ÇKA ËSHTË CBAM DHE SI NDIKON NË BIZNESET NË KOSOVË?

21 Korrik, 2025
Në dekadat e fundit, roli i karbonit në ngrohjen globale është bërë një nga temat më kritike të diskutimeve ekonomike dhe mjedisore në të gjithë botën. Karboni, ose më saktë dioksidi i karbonit (CO₂), është një nga gazrat kryesorë serrë që kontribuon në ndryshimet klimatike.
Për të reduktuar ndikimin negativ të karbonit, vendet po zhvillojnë politika gjithnjë e më të ashpra për të kontrolluar emetimet, duke futur mekanizma që nxisin prodhimin dhe tregtinë e pastër. Në këtë kontekst, Bashkimi Europian ka prezantuar Carbon Border Adjustment Mechanism (CBAM).
CBAM (Carbon Border Adjustment Mechanism) është një mekanizëm i ri i Bashkimit Europian që aktualisht është në fazën e implementimit dhe synon të adresojë problemet e ndryshimeve klimatike duke vendosur tarifa për importet e produkteve që kanë intensitet të lartë të emetimeve të karbonit gjatë prodhimit të tyre.
Kosova si shtet me një disbalancë ndërmjet eksportit dhe importit, importon një gamë të gjerë produktesh që mund të jenë të prekura nga CBAM, produkte që kryesisht përdorën në industrinë e rëndë dhe sektorin e ndërtimtarisë, përfshirë:
- Çelikun;
- Aluminin;
- Çimenton;
- Plehrat azotike;
- Energjinë elektrike;
- Hidrogjenin etj.
Qëllimi i CBAM është të mbrojë industritë e BE-së nga konkurrenca e padrejtë nga vendet që nuk zbatojnë politika të ngjashme klimatike dhe të stimulojë dekarbonizimin global.
Kosova, megjithëse nuk është pjesë e BE-së, është e ndërlidhur ngushtë ekonomikisht me tregun europian. Si një vend që importon një gamë të gjerë produktesh industriale nga BE-ja, Kosova mund të ndikohet ndjeshëm nga zbatimi i CBAM. Produktet si çeliku, alumini, cementi dhe derivatet e energjisë, që përdoren gjerësisht në sektorin e ndërtimit dhe industrinë e rëndë, janë të ndjeshme ndaj këtyre tarifave të karbonit. Nëse këto produkte importohen nga BE ose nga vende që eksportojnë në BE, por janë prodhuar me teknologji që emetojnë sasi të larta të karbonit, importuesit kosovarë mund të përballen me çmime më të larta për shkak të tarifave CBAM që do të përfshihen në çmimin përfundimtar të produkteve.
Ndikimi ekonomik i CBAM mbi Kosovën është i dyfishtë. Nga njëra anë, mund të rezultojë në rritje të kostove për importuesit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve në tregun vendas, dhe nga ana tjetër, hap mundësi për transformim të praktikave të importit dhe orientim drejt teknologjive të pastra.
Produktet që nuk përputhen me kërkesat mjedisore të BE-së do të bëhen më të shtrenjta, gjë që mund të stimulojë kërkesën për produkte që janë prodhuar me intensitet më të ulët të karbonit. Kjo i jep mundësi sektorit privat kosovar të eksplorojë burime alternative të importit nga vende që ndjekin politika të përputhshme mjedisore me BE-në dhe të fillojë të zhvillojë partneritete me prodhues më të qëndrueshëm.
Nga një perspektivë më strategjike, Kosova mund të përdorë zbatimin e CBAM si një shtysë për të përmirësuar infrastrukturën e saj industriale dhe për të rritur përputhshmërinë me politikat klimatike të BE-së.
BE ka ofruar mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor përmes fondit të tranzicionit të gjelbër, mbështetje kjo e cila mund të shfrytëzohen nga Kosova për të investuar në sektorët më të ndikuar, sidomos në energjinë e ripërtëritshme dhe në dekarbonizimin e sektorëve prodhues.
Në fushën e eksporteve, ndonëse numri i kompanive kosovare që eksportojnë produkte të prekura nga CBAM është i vogël, eksportuesit që synojnë tregun europian do të përballen me detyrimin për të raportuar emetimet e karbonit të lidhura me produktet e tyre. Sektorët si prodhimi i çelikut, aluminit, apo prodhimi i energjisë, që janë ndër prodhimet që preken direkt nga CBAM, përfaqësojnë një pjesë modeste të eksporteve në tregun europian, por me potencial të lartë për rritje dhe zgjerim në të ardhmen. Me rastin e rritjes së eksporteve që pritet të ndodhë kryesisht në sektorin e energjisë, Kosova duhet të përmbushë standardet e raportimit të emetimeve sipas kërkesave të CBAM.
Ky mekanizëm gjithashtu e shtyn Kosovën drejt nevojës për të ndërtuar një sistem të besueshëm për monitorim, raportim dhe verifikim të të dhënave mbi emetimet e karbonit – i njohur si sistemi MRV, si dhe për harmonizimin gradual me Marrëveshjen e Parisit. Kosova poashtu ka nënshkruar Deklaratën e Samitit të Sofjes dhe është zotuar për dekarbonizimin e plotë deri në vitin 2050, mirëpo aktualisht, Kosova nuk ka një sistem të tregtimit të emetimeve dhe as kapacitete të plota për monitorim e verifikim të emetimeve të gazrave serrë sipas standardeve të BE-së. Kjo mund të bëhet pengesë për eksportuesit kosovarë që synojnë tregun europian, por njëkohësisht paraqet mundësi për bashkëpunim me BE-në në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe teknike.
Në këtë kontekst, një nga zhvillimet më të rëndësishme është fillimi i zbatimit të një programi për raportimin e emetimeve të karbonit për eksportuesit që preken nga CBAM, i cili aktualisht ndodhet në fazën kalimtare dhe parashikon raportim të të dhënave pa implikime financiare deri në fund të vitit 2025. Kjo fazë synon të ndihmojë eksportuesit të përshtaten me kërkesat e reja teknike dhe administrative, duke u dhënë kohë për të ngritur mekanizmat e brendshëm të raportimit dhe për të përmirësuar transparencën në zinxhirin e prodhimit.
Në një periudhë afatgjatë, CBAM mund të kontribuojë në transformimin e sektorit ekonomik në Kosovë duke i orientuar ata drejt efikasitetit energjetik dhe teknologjive të pastra. Kjo do të kërkojë ndërhyrje të përbashkëta të sektorit privat dhe politikëbërësve për të krijuar një kuadër ligjor të harmonizuar me rregulloret mjedisore të BE-së.
CBAM nuk është një mekanizëm që zbatohet drejtpërdrejt ndaj Kosovës, por përmes lidhjeve tregtare me BE-në, ndikimi i tij ekonomik është i pashmangshëm. Kosova përmes Ligjit Nr.08/L-250 për Ndryshime Klimatike, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2024, përmes dispozitës së Nenit 39 par.3 ka përcaktuar se:
“3. Ministria me Vendim emëron grupin punues për studimin e ndikimit të Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) për Kosovën, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Andaj duke qenë se ndikimi i CBAM është i pashmangshëm, është e domosdoshme që bizneset kosovare të jenë të informuara dhe të përgatitura për të përmbushur kërkesat e reja në zinxhirin e furnizimit, si dhe të shfrytëzojnë mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm që ky mekanizëm mund të sjellë në të ardhmen.
Shkruajnë: Agnesa Azemi Ademi dhe Urim Vokshi