Date: 15-May-2025

ARBITRAZHI NËN KËRCËNIMIN E PRAKTIKËS SË GJYKATËS KOMERCIALE NË KOSOVË

15.05.2025

Shkruan: Florin Lata

Arbitrazhi, si mjet alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ka gjetur vend të veçantë në të drejtën bashkëkohore afariste. Ai është ndërtuar mbi themele që e vënë në qendër autonominë kontraktore të palëve, duke u ofruar atyre një forum neutral, efikas dhe të parashikueshëm jashtë sistemit gjyqësor shtetëror. Këtë qasje e ka ndjekur edhe Kosova, e cila që nga hyrja në fuqi e Ligjit nr. 02/L-75 për Arbitrazhin, ka krijuar bazat ligjore për funksionimin e arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar.

Megjithatë, një praktikë e re e Gjykatës Komerciale të Kosovës rrezikon seriozisht parimet themelore të autonomisë kontraktore dhe besueshmërinë në arbitrazh si mjet legjitim. Vendime të njëpasnjëshme po anulojnë vendime të Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës me arsyetimin se mosmarrëveshjet që rrjedhin nga qiraja e pasurisë së paluajtshme nuk mund të jenë objekt arbitrazhi, meqë sipas interpretimit të gjykatës, kompetenca për to i takon ekskluzivisht gjykatave të rregullta.

Interpretimi i nenit 41 të LPK-së: Kompetencë territoriale, jo ndalim i arbitrazhit

Neni 41 i Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK) parasheh se:

“Për gjykim në kontestet lidhur me pronësinë dhe të drejtat sendore të tjera mbi pasuritë e paluajtshme, si dhe në kontestet nga raportet e qirasë së paluajtshmërisë […] është ekskluzivisht kompetente gjykata në territorin e së cilës ndodhet pasuria e paluajtshme.”

Kjo dispozitë, siç edhe emërtohet, rregullon kompetencën territoriale midis gjykatave brenda sistemit të drejtësisë. Ajo nuk ndalon arbitrazhin dhe nuk mund të interpretohet si kufizim ndaj vullnetit të palëve për të zgjidhur kontestin jashtë gjykatës. Interpretimi që kjo dispozitë përjashton arbitrazhin është në kundërshtim me strukturën e ligjit dhe logjikën e arbitrazhit si mekanizëm paralel.

Korniza ligjore e arbitrazhit në Kosovë: Ligji nr. 02/L-75 për Arbitrazhin

Sipas nenit 4 të Ligjit për Arbitrazhin:

“Çdo mosmarrëveshje që rrjedh nga një marrëveshje kontraktore ose jokontraktore, e cila mund të jetë objekt marrëveshjeje sipas ligjit, mund të zgjidhet përmes arbitrazhit.”

Neni 36, paragrafi 2, nënparagrafi (iv), lejon anulimin e vendimit të arbitrazhit vetëm nëse çështja nuk ka qenë objekt i kompetencës së tribunalit arbitral sipas ligjit ose nëse vendimi bie në kundërshtim me rendin publik. Por në asnjë nen nuk përmendet qiraja e pasurisë së paluajtshme si fushë e ndaluar për arbitrazh – sidomos kur kemi të bëjmë me marrëdhënie kontraktore të natyrës civile si qiraja, që lidhen me detyrime ndërmjet palëve, dhe jo me të drejta pronësore të drejtpërdrejta mbi pasurinë e paluajtshme.

Rasti konkret dhe vendimet e kontestuara

Për ilustrim, në vendimin K.DH.SHK.II.nr.1118/2024, Gjykata Komerciale e ka anuluar vendimin e arbitrazhit lidhur me pagesën e qirasë nga ana e një operatori afarist, duke konstatuar se arbitrazhi nuk kishte kompetencë për shkak të natyrës së objektit – qiraja e një hapësire afariste.

Po ashtu, në vendimin K.DH.SH.II.nr.1011/2024, gjykata ka shpallur të pavlefshme klauzolën për arbitrazh, duke argumentuar se ajo është në kundërshtim me normat imperative të procedurës. Raste të të njëjtës qendër tregtare ka plotë.

