Date: 21-Feb-2025

RAPORTI KONTRAKTUAL ME INFLUENCERËT

21.02.2025

Në epokën e rrjeteve sociale, influencerët nuk janë më thjesht individë me ndjekës – ata janë motorë  të marketingut modern. Me një postim të vetëm, ata mund të ndikojnë mijëra, madje miliona ndjekës, duke e kthyer një produkt të panjohur në një trend viral. Për bizneset, ky është një potencial i jashtëzakonshëm – por edhe një rrezik, sidomos kur bashkëpunimet nuk janë të strukturuara siç duhet. Shumë kompani i qasen influencerit pa një marrëveshje të qartë, duke harruar se çdo promovim është një investim që duhet mbrojtur ligjërisht. A ka nevojë një biznes për një kontratë me influencerin? Në fakt, pyetja e duhur është: si mund të rrezikojë një kompani pa e lidhur një kontratë?

Kështu, ndërsa potenciali i marketingut me influencerë është i madh, rreziqet ligjore që vijnë nga mungesa e një strukture të qartë janë po aq të konsiderueshme. Megjithatë, shpeshherë, bashkëpunimet ndërmjet një biznesi dhe influenceri nuk janë të strukturuara në mënyrë formale, dhe kjo mungesë e formalizimit të bashkëpunimit bartë rreziqet e veta ligjore. Pa një kontratë të shkruar, çdo marrëdhënie midis një biznesi dhe influenceri mund të kthehet në një risk për njërën palë apo për të dyja palët.

Bashkëpunimi me një influencer nuk është një proces aq i thjeshtë dhe kërkon një marrëveshje kontraktuale të qartë që të sigurojë suksesin e palëve të përfshira.

Pse duhet të lidhet një kontratë ndërmjet biznesit dhe influencerit?

Pyetja e vërtetë duhet të jetë, pse nuk ka nevojë për një marrëveshje të tillë?

Një marrëveshje me influencerin do të përcaktojë kushtet e marrëdhënies mes një biznesi dhe një influencer-i në rrjetet sociale. Pra, është mëse i nevojshëm një dokument, që përcakton detyrime të qarta mes dy palëve: biznesit që dëshiron të promovojë një produkt/shërbim dhe influencerit që do ta promovojë atë.

Kjo marrëveshje është e nevojshme për të garantuar që të dyja palët janë të mbrojtura ligjërisht dhe se detyrimet e secilit janë të totalisht të qarta.

Cilat janë disa nga elementet që duhet të përfshihen në një kontratë me influencerin?

1. Përshkrimi i Angazhimeve:

Çdo marrëveshje duhet të përfshijë një përshkrim të qartë të fushatës promocionale. Çfarë do të promovojë influencer-i? A është fjala për një postim në Instagram, një video në YouTube, Tiktok apo një tjetër lloj përmbajtjeje? Cilat janë kërkesat specifike për formatin dhe stilin e përmbajtjes?

2. Kushtet e Pagesës:

Pagesa është një aspekt kyç në një kontratë të tillë. Ajo mund të jetë në formë fikse, komision mbi shitje, dhurata produktesh, ose një kombinim. Andaj, kontrata duhet të përcaktojë qartë mënyrën dhe kohën e pagesës.

3. Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale:

Pasi që përmbajtja e krijuar nga influencer-i mund të përdoret për qëllime të tjera, si reklama të brendshme ose përmbajtje të biznesit, është thelbësore të përcaktohen qartë të drejtat e pronësisë intelektuale. Këtu mund të vendosen kushte se kush e mban pronësinë e përmbajtjes dhe nëse ajo mund të përdoret jashtë periudhës së marrëveshjes.

4. Periudha e Bashkëpunimit dhe Afatet:

Data e fillimit dhe fundi i bashkëpunimit, si dhe afatet për dorëzimin e përmbajtjes, duhet të jenë të qarta. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që palët të dinë saktësisht sa do të zgjasë marrëveshja dhe kur do të përfundojë.

5. Ndëshkimi kontraktual:

Ky element është i rëndësishëm për të siguruar që të dyja palët respektojnë kushtet e marrëveshjes. Ai krijon një motivim për të përmbushur angazhimet dhe parandalon shkeljet që mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, duke mbrojtur interesat e të dyja palëve.

Por, këto janë vetëm disa nga pikat kryesore që duhet të përfshihen në një kontratë me influencerin dhe normalisht ajo duhet të përmbajë dhe detaje tjera të cilat sigurojnë bashkëpunim të qëndrueshëm, duke shmangur çdo keqkuptim ose konflikt që mund të lindë gjatë fushatës.

Cilat janë disa nga benefitet për tu lidhur një kontratë e tillë?

Mbrojtja Ligjore

Një kontratë e tillë ofron mbrojtje ligjore për të dyja palët, duke siguruar që të drejtat dhe detyrimet e tyre të jenë të qarta dhe të mbrojtura. Ajo siguron që në rast të mosmarrëveshjeve, palët kanë një bazë për t’u drejtuar tek gjykata ose për të përdorur një mënyrë alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Rritja e cilësisë së bashkëpunimi:

Kur të dyja palët i kanë të qarta të drejtat dhe detyrimet e tyre, rrjedhimisht, bashkëpunimi bëhet më efikas dhe më i suksesshëm. Influenceri ka më shumë besim në atë që do të bëjë dhe si do të paguhet, ndërsa kompania ka sigurinë që do të marrë atë që ka kërkuar.

Evitimi / Shmangia e konflikteve

Pa një marrëveshje të qartë, mund të lindin konflikte lidhur me pagesat, mënyrën e prezantimit të produktit, ose të drejtat e përdorimit të përmbajtjes. Kjo mund të shkaktojë dëmtime reputacioni për të dyja palët, andaj, si rrjedhojë kontrata e tillë paraqet një siguri për eleminimin e këtyre eventualiteteve që mund të paraqesin problem.

Përfundim

Pra, një marrëveshje e tillë e materializuar në shkrim është garantuesi i sigurisë dhe i të drejtave të palëve të përfshira dhe mund të bëjë diferencën mes një bashkëpunimi të suksesshëm dhe një marrëdhënieje që mund të shkaktojë probleme.

Andaj, roli i ekspertit juridik është i pazëvendësueshëm – ai siguron që kontrata të jetë e drejtë, e qartë dhe ligjërisht e mbështetur, duke mbrojtur interesat e të dyja palëve, si për biznesin ashtu edhe për influencerin.e balancuar dhe ligjërisht e mbështetur, duke mbrojtur interesat e të dyja palëve, si për biznesin ashtu edhe për influencerin.

Shkruan: Gent Nuza