RËNDËSIA DHE RISITË E LIGJIT NR.08/L-182 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
10.01.2025
Sot më datë 10 janar 2025 ka hyrë në fuqi Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative, ligj ky i cili shfuqizon Ligjin Nr.03/L-202 për Konfliktet Administrative, i cili kishte hyrë në fuqi në vitin 2010.
Ky ndryshim ligjor sjell përmirësime të rëndësishme në fushën e drejtësisë administrative, duke pasur si qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës në administratën publike dhe gjykatat administrative.
Përderisa Ligji Nr.03/L-182 për Konfliktet Administrative ka rregulluar kompetencat, përbërjen e gjykatës dhe rregullat e procedurës, duke u fokusuar në ligjshmërinë e akteve administrative dhe të drejtave të palëve, ku synim kryesor kishte mbrojtjen gjyqësore të të drejtave dhe interesave të palëve, të drejta këto të cenuara me vendime ose veprime/mosveprime administrative. Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative ka qëllim më të zgjeruar që përfshinë mbrojtjen e të drejtave subjektive dhe interesave ligjore si dhe sigurimin e ligjshmërisë në ushtrimin e autoritetit publik.
Pra ligji i ri për Konfliktet Administrative ka fokus të shtuar mbi kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit publik, gjë e cila me doemos pritet që të ketë efekt pozitiv në sigurimin e një administrate më të përgjegjshme.
- PARIMET E SË DREJTËS ADMINISTRATIVE;
Përveç parimeve themelore sipas të cilave janë zhvilluar konfliktet administrative sipas Ligjit Nr.03/L-182, siç janë parimi i ligjshmërisë, parimi i efikasitetit, parimi i ndihmës ndaj palës së painformuar etj., për herë të parë në këtë fushë të së drejtës, Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative përfshinë parimin e ndërmjetësimit dhe pajtimit, duke promovuar zgjidhje alternative të konflikteve.
- KATEGORIZIMI I PADIVE;
Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative sjellë risi edhe në kategoritë e padive të cilat mund të parashtrohen, ashtu që ligji paraprak fokus kishte kryesisht paditë mbi anulimin e akteve administrative, nxjerrjen e tyre në rastet e heshtjes administrative si dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar subjekteve në rastet e ekzekutimit të akteve administrative të kontestuara.
Përderisa Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative prezanton kategori të reja të padive, duke përfshirë:
- Paditë për ndalimin ose kryerjen e veprimeve të tjera administrative: Paditësi mund të kërkojë që administrata të ndalojë një veprim të paligjshëm ose të kryejë një veprim të kërkuar.
- Paditë deklarative: Lejojnë përcaktimin e ekzistencës ose mos-ekzistencës së një marrëdhënie juridike, ose deklarimin e paligjshmërisë së një akti që nuk prodhon më pasoja juridike.
- Paditë për shpërblimin e dëmit: Mund të ngrihen për të kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të administratës.
- Paditë kundër akteve nënligjore normative: Lejojnë shfuqizimin e akteve normative kur ato konsiderohen të kundërligjshme ose në kundërshtim me interesat e ligjshme të palëve.
- Paditë e kompetencës: Zgjidhin konfliktet e kompetencës së një organi administrativ.
- Paditë për kontratat administrative: Adresojnë vlefshmërinë, interpretimin, ose përmbushjen e kontratave midis organeve publike dhe subjekteve private.
Poashtu vlen të theksohet se për dallim nga Ligji i shfuqizuar, me Ligjin e ri është përcaktuar qartë se padia për nxjerrjen e një akti administrativ për të cilin administrata ka heshtur, mund të ngritët vetëm në rastet kur nuk zbatohet parimi i miratimit në heshtje, në pajtim me dispozitat e ligjit përkatës për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
- FLEKSIBILITETI NË AFATE LIGJORE;
Sipas ligjit të vjetër për Konfliktet Administrative për paraqitjen e mjeteve ligjore si ankesa pranë organit të shkallës së dytë të administratës apo padia, kanë qenë të përcaktuara afate të rrepta siç është afati prej tridhjetë (30) ditëve për parashtrimin e padisë, afat ky i cili ka filluar të rrjedhë nga dita e pranimit të aktit administrativ.
Ndërsa Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative rrit fleksibilitetin në trajtimin e rasteve duke përfshirë afate të zgjatura në rrethana të veçanta, përkatësisht dyfishim të afateve në rastet kur akti administrativ i cili ankimohet nuk përmban informacionet e qarta dhe të sakta për mjetet juridike, apo situata të tjera të përcaktuara me dispozitat e këtij ligji.
- NDRYSHIMET NË PROCEDURËN E SHQYRTIMIT DHE TË VENDIMMARRJES;
Ligji i vjetër për Konfliktet Administrative vendoste një theks të veçantë te shqyrtimi verbal si metodë kryesore për trajtimin e çështjeve administrative, duke përcaktuar obligimin për dëgjimin e palëve para marrjes së një vendimi përfundimtar.
Përderisa me Ligjin e ri, procedura gjyqësore është përkufizuar si një proces më i strukturuar i shqyrtimit, duke theksuar të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor dhe garantimin e transparencës në vendimmarrje, si dhe janë shtuar dispozita përkatëse të cilat përshkruajnë edhe mënyrën e zhvillimit të procesit të shqyrtimit pa mbajtje të një seance gjyqësore në raste specifike.
