Date: 24-Jul-2025

BAZAT LIGJORE PËR PËRPUNIMIN E TË DHËNAVE PERSONALE

24 Korrik, 2025

Në mënyrë që kontrolluesit e të dhënave të kryejnë një përpunim të ligjshëm të të dhënave, ashtu siç përcakton parimi kryesor i mbrojtjes së të dhënave personale, përpunimi duhet mbështetur në një bazë ligjore.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDHP) përcakton 6 baza ligjore për përpunimin e të dhënave personale jo të ndjeshme, ndërsa për të dhënat e ndjeshme parashikon një listë të veçantë me 10 baza të tjera.

LMDHP ka përcaktuar si baza ligjore për përpunimin e të dhënave:

1 PËLQIMIN – që na paraqitet si bazë për përpunimin e të dhënave personale atëherë kur subjekti i të dhënave (individi) e ka dhënë pëlqimin e qartë që të dhënat e tij personale të përpunohen, për një apo më shumë qëllime.

Pëlqimi duhet të jetë:

I dhënë lirshëm: në parim një pëlqim konsiderohet të jetë dhënë lirshëm kur subjekti i të dhënave mund të refuzojnë dhe tërheqin pëlqimin e tyre pa asnjë presion të jashtëm dhe pa pasoja negative. Pëlqimi po ashtu mund të tërhiqet në çdo kohë dhe procesi i tërheqjes së pëlqimit duhet të jetë i lehtë po aq sa është i lehtë dhënia e tij.

Specifik: për një apo më shumë qëllime të përpunimit.

I informuar: që nënkupton se pëlqimi nga një subjekt i të dhënave është dhënë pasi që subjekti i të dhënave ka qenë i informuar në mënyrë të kuptueshme dhe lehtë të arritshme me përdorimin e një gjuhe të qartë dhe të thjeshtë. Subjekti i të dhënave kur jep një pëlqim ai duhet të jetë i informuar në lidhje me qëllimin e përpunimit, identitetin/të dhënat e kontrolluesit, kategorinë e të dhënave që do të përpunohen, përpunuesit dhe të drejtën për të hequr pëlqimin.

I qartë: ashtu që nga subjekti i të dhënave duhet të ndërmerret një veprim i qartë afirmativ që konfirmon se subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin.

2 KONTRATËN që po ashtu paraqet bazë ligjore për përpunimin e të dhënave personale atëherë kur përpunimi i të dhënave personale bëhet për:

Përmbushjen e një kontrate në të cilën subjekti i të dhënave është palë kontraktuese.

Shembull: Kjo ndodh kur bëhet një porosi dhe për të siguruar dorëzimin e porosisë nevojitet përpunimi i të dhënave personale si: emri, adresa, numri i telefonit dhe detajet e pagesës.

Ndërmarrjen e veprimeve para lidhjes së kontratës me kërkesë të subjektit të së dhënave.

Shembull: Kjo ndodh në rastet kur banka përpunon të dhëna personale si: të ardhurat personale, punësimin, gjendjen financiare e familjare, me kërkesë të klientit për vlerësimin e një kontratë të mundshme kredie.

Është e rëndësishme të theksohet se në rastet kur përpunimi i të dhënave bazohet në kontratë, ai duhet të jetë i domosdoshëm për zbatimin e asaj kontrate. Megjithatë, realizimi i kontratës, përfshirë edhe ofrimin e shërbimeve, nuk mund të kushtëzohet me dhënien e pëlqimit për përpunimin e të dhënave personale që nuk janë të nevojshme për zbatimin e kontratës. Nëse pëlqimi jepet nën këtë kusht, atëherë ai nuk konsiderohet i lirë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në ligjshmërinë e përpunimit.

Përveç pëlqimit dhe kontratës, të cilat përdoren më shpesh në praktikë, ekzistojnë edhe baza tjera ligjore për përpunimin e të dhënave personale si:

3 OBLIGIMIN LIGJOR atëherë kur përpunimi është i domosdoshëm për respektimin e një obligimi ligjor të cilit i nënshtrohet kontrolluesi.

Që përpunimi të mbështetet në këtë bazë ligjore, detyrimi duhet të jetë qartë i përcaktuar në një ligj, dhe ligji duhet të përcaktojë se:

– Kontrolluesi është i obliguar të përpunojë atë të dhëna, si dhe

– Të jetë i qartë qëllimi i përpunimit.

Shembull: Mbajtja dhe raportimi i punëtorëve dhe pagave të tyre nga një kompani në Administratën Tatimore të Kosovës. Të dhënat personale që përpunohen janë emri, numri personal, paga, kontributet pensionale etj.

4 INTERESIN JETIK – që na shfaqet si bazë atëherë kur përpunimi i të dhënave është i domosdoshëm për mbrojtjen e interesave jetike të subjektit të të dhënave apo të personave të tjerë fizikë.

Shembull: Në rast të lëndimit në vendin e punës të një punëtori, punëdhënësi përpunon të dhënat e tij dhe i jep mjekëve informacion/të dhëna për të cilat punëdhënësi nuk është i autorizuar t’i japë mirëpo këtë e bën për shkak të interesit jetik të punëtorit si subjekt i të dhënave.

5 DETYRA ZYRTARE APO INTERESI PUBLIK shfaqet si bazë atëherë kur përpunimi i të dhënave është i domosdoshëm për kryerjen e një detyre me interes publik apo për ushtrimin e autoritetit zyrtar që i është dhënë kontrolluesit.

Zakonisht zbatohet për institucione publike (administrata shtetërore, policia, spitalet, komunat), por në raste të caktuara edhe për subjektet private të cilave u janë deleguar kompetenca nga shteti.

Shembull: Administrata Tatimore e Kosovës përpunon të dhënat personale të qytetarëve me qëllim llogaritjen e detyrimeve tatimore.

6 INTERESIN LEGJITIM – paraqet një bazë ligjore për përpunimin e të dhënave personale, ku përpunimi është i nevojshëm për të arritur qëllimet e interesave legjitime të kontrolluesit ose të një pale të tretë. Megjithatë, përdorimi i kësaj baze është i kufizuar në mënyrë që përpunimi të mos ndikojë negativisht në interesat, të drejtat dhe liritë themelore të subjektit të së dhënave.

Në rastet kur kontrolluesi mendon të bëjë përpunimin e të dhënave mbi këtë bazë duhet të bëjë një vlerësim të kujdesshëm të balancit në mes të interesit të tij për përpunimin e të dhënave dhe të drejtave dhe lirive të subjektit të të dhënave.

Shembull: Punëdhënësi vendos sistem kamerash në ambientet e punës për sigurinë e pronës dhe mbrojtjen e informacionit konfidencial, duke respektuar të drejtat e punëtorëve.

Për një kontrollues të të dhënave personale është me shumë rëndësi që përpunimi i të dhënave ta bëhet mbi bazën e duhur ligjore, pasi që ai përpunim mund të rezultojë me kërkesa tjera specifike ligjore dhe të ketë pasoja mbi të drejtat e subjekteve të së dhënave.

Shkruan: Valmir Haziraj