Date: 09-Jan-2025

Rëndësia e Markave Tregtare në Eksportin e Produkteve Kosovare

09.01.2025

Kosova ballafaqohet me një bilanc negativ tregtar, ku importet janë shumëfish më të mëdha sesa eksportet. Megjithatë, disa kompani kosovare kanë filluar që produktet dhe shërbimet e tyre t’i plasojnë në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në vendet ku prania e diasporës shqiptare është më e madhe, si Zvicra dhe Gjermania. Vizitat që diaspora i bën në Kosovë shpesh shërbejnë si një mundësi për t’u njohur me produktet vendase, duke ndihmuar kështu në gjetjen e tregjeve jashtë Kosovës.

Një tjetër faktor me rëndësi është edhe marketingu në mediat kosovare, të cilat janë të qasshme për diasporën dhe ndihmojnë në kursimin e shpenzimeve të marketingut në shtetet eksportuese. Ky avantazh duhet të shfrytëzohet maksimalisht nga prodhuesit kosovarë që synojnë zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.

Përveç kushteve teknike dhe standardeve që produktet duhet të plotësojnë për eksport, një element i rëndësishëm është mbrojtja e pronësisë intelektuale. Ky artikull fokusohet te markat tregtare, një aspekt kyç për eksportin e suksesshëm të produkteve kosovare.

Pse janë të rëndësishme markat tregtare

Markat tregtare nuk janë thjesht simbole ose emra; ato përfaqësojnë identitetin e një produkti dhe janë thelbësore për ndërtimin e besueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.

Në aspektin ligjor, është e domosdoshme që prodhuesit kosovarë të regjistrojnë markat e tyre në shtetet ku synojnë të eksportojnë produktet. Pa regjistrimin e markës, nuk mund të garantohet mbrojtja ligjore e saj. Përveç kësaj, mungesa e regjistrimit mund të sjellë probleme të mëdha, duke përfshirë ndalimin e eksportit dhe paditë për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

Kërkimi i markave ekzistuese (search report)

Hapi i parë në procesin e regjistrimit është kërkimi i markave ekzistuese. Ky raport, i njohur si “search report,” kryhet nga profesionistë të fushës dhe ndihmon në identifikimin e markave të ngjashme apo identike që mund të jenë të regjistruara më parë në vendin eksportues. Kjo analizë minimizon rrezikun e refuzimit të aplikimit dhe siguron që marka e re të jetë unike dhe e mbrojtshme.

Parimi i territorialitetit

Markat tregtare janë të mbrojtura vetëm në territoret ku ato janë regjistruar. Prandaj, regjistrimi në vendet e synuara është thelbësor. Për eksportet drejt vendeve të BE-së, një opsion shumë praktik është aplikimi për regjistrimin e markës tregtare evropiane në EUIPO (European Union Intellectual Property Office). Kjo zgjidhje redukton kostot dhe siguron mbrojtje në të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Sipas nenit 9 të Rregullores së BE-së 2017/1001 për markat tregtare të Bashkimit Evropian, regjistrimi i një marke evropiane siguron të drejta ekskluzive, përfshirë ndalimin e përdorimit të paautorizuar të markës në të gjithë territorin e BE-së.

Rreziqet e mungesës së regjistrimit të markës

Mungesa e regjistrimit të një marke tregtare në vendet eksportuese mund të rezultojë në ndalimin e produkteve në dogana ose në paditë për shkelje të pronësisë intelektuale. Për shembull, Rregullorja Nr. 608/2013 e Bashkimit Evropian rregullon masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe përcakton procedurat që ndjekin doganat në rastet e dyshimeve për shkelje të markave tregtare të regjistruara.

Nëse një prodhues kosovar eksporton pa regjistruar markën dhe has në probleme ligjore, mallrat mund të ndalohen ose edhe të konfiskohen. Për të shmangur këto situata, prodhuesit duhet të ndërmarrin hapa për regjistrimin e markës para fillimit të eksportit.

Aspektet kontraktuale me distributorët

Në marrëdhëniet me distributorët, duhet të sigurohet që pronësia e markës të mbetet ekskluzivitet i prodhuesit. Kjo mund të përcaktohet përmes kontratave ku qartësohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Për shembull, kontratat duhet të ndalojnë distributorët nga regjistrimi i markave të prodhuesit pa pëlqimin e tij, pasi këto veprime shpesh bëhen me keqbesim dhe mund të sjellin konflikte ligjore të kushtueshme.

Në rastet kur distributori ndihmon në procesin e regjistrimit, duhet të specifikohet qartë që pronësia e markës tregtare i përket prodhuesit dhe jo distributorit.

Përfundime

Eksporti i produkteve kosovare drejt tregjeve ndërkombëtare kërkon përkushtim dhe planifikim të kujdesshëm. Prodhuesit që respektojnë standardet ligjore dhe investojnë në mbrojtjen e markave tregtare mund të sigurojnë një pozicion të qëndrueshëm në tregjet e reja. Mbështetja nga profesionistë të fushës së pronësisë intelektuale është e domosdoshme për të shmangur rreziqet ligjore dhe për të garantuar suksesin afatgjatë.

Shkruan: Florin Lata