- EFEKTET DHE EKZEKUTIMI I VENDIMEVE GJYQËSORE;
Edhe përkundër faktit se me Ligjin e vjetër ka qenë e përcaktuar se vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për ekzekutim nga organet administrative përkatëse, nuk kanë qenë të përcaktuara sanksione në rastet kur organet administrative nuk kanë vepruar sipas afateve kohore specifike për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.
Ndërsa me Ligjin e ri janë përcaktuar afatet për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, e poashtu janë përcaktuar edhe sanksionet për organet administrative që nuk respektojnë urdhërat e gjykatës brenda afateve të caktuara, përkatësisht si në nenin 107 të Ligjit Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative.
- MJETET E RREGULLTA DHE TË JASHTËZAKONSHME;
Me Ligjin e ri për Konfliktet Administrative nuk kanë ndryshuar afatet, shkaqet për të cilat mund të parashtrohet ankesa, apo mënyra e paraqitjes së ankesës si mjet i rregullt juridik e cila mund të paraqitet ndaj vendimeve të gjykatës së shkallës së parë.
Megjithatë me Ligjin e ri janë shtuar dispozitat të cilat përcaktojnë se Gjykata e shkallës të dytë vendosë për ankesën, në bazë të shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore dëgjimore, mirëpo vetëm nëse ka fakte apo mjete provuese të reja apo çështje të reja të ligjit, që mund të ndikojnë në zgjidhjen e çështje, me ç’rast edhe janë shtuar dispozitat të cilat përcaktojnë mënyrën e thirrjes dhe mbajtjes së seancës gjyqësore në Gjykatën e shkallës së dytë.
Risitë që sjell Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative konsistojnë në llojet e mjeteve të jashtëzakonshme juridike të cilat mund të parashtrohen në gjykimin administrativ, ashtu që me këtë ligj është përcaktuar se në gjykimin administrativ nuk lejohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, mjet ky i cili është lejuar sipas ligjit të vjetër.
- MJETET PËR SIGURIMIN E KËRKESËPADISË;
Një nga risitë që ka sjellë Ligji Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative ka të bëjë me sigurimin e kërkesëpadisë në gjykimin administrativ, duke përcaktuar qartë llojet e vendimeve që mund të sjell gjykata varësisht nga lloji i padisë për të cilën është paraqitur kërkesa për sigurim.
- Për sigurimin e padisë në rastin e padive për anulimin e një akti administrativ apo një padie për ndalimin e kryerjes të një veprimi tjetër administrativ Gjykata, me kërkesë, mund të vendosë pezullimin e zbatimit të aktit apo përkatësisht ndalimin e menjëhershëm të veprimit tjetër administrativ.
- Për sigurimin e padisë në rastin e padive për shfuqizimin e një akti nënligjor normativ administrativ, Gjykata me kërkesë, mund të vendosë për moszbatimin apo ndalimin e prodhimit të efekteve juridike të aktit nënligjor normativ.
- Për sigurimin e padisë në rastin e padive për nxjerrjen e një akti administrativ apo për kryerjen e një veprimi tjetër administrativ, Gjykata me kërkesë, mund të marrë një masë të përkohshme që konsiston në rregullimin e përkohshëm të marrëdhënies juridike në konflikt.
- Përveç nëse parashihet shprehimisht në këtë nen, Gjykata, me kërkesë, mund të marrë çdo masë tjetër të përshtatshme dhe proporcionale, të përcaktuar me legjislacionin përkatës për procedurën gjyqësore civile në fuqi, në rastet kur masat e përcaktuara si më lartë nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për propozuesin e sigurimit.
Megjithatë në mënyrë që caktohet ndonjë nga masat për sigurimin e padisë nga ana e gjykatës, janë përcaktuar edhe kushtet të cilat duhet të plotësohen. Përderisa kërkesa për sigurimin e padisë mund të paraqitet së bashku me padinë apo edhe pasi që padia të jetë dorëzuar në Gjykatë.
- SHPENZIMET E PROCEDURËS;
Çështja e shpenzimeve të procedurës së gjykimit administrativ, me Ligjin e vjetër për Konfliktet Administrative ka qenë e rregulluar në atë mënyrë që secila palë ka bartur shpenzimet e saj procedurale.
Ndërsa me Ligjin e ri për Konfliktet Administrative është përcaktuar se pala e cila humb kontestin gjyqësor, detyrohet të bartë të gjitha shpenzimet gjyqësore.
Përjashtimit, rregulli i mësipërm nuk vlen në rastet e përcaktuara sipas nenit 65 par.6 të këtij Ligji, e cila konsiston në situatat kur refuzohet kërkesëpadia e paditësit për anulimin e aktit administrativ përkundër shkeljeve të konstatuara në rast se administrata e paditur ka arritur të provojë gjatë gjykimit që këto shkelje nuk kanë ndikuar në përmbajtjen e dispozitivit të aktit i cili do të kishte qenë, sidoqoftë, i njëjtë. Në këtë rast shpenzimet gjyqësore do të barten nga administrata e paditur.
Në përgjithësi, Ligji Nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative shënon një avancim të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve midis administratës dhe qytetarëve, duke ofruar një kornizë ligjore më të përshtatshme dhe të efektshme për trajtimin e çështjeve administrative. Ky ligj ndihmon në garantimin e transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave, duke ofruar mundësi më të gjera për adresimin e ankesave dhe përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve administrative, si dhe duke rritur përgjegjësinë e institucioneve publike.
Shkruan: Agnesa Azemi Ademi