Vlen të theksohet se në shumicën e rasteve të shqyrtuara, ishin vetë qendrat tregtare ato që, përmes kontratave të qirasë të përgatitura nga vetë ato, kishin përfshirë klauzola për arbitrazh si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Megjithatë, kur vendimet e tribunalit arbitral nuk ishin në favorin e tyre, ato e kontestuan vlefshmërinë e këtyre klauzolave dhe kërkuan anulimin e vendimeve duke u thirrur në moskompetencën e arbitrazhit.

Të gjitha këto vendime përbëjnë një shtrirje të rrezikshme të konceptit të kompetencës ekskluzive dhe të nocionit të rendit publik, të cilat në praktikën bashkëkohore juridike dhe sipas standardeve të UNCITRAL-it, duhet të interpretohen ngushtë dhe me kujdes.

Praktika dhe doktrina ndërkombëtare

Sipas Gary Born, në veprën e tij “International Commercial Arbitration” (2021):

“Gjykatat kombëtare duhet të përmbahen nga tundimi për të anashkaluar marrëveshjet për arbitrazh të palëve për arsye që nuk janë qartazi dhe ngushtësisht të përcaktuara, përfshirë çështje të pretenduara të rendit publik apo kompetencës ligjore.”

Ndërkaq, në literaturën evropiane, Prof. Emmanuel Gaillard thekson:

“Arbitrueshmëria duhet të kuptohet si funksion i autonomisë së palëve dhe interesit publik, dhe kufizimet ndaj saj duhet të mbeten të rralla.”

Praktika e tribunaleve ndërkombëtare mbi qiratë komerciale

Në mbështetje të arbitrueshmërisë së qirasë së pasurisë së paluajtshme, në praktikën ndërkombëtare gjejmë raste të shumta ku tribunalet arbitralë kanë pranuar kompetencën për të shqyrtuar mosmarrëveshje që burojnë nga kontrata qiraje afariste:

ICC Case No. 12683 (2004): Tribunali arbitral shqyrtoi një kontest lidhur me qiranë e një objekti komercial në Evropë, ku njëra palë pretendonte prishje të njëanshme të kontratës. Tribunali e konsideroi mosmarrëveshjen “qartësisht të arbitrueshme”, pasi nuk përfshinte të drejta reale mbi pasuri.

SCC Case No. V (061/2017) (Stockholm Chamber of Commerce): Një mosmarrëveshje ndërmjet një operatori tregtar dhe një qendre tregtare për mospagesën e qirasë dhe kompensime të pretenduara, u trajtua nga tribunali arbitral pa asnjë pengesë për kompetencë.

Swiss Chambers Arbitration Institution (2020): Në një rast lidhur me largimin e një qiramarrësi për shkelje të kushteve të kontratës, tribunali e pranoi kompetencën me arsyetimin se qiraja komerciale është një marrëdhënie obligacionare që mbështet plotësisht zgjidhjen përmes arbitrazhit.

Këto raste, së bashku me jurisprudencën e konsoliduar nga juridiksione si Franca, Zvicra, Singapori dhe Gjermania, dëshmojnë qartë se qiratë komerciale janë tërësisht të arbitrueshme, për aq kohë sa nuk preken të drejta reale të palëve të treta apo çështje të rendit publik në kuptimin material të tij.

Kjo praktikë gjyqësore po cenon një nga shtyllat kryesore të së drejtës afariste – besimin e bizneseve në fuqinë juridike të kontratës dhe në zbatimin e vullnetit të lirë të palëve. Çështje që palët i kanë përcaktuar përmes arbitrazhit po kthehen në gjykatë, duke mohuar kompetencën e tribunalit arbitral në kundërshtim me ligjin.

Kjo përbën jo vetëm regres të standardeve profesionale, por edhe sfidë për besueshmërinë e sistemit juridik ndaj investitorëve vendorë dhe të huaj. Për më tepër, ajo bie ndesh me përpjekjet shumëvjeçare për ndërtimin e një drejtësie afariste moderne, të mbështetura nga programe të rëndësishme ndërkombëtare si ato të USAID-it.

I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse, Fakulteteve Juridike, komunitetit ligjor dhe arbitral, si dhe partnerëve zhvillimorë, që të kontribuojnë në rishqyrtimin e kësaj praktike dhe në rivendosjen e një qasjeje të drejtë dhe të harmonizuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e arbitrazhit si pjesë thelbësore e arkitekturës së shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.