Pronarët e tokave të dhëna për ndërtim përballën me tatim të padrejtë! A po vepron ATK jashtë kuadrit ligjor?
4 Nëntor 2024
Në vazhdën e interpretimeve të gabuara ligjore nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), është evident edhe tatimi i pronarëve fizikë jo afaristë, të cilët japin pronat e tyre për ndërtim në këmbim të një pjese të objekteve të përfunduara. Ka shumë raste ku ATK ka vendosur barrë mbi pasuritë e këtyre individëve dhe i ka detyruar të paguajnë tatim, ndonëse baza ligjore për një trajtim të tillë mungon. Këto praktika vazhdojnë të shkaktojnë padrejtësi ndaj qytetarëve.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Tatimin në të Ardhura Personale nr. 05/L-028 më 1 shtator 2015, neni 7, paragrafi 1.6 i këtij ligji përcakton se fitimet kapitale nga shitja e pasurive të tundshme dhe të patundshme janë të tatueshme për personat fizikë, rezidentë apo jo rezidentë, dhe për subjektet afariste. Për më tepër, neni 31 i ligjit përshkruan se fitimi kapital është dallimi midis çmimit të shitjes dhe vlerës së pasurisë kapitale, e cila përfshin koston e blerjes, përmirësimet e bëra dhe zhvlerësimin. Sipas nenit 31, paragrafi 12, mënyra e trajtimit të fitimeve dhe humbjeve kapitale për individët jo afaristë duhej të rregullohej me një akt nënligjor, i cili ende nuk është miratuar nga Ministri i Financave, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji më 1 shtator 2015.
Në këtë kontekst, edhe Udhëzimi Administrativ nr. 01/2016, i cili u miratua për zbatimin e Ligjit nr. 05/L-028, nuk ka parashikuar ndonjë dispozitë për trajtimin e fitimeve dhe humbjeve kapitale për individët jo afaristë. Megjithatë, ATK vazhdon të tatimojë këta individë në kundërshtim me ligjin, duke aplikuar metodologji arbitrare për tatimin e pasurive të patundshme, veçanërisht për ato të fituara apo trashëguara shumë vite më parë. Në këto raste, kostoja e përvetësimit të pronës njihet në vlera të ulëta, ndërsa vlera e shitjes apo këmbimit të pronës, që është rritur shumëfish, përbën bazën e llogaritjes së tatimit. Kjo praktikë e ATK-së ka krijuar barrë të pajustifikueshme për qytetarët, të cilët janë detyruar të paguajnë tatime të mëdha dhe, në shumë raste, janë përballur me masa të detyrueshme të mbledhjes së tatimeve, si regjistrimi i barrës tatimore, sekuestrimi i pasurisë dhe shitja me ankand.
Aktualisht, një numër i madh i këtyre rasteve po presin shqyrtimin në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, ndërsa një pjesë tjetër është dërguar në Bordin e Ankesave pranë Ministrisë së Financave, i cili ende nuk është funksional për shkak të mos emërimit të anëtarëve. Në këto kushte, qytetarët jo afaristë kanë si mundësi të vetme mbrojtjen gjyqësore për t’u mbrojtur nga veprimet arbitrare të ATK-së dhe ngarkimi pa bazë ligjore me tatime në të ardhura personale.
Në këto raste të ndërlikuara tatimore, është e rëndësishme që pronarët e tokave të kenë përkrahjen e nevojshme ligjore!
Shkruan: Florin Lata