 euro për secilën prej tyre.

Një tjetër çështje thelbësore është afati i shkurtër prej vetëm 15 ditësh që ligjdhënësi ka lënë për hyrjen e ligjit në fuqi. Për një ligj të kësaj natyre, një periudhë e tillë është tejet e pamjaftueshme. Afati i arsyeshëm për një ligj të tillë duhej të ishte të paktën 6 muaj, për t’u siguruar që bizneset dhe kontabilistët të kenë kohë të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet e tyre.

Aplikimi i gjobave për periudha që nuk ishin subjekt i këtij ligji të ri krijon jo vetëm pasiguri ligjore, por gjithashtu vendos një barrë financiare të panevojshme mbi bizneset dhe kontabilistët që i përfaqësojnë ato. Kjo praktikë jo vetëm që është e padrejtë, por gjithashtu krijon një precedent të rrezikshëm në zbatimin e ligjit dhe cenon të drejtat kushtetuese të tatimpaguesve.

Vendimet e padrejta që ndëshkojnë për periudha para hyrjes në fuqi të ligjit nuk janë vetëm të papranueshme, por cënojnë të drejtat themelore si tatimpagues. Kjo nuk është thjesht një çështje administrative, por një sfidë ndaj drejtësisë dhe barazisë për të gjithë ata që ndihen të goditur pa të drejtë nga ky zbatim i ligjit. Këto vendime duhen kundërshtuar dhe të drejtat tona duhet të mbrohen në gjykatë.

Në shkrimin e ardhshëm do te trajtojme rimbursimet nga prespektiva e ligjit te ri.