Date: 09-Oct-2024

STATUTI – RËNDËSIA E ANALIZIMIT NGA AKSIONARËT E KOMPANISË

Një nga dokumentet më të rëndësishme në strukturën dhe funksionimin e një kompanie është statuti i saj. Megjithatë, në Kosovë, shumë aksionarë dhe pronarë të bizneseve shpesh i kushtojnë pak vëmendje leximit dhe analizimit të këtij dokumenti. Në shumicën e rasteve, aksionarët fokusohen në çështje të caktuara si pronësia dhe rrallëherë shqyrtojnë në thellësi dispozitat e tjera të statutit të kompanisë deri në momentin kur lindin konflikte të brendshme ose midis aksionarëve dhe drejtorëve.

Për më tepër, aksionarët shpesh nuk kanë një kopje të statutit në dosjet e tyre personale dhe e kërkojnë atë vetëm kur shfaqen probleme. Kjo qasje e shkujdesur mund të krijojë sfida serioze kur shfaqen situata të komplikuara ligjore, përfshirë përgjegjësinë financiare të aksionarëve për veprimet e kompanisë.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), në përputhje me nenin 9 të Ligjit Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, ka publikuar modelet standarde të statuteve për Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (Sh.P.K) dhe Shoqëri Aksionare. Këto modele shpesh përdoren pa analiza të detajuara, duke u plotësuar vetëm me informacionet bazike nga pronarët, kontabilistët, ose zyrtarët e kompanive. Megjithatë, një prej dispozitave të modelit të publikuar më 15 nëntor 2021 ka krijuar shqetësime të mëdha për pronarët e bizneseve, për shkak të rreziqeve që mund të lindin nga interpretimi i saj.

Neni 9.3 i statutit për Sh.P.K përmban formulimin që përcakton se “Themeluesit e shoqërisë janë përgjegjës për të gjitha borxhet e shoqërisë dhe detyrimet e tjera me të tëra asetet”. Ky formulim i përgjithshëm mund të nënkuptojë që pronarët e kompanisë janë përgjegjës për borxhet dhe detyrimet e shoqërisë me të gjitha pasuritë e tyre personale, një situatë që bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me natyrën ligjore të një Shoqërie me Përgjegjësi të Kufizuar, ku përgjegjësia e aksionarëve duhet të kufizohet vetëm në asetet e kompanisë.

Sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe në veçanti nenit 76, paragrafi 2, “Një aksionar i Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar nuk është përgjegjës për borxhet ose detyrimet e shoqërisë vetëm për arsye se është aksionar”. Në këtë mënyrë, aksionarët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për detyrimet që krijon kompania përveçse në rastet kur janë ata që ndërmarrin veprime për shoqërinë para regjistrimit të saj në ARBK, siç parashikohet në nenin 77 të të njëjtit ligj.

Interpretimi dhe Rreziqet Ligjore për Pronarët e Bizneseve

Një interpretim i mundshëm gjyqësor i dispozitës 9.3 të statutit të kompanisë mund të çojë në përfundimin se pronarët e bizneseve janë të detyruar të përgjigjen me asetet e tyre personale për borxhet e kompanisë. Ky rrezik krijohet nga fakti se dispozita le hapësirë për interpretim të gabuar në lidhje me përgjegjësinë e aksionarëve, duke dhënë përshtypjen se ata pranojnë të mbajnë përgjegjësi financiare për detyrimet e kompanisë nëse kjo nuk arrin t’i paguajë ato.

Kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme kur merren parasysh marrëdhëniet me palët e treta, si kreditorët, institucionet financiare dhe partnerët e biznesit. Nëse kompanitë nuk arrijnë të përmbushin detyrimet e tyre, palët e treta mund të përdorin këtë dispozitë për të kërkuar pagesën e borxheve përmes pasurive personale të aksionarëve. Për këtë arsye, është e rëndësishme që pronarët e bizneseve të jenë të vetëdijshëm për përmbajtjen e statutit dhe të ndërmarrin veprimet e duhura për ta ndryshuar ose rregulluar atë, për të shmangur rreziqet e mundshme.

Rekomandimet për Ndryshimin e Statutit

Me qëllim të mbrojtjes së pronarëve të bizneseve nga këto rreziqe, ne rekomandojmë që dispozita 9.3 të riformulohet në mënyrë që të qartësojë përgjegjësinë e aksionarëve vetëm për veprimet dhe detyrimet e krijuara para regjistrimit të kompanisë, siç parashikohet nga ligji. Një formulim i tillë do të ishte më i saktë dhe do të shmangte paqartësitë që mund të lindin nga një interpretim i gabuar nga gjykatat apo palët e treta.

Ndryshimi i dispozitës mund të jetë si më poshtë: “Themeluesit e shoqërisë janë përgjegjës për veprimet dhe obligimet e krijuara nga vet ata në emër të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar para regjistrimit të saj në ARBK”. Alternativisht, dispozita mund të hiqet plotësisht për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm.

Për më tepër, aksionarët dhe pronarët e bizneseve duhet të kuptojnë që statuti i kompanisë nuk duhet të trajtohet vetëm si një dokument formal për qëllime regjistrimi. Përkundrazi, ai duhet të përdoret si një instrument strategjik për rregullimin e marrëdhënieve të brendshme dhe të jashtme të kompanisë, duke marrë parasysh nevojat specifike dhe qëllimet e saj afatgjata.

Përfundim

Në përfundim, statuti i një kompanie përbën një nga dokumentet më të rëndësishme për menaxhimin e saj dhe duhej të trajtohej me kujdesin e duhur nga pronarët e bizneseve. Aksionarët duhet të sigurohen që statuti të jetë në përputhje me ligjin për shoqëritë tregtare në Kosovë dhe të mbrojë interesat e tyre ligjore. Në rast se ka nevojë për ndryshime, është e domosdoshme që këto të realizohen me ndihmën e ekspertëve ligjorë për të shmangur konflikte dhe përgjegjësi të padëshirueshme në të ardhmen.

Nëse jeni pronar i një Shoqërie me Përgjegjësi të Kufizuar dhe ende nuk e keni lexuar plotësisht statutin e kompanisë suaj, tani është koha që të ndërmerrni veprime sa nuk është bërë vonë.

Shkruan: Florin Lata