Date: 23-Oct-2024

Shteti Favorizon vetën në raport me qytetarët: Aktet administrative në favor të qytetarëve dhe bizneseve nuk mund të përmbarohen

Ndryshimet e fundit në Ligjin 08/L-262 po cenojnë rëndë të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve, duke krijuar një pabarazi të theksuar në raport me shtetin dhe duke goditur rëndë sistemin e përmbarimit privat, një nga arritjet madhore të Kosovës. Ky ligj, i cili synon harmonizimin me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ka sjellë ndryshime në Ligjin për Procedurën Përmbarimore, ku vendimet e nxjerra nga organet administrative janë hequr nga lista e dokumenteve përmbaruese. Kjo do të thotë që individët dhe bizneset, të cilët kanë fituar një vendim në favorin e tyre përmes procedurave administrative, nuk mund ta përmbarojnë atë përmes përmbaruesve privatë apo gjykatave, rrjedhimisht, nuk mund ta përmbarojnë fare.

Përmbarimi privat ka qenë një reformë kyçe e drejtësisë në Kosovë, duke ofruar një mekanizëm të pavarur dhe efikas për zbatimin e vendimeve ligjore dhe administrative. Ky sistem ka garantuar që të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve të realizohen me shpejtësi më të madhe dhe në mënyrë efektive. Megjithatë, me ndryshimet e neneve 22 dhe 23 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, ky sistem është dëmtuar rëndë. Përmbaruesit privatë nuk mund të ekzekutojnë më vendime administrative, përfshirë vendimet e organeve si KPMSHCK, komunat, ministritë dhe shumë institucione të tjera.

Në bazë të Nenit 147 të Ligjit për Procedurën Administrative, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është caktuar si organi kompetent për ekzekutimin e detyrimeve financiare që burojnë nga aktet administrative të organeve të administratës shtetërore. Sipas këtij neni, ATK ka kompetencën të ekzekutojë detyrimet financiare që rrjedhin nga vendimet e institucioneve publike. Kjo kompetencë është e kufizuar dhe nuk përfshin të drejtat e individëve apo bizneseve private për ekzekutimin e vendimeve të fituara në procedura administrative ndaj organeve administrative. Edhe pse paragrafi 3 i Nenit 147 lejon që institucionet dhe agjencitë e pavarura të delegojnë kompetencën për ekzekutimin e detyrimeve financiare përmes ATK-së, kjo dispozitë nuk ka fuqi për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset private në përmbarimin e vendimeve të tyre.

Kjo situatë krijon një pabarazi të theksuar midis shtetit dhe qytetarëve. Ndërsa shteti ka krijuar mekanizma të sigurt për të ekzekutuar detyrimet e tij përmes ATK-së, qytetarët dhe bizneset që kanë fituar vendime administrative në favor të tyre nuk kanë më asnjë rrugë për të realizuar të drejtat përmes përmbarimit. Një shembull konkret i kësaj pabarazie është një vendim i KPMSHCK që njeh të drejtën e një punonjësi për kompensim pagash dhe kthim në punë. Me ndryshimet e reja ligjore, një vendim i tillë nuk mund të ekzekutohet as përmes përmbaruesve privatë, gjykatës dhe as përmes ATK-së, duke krijuar një bllokim të të drejtave dhe një pasiguri të madhe juridike. Ky lloj bllokimi cenon rëndë të drejtat kushtetuese për një proces të drejtë dhe të barabartë

Këto ndryshime janë një goditje e rëndë për sistemin e përmbarimit në Kosovë, i cili ka qenë një nga arritjet më të mëdha të Kosovës në drejtësi. Dobësimi i këtij sistemi dhe heqja e mundësisë për të përmbaruar vendimet administrative përmes përmbaruesve privatë dobëson besimin e qytetarëve dhe bizneseve në drejtësi dhe krijon një mjedis të pasigurt juridik. Ndërkohë, shteti ka krijuar një mekanizëm të privilegjuar për të realizuar interesat e tij përmes ATK-së, duke favorizuar veten në mënyrë të padrejtë dhe duke lënë qytetarët dhe bizneset pa zgjidhje për ekzekutimin e vendimeve të tyre. Pra, nëse ju i keni borxhe shtetit, inkasimin do ta bën ATK në mënyrë të dhunshme, por nëse shteti duhet të jua kthej ndonjë pagesë apo të jua jep ndonjë të drejtë që e keni fituar në procedurë administrative, atëherë do të mbeteni në mëshirën e zyrtarëve të administratës nëse kanë vullnet apo jo për ta përmbushur detyrimin. Kjo situatë, rrit edhe mundësinë për korrupsion të administratës shtetërore.

Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” konsideron se kjo situatë ngre pyetje kritike në lidhje me barazinë para ligjit dhe favorizimin e shtetit ndaj sektorit privat, duke shkelur rëndë të drejtat e njeriut.

Kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që në mënyrë urgjente ta trajton këtë çështje dhe të nxjerr një ligj të ri për të rikthyer balancat mes shtetit dhe qytetarëve.

Autor: Urim Vokshi